Itali, shqiptarja jep shpirt tek dera e spitalit. Familja kërkon hetim

Një 66 vjeçare shqiptare humbi jetën në urgjencën e spitalit në qytezën Maniago në Itali për shkak të një ataku kardiak. Familja nuk akuzon asnjë megjithatë i kërkon prokurorisë të hetojë nëse është respektuar i gjithë protokolli i urgjencës

“Nuk e di nëse ndërhyrja e ambulancës mund ta kishte shpëtuar nënën time por besoj se nuk është e drejtë të vdesësh në këtë mënyrë. U ndjemë të braktisur dhe kjo nuk duhet të ndodhë kur flasim për jetë njerëzish” thotë Arjana Spiri vajza e viktimës, shkruan Ora News

Shqiptarja Liri Spiri prej vitesh me banim në Itali ishte goditur nga një atak kardiak në orën 17:30 minuta të së premtes së kaluar (30 dhjetor 2016)  në hyrje të spitalit. Rreth orës 16: 50 minuta vajza e saj kishte telefonuar për ndihmën e shpejtë por dyshohet se bluzat e bardha nuk e kanë quajtur urgjente telefonatën duke e ngatërruar simtomat e infarktit me atë të gripit.

“Nëna ime kishte temperaturë të lartë, por më shqetësoi frymëmarrja e vështirë” tregon në lot, Ariana- Pas orës 17:00 ajo ka telefonuar ambulancën, por i është thënë se nëse ka grip atëherë duhej ti drejtohej mjekut të familjes.

“Ky i fundit ishte me pushimet e funditvitit atëherë i telefonova zëvendësit të tij, i cili me të kuptuar gjëndjen e rëndë më tha se do nisej por duheshin 15 minuta të mbërrinte në shtëpinë e tyre”

“Nëna ime përkeqësohej moment pas momentit dhe më thoshte që ishte shumë keq. Atëherë mora makinën e vrapova drejt spitalit.  Me të mbërritur tek dera e spitalit u rrëzua pa ndjenja. Provuan ti jepnin frymë, deri kur në orën 18: 15 minuta na komunikuan se vdiq” thotë Arjana Spiri

Prokuroria tashmë ka sekuestruar kartelën klinike dhe regjistrimin e telefonatës dhe ka nisur veprimet. Ndërkohë sot 66 vjeçarja do të përcillet për në banesën e fundit. Lajmi u publikua në messaggeroveneto.it

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU