Java në RTSH: Kriza, Presidenti dhe populizmi – një trekëndësh aspak i lavdishëm në Tiranë

Për të komentuar realitetin politik dhe jo vetëm, në studion e emisionit ‘Java në RTSH’ ishte i ftuar analisti Henri Çili. Në panelin me Preç Zogajn, Lorenc Vangjelin dhe Artan Hoxhën, Çili tha se aktualisht janë një sërë kërcënimesh në kuadrin global, të cilave nuk u shpëton as Shqipëria.

“Ka një qasje për rikthimin e populizmit. Nëse në Evropën Veriore ky populizëm ka karakter fashist, në atë Jugore ai ka karakter majtist. Fatkeqësisht sot zërat kryesorë janë në një frymë anti-liberale. Edhe në vendin tonë, momentet autoritariste e kanë goditur mendimin liberal” – tha analisti Henri Çili.

Në lidhje me deklaratat e fundit të Ilir Metës, Henri Çili ishte i prerë teksa tha se nga Presidenti pret një qartësim.

“Ne kemi një krizë të ulur këmbëkryq në skenën politike të vendit. . Meta e nisi karrierën siç nuk po e përfundon. Ka ardhur koha që Presidenti të vendosë a do të vazhdojë detyrën e tij apo jo. Në politikë ka një pozicionim kampesh dhe për mendimin tim që në muajin Prill 2017 roli i Ilir Metës ishte i qartë që me zemër mbështeste opozitën dhe Çadrën. Dhe fill pas kësaj hyri në Presidencë” – shtoi ai.

Lidhur me rolin e Erion Veliajt si kryebashkiak dhe qëndrimet e tij, Henri Çili tha se ai po projektohet për diçka më të madhe.

“Unë shoh te Veliaj një projektim për diçka më të madhe, diçka në plan kombëtar. Ambiciet e tij e tregojnë qartë këtë” – tha ai.

Sa i përket djegies së mandateve nga opozita, Henri Çili shtoi se Lulzim Basha zgjodhi një rrugë të tretë të të bërit politikë. Ai shtoi se zhvillimit normal politik i është prishur ‘zemreku’.

Presidenti i UET u ndal edhe te botimi më i ri në treg, Gazetës Liberale. Ai u shpreh se bëhet fjalë për një projekt të gjerë të Institutit Europian “Pashko”. Për analistin Preç Zogaj, gazeta është një vlerë e shtuar jo vetëm për lexuesit, por edhe për frymën liberale në vend.

Ndërkohë, për analistin Lorenc Vangjeli tha se është denatyruar jeta parlamentare. Ai u shpreh se qershori është thjeshtë një stacion i parë për politikën.

“Vjeshta me siguri do të vijë me supriza të hidhura, të cilat për disa do të jenë të rënda e asfiksuese si kutërbim tualeti burgu” – paralajmëroi analisti Lorenc Vangjeil në studion e emisionit ‘Java në RTSH’.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU