“Java në RTSH”: Basha të martën në prokurori, “lista me tenderat për kriminelët” dhe masakra në Bllok

Emisioni “Java në RTSH” solli edhe këtë të premte vështrime ndryshe për atë që shohin të gjithë të ndodhë. Në pjesën e parë të tij, analistët Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli komentuan së bashku me gazetarin investigativ Artan Hoxha, ngjarjen që tronditi Tiranën një ditë më parë. Hoxha zbuloi për herë të parë detaje nga hetimet dhe tha se policia po kërkon të paktën pesë persona për t’i marë në pyetje. Ai nënvizoi se po kryhen kontrolle ne dhjetëra banesa dhe ambiente private në pronësi të të dyshuarve për ngjarjen. Sipas tij, nuk kemi të bëjmë me një konflikt të çastit, por me një ngjarje të agravuar që përfundoi me një viktimë dhe dy të plagosur.

Në studion e RTSH, gazetari investigativ paralajmëroi një seri ngjarjesh të rënda, nëse autorët nuk arrestohen në kohë rekord.

“Ngjarja ndodhi në një lokal ku qëndrojnë persona VIP. Për shkak të një shkëmbimi batutash dhe frikës së gjithçka mund të precipitonte në më të keqen, pronari i lokalit i ka kërkuar artistes të njohur Elvana Gjata që të largohet” – tha Hoxha. Dhe më pas ngjarjet ndodhën me shpejtësi për të përfunduar tek plumbat.

Ai u shpreh se lokali ku ndodhi vrasja e Fabiol Gaxhas dhe plagosja e Martinajt dhe Hatos, ka një pozicionim të favorshëm që ngjarja të mos shihet nga jashtë.  “Fakti që lokali është i vogël dhe që nuk ka dritare bëri që të mos ketë pasoja edhe më tragjike” – tha Hoxha.
Për analistin Preç Zogaj, Tirana ngjan si një xhungël luksoze. “Xhungla fillon në qendër të Tiranës. Fillon tek industria e vesit, që janë lojërat e fatit. Kjo është e lidhur me politikën” – tha Zogaj. Duke sjellë në vëmendje operacionin “Fundi i Marrëzisë” Zogaj kujtoi se qeveria Rama, por edhe bashkia në kohën që drejtohej nga Basha, kishin premtuar që të merreshin me bixhozin, gangrenën që po i trazon shumë shoqërinë shqiptare.
“Sot pas 4-5 vjetësh nga ‘Fundi i Marrëzisë’ jemi tek pesëfishimi i marrëzisë. Nga 928 pika bastesh që ka pasur në Shqipëri në vitin 2013, sot kemi rreth 4800. Ne kujtohemi për këto grupe vetëm kur përplasen me njëri-tjetrin sepse plas pushka. Por këto merren përditë me jetën e qytetarëve” – tha Preç Zogaj në RTSH.

Në përfundim të kësaj pjese të parë, analisti LorencVangjeli paralajmëroi ekzistencën e një dosjeje që do të trazojë shumë ujra në Tiranë. Sipas Vangjelit, Patia Demokratike ka plotësuar një listë me biznese të drejtuara dhe në pronësi të personave të dënuar me vendime të formës së prerë, të cilët kanë marë tendera publikë, gjë që ndalohet nga ligji.
“Ligji është si syri, shkelet ndonjëherë”, tha Vangjeli. Një sy të mbyllur ai ka quajtur dhe një ngjarje tjetër, shumë e rëndë, e cila nuk është bërë ende publike. Sipas burimeve të analistit Lorenc Vangjeli, një person shumë i afërt i një antari të rëndësishëm të kabinetit qeveritar, është goditur dhe gati është masakruar nga një personazh shumë i njohur i botës së krimit. “Të dy këta patën një marëdhënie shumë të “çuditshme” me njëri-tjetrin në lidhje me një shumë prej disa dhjetra mijëra eurosh”, tha Vangjeli.

 

Rustemi dhe Ballauri, dritëhijet e panjohura të dosjes Xhisiela

 

Java në RTSH ka diskutuar me psikologen Jorida Rustemi dhe aktivisten e njohur Elsa Ballauri, atë çfarë ka mbetur nga dosja ‘Xhisiela’. Vangjeli solli detaje të reja ekskluzive në studio duke u shprehur se Partia Demokratike, duke e përfshirë pa të drejtë Taulant Ballën në një histori të tillë, e “amnistoi” atë për të tjera “mëkate” që ai mund të ketë në shpinë. Vangjeli publikoi dokumentin ekskluziv të gjurmimit të telefonit të Ballës, sipas të cilit verifikohet se në ditët e ngjarjes Balla ka qenë në Pogradec. Duke ju referuar provës së tabulateve të celularit të Ballës, analisti Preç Zogaj tha se deputeti socialist është në të drejtën e tij që të rrëzojë akuzat se ai nuk ka qenë në vendngjarje, por edhe pse nuk ka qenë ai, ka qenë “pushteti i Ramës”.

Vangjeli tha se prokuroria po përgatitet të dërgojë kërkesën për të marrë në pyetje ish-policin Nuhu.
“Ndërsa në fillim të javës, të martën ndoshta, në Prokurori do të kërkohet dëshmia e një personazhi mjaft të rëndësishëm, kryetarit të PD-së, zotit Lulzim Basha” – tha Vangjeli në studio.

Psikologia e njohur Jorida Rustemi tha se çështjet politike nuk duhet të interferojnë në një hetim penal. Rustemi kritikoi ashpër mënyrën e të intervistuarit në media të Xhisiela Malokut teksa tha se ishte tejet e papërshtatshme dhe jo profesionale. “Ka udhëzues sesi bëhen pyetjet. Duhen shmangur pyetjet ndikuese apo riviktimizuese. Unë vura re një gazetare që bën disa pyetje që nuk janë të përshtatshme përballë një viktime. Megjithatë duket qartazi që personi i cili e bëri publike këtë histori, e ka përdorur. Siguroi familjen e tij, pa pyetur për familjet e tjera. Uroj të mos jetë i saktë ky dyshim” – tha psikologia Jorida Rustemi, që e shikon mjaft komplekse këtë ngjarje dhe urgjente ndërhyrjen me të gjitha mjetet për zbardhjen e saj.

I të njëjtit mendim ishte edhe analisti Preç Zogaj, i cili tha se marrja në pyetje ndaj Xhisielës ishte mizore. Për aktivisten e njohur e të drejtave të njeriut dhe gazetaren Elsa Ballauri, ‘ngatërrimi’ i politikës dhe medias në këtë histori është normale sepse bëhet fjalë për një situatë të ngulitur anormale në vend. Sipas saj kemi të bëjmë me një rast dhune që buron nga mentaliteti i vetë shoqërisë, nga politika që drejton dhe që të gjitha bashkë, kultivojnë një kulturë dhune. “Niveli i dhunës ndaj femrave shqiptare është i lartë. Rasti i Xhisielës, është një rast i deformuar ku shoqëria dhe politika kanë ndërhyrë. Këto e komplikuan çështjen keq duke e kthyer në një rast që po na traumatizon” – tha Ballauri në studion e emisionit “Java në RTSH”.

Vangjeli tha se pavarësisht të gjithave, fakti që në Tiranë ka gra të forta e të mençura  si vetë Jorida Rustemi apo Elsa Ballauri e dhjetra e dhjetra të tjera, dëshmon se ka shpresë për një të nesërme më të mirë.

 Transparenca për Eurobondin, e vërteta e milionave

 Marrja e eurobondit prej 500 milionë eurosh ka sjellë në debat zëvendës ministrin e financave  Erjon Luçi dhe ekspertin e njohur të ekonomisë Zef Preçi.

Për Luçin paratë nuk do të shkojnë për shpenzime, por për pagesat e prapambetura të borxheve të mëparshme. “Është njësoj si një kreditor që ditën që banka kërkon pagesën e saj, shkon dhe paraqitet në rregull para saj. Nga eurobondi, 200 milionë do të përdoren për të bërë pagesat e eurobondit të mëparshëm të vitit 2015. Ndërsa 300 milionë eurot e tjera do të përdoren kryesisht për pagesat që kemi vitin e ardhshëm të kredive të kaluara. Sidomos të atyre koncensionare” – tha zyrtari i lartë i Ministrisë së Financave.

Eksperti i financave, Zef Preçi, ishte më skeptik për marrjen e eurobondit duke u shprehur se ky është një borxh i ri që shërben për të shlyer një borxh të vjetër. Ai u shpreh se do të ishte mirë që shifra të tilla të merreshin për t’u investuar në vepra dhe të mira publike, me qëllim të gjenerimit të rritjes ekonomike dhe të punësimit. “Ishte pozitive që ky vit pritet të përfundojë me rritje ekonomike me 4%. Por Banka Botërore thotë në të njëjtin raport se për 2019-2020 rritja ekonomike do të jetë 3.8 dhe 3.5 përqind. Pra faktorët e rritjes janë tkurrur. Kjo gjë do të thotë se ka nevojë për kundërmasa të tjera që të mos çojnë në rritje të mëtejshme taksash dhe as në kufizim të shpenzimeve publike” – tha Zef Preçi.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU