Japonia/Perlat e urtësisë mbijetojnë falë traditës së lashtë

Në zonën piktoreske të gjirit Ago në Japoni, një çift mbledh midhjet nga rrjeta, i pastron me kujdes dhe i kthen sërish në ujë. Shpresa e tyre është që pas disa muajsh, këto midhje të mbushen me perla.

E gjitha kjo, falë një teknike të shpikur në këtë vend, e cila po shuhet ngadalë në mesin e plakjes së popullsisë. Kultivimi i perlave ka nisur pikërisht në gjirin Ago, e më pas është përhapur në mbarë botën.

Në vitin 1893, një banor i zonës i quajtur Kokichi Mikimoto u shqetësua nga fakti që midhjet e perlave po zhdukeshin, ndaj nisi të vendoste brenda tyre trupa të vegjël të huaj, në përpjekje për të imituar procesin natyror, gjatë të cilit molusqet mbështjellin me mijëra shtresa të holla sedefi, një grimcë rëre apo një copëz e vogël korali që mund të ketë depërtuar në to.

Si për ironi, perlat në vetvete janë pasojë e reagimit të natyrshëm kundër infeksioneve, e të tilla konsideron edhe pjesëzat që hyjnë në guackë, gjë që nxiti aktivizimin e mekanizmit mbrojtës.

Familja Sakaguchi e ka vazhduar këtë traditë duke krijuar prej dekadash perla të çmuara me diametër nga 3 deri në 10 milimetra. Tani, 73-vjeçari Kasuhiro dhe 68-vjeçari Misayo shpresojnë që rrugën e tyre të ndjekë edhe e bija, Ruriko.

Kjo është një punë që kërkon mjaft durim, pasi vetëm 5% e midhjeve të kultivuara në këtë mënyrë prodhojnë perla mjaftueshëm cilësore sa për të zbukuruar vitrinat e argjendarive në Tokio e gjetkë. (TCH)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU