Ja çfarë mendonte Tito pak para vdekjes – për Kosovën dhe për shqiptarët

Kjo është një pjesë e stenogramit të bisedës së Josip Broz Titos me kreun ushtarak në Karagjorgjevë, më 21 dhjetor 1979 dhe më 22 dhjetor 1979. Për të gjithë ata që kanë pasur mendim pozitiv për të, ky stenogram do të jetë tronditës, sepse shpërfaq më së miri mendimin e tij për shqiptarët dhe Kosovën. Madje, deklarohet se ishte kundër Kushtetutës së vitit 1974 dhe se mendon ta vë Kosovë nën pushtet ushtarak, referuar Kohës Ditore.

Për më shumë, lexojeni një pjesë që zbërthen më së miri qëndrimin e tij, e edhe paranojën se Anglia e Amerika përmes Kosovës synojnë plane për shkatërrimin e Jugosllavisë. Ai nuk ka mendime të mira për udhëheqësit politikë të Kosovës, ndërsa shprehet se ata sillen si shtet në vete duke bashkëpunuar me Shqipërinë dhe se synojnë ta formojnë një armatë balliste.

“Shokë, së pari, Jua uroj Ditën e Armatës, të cilën e festojmë nesër. Pos juve, urime iu dërgoj edhe të gjithë pjesëtarëve të Armatës sonë.

Mirëpo, shokë, unë nuk ju kam ftuar që të festojmë Ditën e Armatës, ju kam ftuar që, bashkë me ju, komandantë të mi ushtarakë, t’i analizojmë disa çështje aktuale për të ardhmen e Armatës sonë, por edhe të Jugosllavisë. Të gjithë ju e dini se unë jam në moshë, se edhe pak muaj, në maj të vitit të ardhshëm, do t’i mbush 88 vjet, por e dini edhe atë se, veçanërisht pas Havanës, ndjehem i lodhur dhe se më është keqësuar gjendja shëndetësore dhe duhet të shtrihem në spital.

 Kjo edhe është arsye pse kam vendosur që, si Komandant juaji Suprem, me ju, bashkëpunëtorë të mi ushtarakë, të analizoj disa çështje që lidhen me gjendjen në APJ, por edhe për disa çështje politike që lidhen me detyrat që ka Armata jonë sipas Kushtetutës. Zaten, para Havanës unë kam pasur disa biseda disaditëshe me bashkëpunëtorët e mi të paraluftës dhe të luftës, të cilët tash janë në pension dhe nga ata kam marrë shumë informata për të cilat dëshiroj të bisedojmë bashkërisht sot dhe nesër, të marrim qëndrim unik se çka duhet bërë me qëllim që për ato informacione të mos flasë rruga, por edhe shtypi i jashtëm e shtypi ynë.

Unë, pas takimit me ju, do të kem takime edhe me kreun politik të Jugosllavisë, ndërkaq këtu tash janë të pranishëm Vladoja dhe Llazoja, në emër të Kryesisë së Partisë dhe të RSFJ-së, por është i pranishëm edhe Kosta, në emër të luftëtarëve të LNÇ-së.

Çështjet, për të cilat dua të flas me ju, janë të shumta, ndërsa ndër të parat është se unë, si Komandant juaji Suprem, dua të informohem mbi gjendjen në APJ.

Nga kreu ynë ushtarak kam marrë, si bazë për këtë bisedë, një informacion të gjerë me shkrim, të cilën ma ka dhënë gjenerali Lubiçiq, informatë të cilën e kanë nënshkruar edhe të gjithë komandantët e zonave ushtarake, si dhe komandanti i MLJ dhe i ALJ. Duke e lexuar atë informatë, kam qenë i shokuar me informacionet e theksuara mbi situatën në vend. E kam ditur se situata e sigurisë në Kosovë, e për këtë do të flasim gjerësisht pak më vonë, është e keqe, por nuk e kam ditur se marrëdhëniet ndër-republikane mes republikave tona kanë rënë në nivel aq të ulët.

Kështu, në atë informatë theksohet se disa kuadro kroate, që edhe gjatë Luftës Nacionalçlirimtare kanë pasur ambicie të tilla nacionaliste, tash, në qarqe të njëjta bashkëmendimtarësh, flasin se kemi gabuar që Bosnjë-Hercegovina është formuar si republikë, se ajo i takon Kroacisë sikur në kohën e luftës kur ishte nën NDH. Veç kësaj, nga shokët që kanë qenë tek unë para Havanës kam dëgjuar se edhe në Slloveni nuk është duke shkuar puna ashtu si duhet, ndërsa në Serbi “vuajnë” se krahinat kanë fituar, sipas Kushtetutës së re, status shteti.

 KAM TË DHËNA SE SPIUNËT DHE OFICERË TË LARTË TË “SIGURIMIT” LIGJËROJNË MARKSIZMIN NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS DHE ISHA KUNDËR KUSHTETUTËS SË VITIT 1974

Këto janë çështjet për të cilat dua të bisedoj me ju dhe kjo aq më tepër kur APJ, sipas Kushtetutës, ka marrë detyrë të ruajë integritetin e Jugosllavisë, të jetë bartëse e unitetit në vend. Ka këtu edhe disa çështje të tjera, siç janë përmirësimi i disa të pavërtetave historike, të botuara deri më tash e të cilat, edhe për shkak të individëve, janë futur “nën rrogoz”. Por, të shkojmë sipas radhës.

 Tashmë theksova se situata politike dhe e sigurisë në Kosovë është përditë e më e keqe. Është krijuar një humnerë dhe një mosdurueshmëri mes kuadrove të nacionalitetit serb e shqiptar. Kuadrot shqiptare nga Kosova mendojnë se nëse, sipas Kushtetutës së vitit 1974, kanë fituar më shumë të drejta, pjesërisht edhe shtetësinë, atëherë mund të zhvillojnë pavarësisht edhe aktivitete shtetërore, e unë po theksoj se kam qenë kundër kësaj Kushtetute.

Kështu, është e palejueshme që ata të zhvillojnë biseda shtetërore me Shqipërinë, jashtë Republikës së Serbisë, por edhe Federatës. Ata, me vetiniciativë, pa dijen tonë, kanë sjellë profesorë nga Shqipëria që në fakultete dhe në shkolla të ligjërojnë historinë sipas programit shqiptar, që t’i mësojnë fëmijët dhe studentët tanë se Kosova është pjesë përbërëse e Shqipërisë së Madhe të Skënderbeut, e cila përkohësisht ndodhet nën Jugosllavi.

Ose, ne dimë pak mbi aktivitetet e emigracionit shqiptar, ndërsa, shikoni shokë, ajo po mbledh “haraçin” për shkollimin e shqiptarëve për komandantë që do të komandojnë në “kryengritjen popullore” në Kosovë, të paralajmëruar shpesh. Kam të dhëna se spiunët e tyre dhe oficerë të lartë të “Sigurimit” ligjërojnë marksizmin në Universitetin e Prishtinës, por më janë ofruar të dhëna se disa, si Bakalli, Hoxha dhe të tjerë, kanë Shërbimin e tyre “privat” të Spiunimit jo vetëm në rajonin e Serbisë, por edhe në republikat e tjera, veçanërisht për shkak të kontrabandimit të drogës përmes limaneve shqiptare.

Zaten, është sekret publik se në kuadër të Marinës shqiptare ekziston njësit i veçantë për kontrabandë me drogë. E gjithë kjo ka ndodhur në Kosovë dhe, pas Plenumit IV të Brioneve dhe pas rënies së Rankoviqit, ata e kanë shkatërruar Shërbimin e Sigurimit dhe tash, në këtë Krahinë, “mbizotëron” jo vetëm “Sigurimi”, por edhe shërbime “private” të spiunimit.

Paramendoni, të gjithë ata që sot bërtasin “Kosova Republikë” dhe që udhëheqin me aksionin e tillë, kishin listat e përgatitura se cilët njerëz duhej hequr nga Shërbimi i Sigurimit në Kosovë. Shërbimi i Spiunimit nga Tirana, “Sigurimi”, sipas të dhënave tona, ka në këtë Krahinë mbi një mijë njerëz të vet, ndërsa ata kanë organizuar qendrat e veta edhe në Kroaci e në Slloveni, por për fat të keq edhe në Beograd. Edhe pse e gjithë kjo bëhet në mënyrë sekrete, megjithatë disa aktivitete të tyre janë zbuluar.

 TË GJITHË ATA QË VOTUAN PËR KUSHTETUTËN E VITIT 1974 DO TË JENË FAJTORË PËR FATIN E JUGOSLLAVISË

 Më brengos veçanërisht përkrahja që i jepet separatizmit në Kosovë nga disa njerëz udhëheqës në Slloveni dhe në Kroaci. Nuk ishte e rastësishme që Kardeli, qysh më herët, ia tërhoqi vërejtjen udhëheqjes kosovare se me një politikë të tillë “po mbjellin erë, e do të korrin fortunë”.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU