Ish-Presidenti Nishani: Mbështes Berishën, por PD-në e ka Basha

Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, e cilëson shpërthim të akumuluar prej vitesh ndaj qeverisë, reagimin e dhunshëm të protestuesve në Rrugën e Kombit. Në një intervistë për “Panorama”,  ish-Presidenti deklaron se përmes arrogancës dhe shantazhit që qeveria po ushtron ndaj qytetarëve, shumë shpejt motoja e çdokujt do të jetë “Më arrestoni dhe mua”.

Ish-kreu i shtetit ka folur edhe për zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike ku ka theksuar se dinamika që i duhet të prodhojë sot opozitës në Shqipëri, duhet t’i kalojë disa herë frekuencat e një opozite tjetër në një vend ku demokracia zhvillohet mbi kriteret dhe ligjësitë normale.

Nishani këshillon deputetët e Grupit Parlamentar të PD-së të mos harrojnë se kanë përballë kundërshtarë politikë që i përkasin shkollës së KGB-së. Gjithashtu, ish-Presidenti kërkon që deputetët të mos kenë shume skrupuj, pasi beteja e tyre është për rivendosje të lirive themelore.

Vendimi i qeverisë për të vendosur trarë me pagesë për Rrugën e Kombit prodhoi një protestë, ku kishte veç përplasjes së policisë me protestuesit edhe dëme të shumta materiale. Cili është qëndrimi juaj ndaj kësaj proteste dhe e mbështesni vendimin e opozitës për të kaluar në mosbindje civile? 

Protesta e qytetarëve në Rrugën e Kombit është shpërthimi i një zemërimi të akumuluar prej vitesh ndaj një qeverisjeje, që e ka varfëruar në ekstrem popullin, ka ngritur në një kult të pandëshkueshmërisë korrupsionin, ka injoruar dhe fyer dinjitetin dhe personalitetin e qytetarit të thjeshtë. Këtë zemërim e has në çdo cep dhe qytet të vendit. Shpërthimi i tij masiv do të jetë i paimagjinueshëm sepse përgjegjësitë për rendin social dhe shoqëror kanë krijuar një shkëputje të madhe nga realiteti dhe mendojnë se me anë të frikës dhe shantazhit do mund të ruajnë këtë status quo. Zhvillimet dhe reagimet nga populli po tregojnë se shumë shpejt motoja e qytetarëve të këtij vendi do të jetë “Më arrestoni dhe mua”, se dufi i akumuluar nga hallet dhe mospërfillja as që imagjinohet nga pushtetarët. Këdo që takon sot dhe me këdo që flet për protestën, i konsideron ata qytetarë të arrestuar dhe burgosur si heronjtë e ditës të shqiptarëve. Po krijohet një frymë popullore që, kush ndeshet fort me pushtetin e korrupsionit dhe hajnisë, kthehet në hero. Për fat të keq, opozitës nuk i ka mbetur asnjë alternativë normale politike. I vidhen votat me para droge, i goditen simpatizantët me mekanizmat e shtetit si Policia, Tatimet dhe mohimit te shërbimeve publike. A ju kujtohet se çfarë thoshte Kryeministri gjatë fushatës elektorale në zgjedhjet lokale: “… Po votuat kandidatin e opozitës do mbeteni në izolim se nuk do keni investime, projekte dhe buxhet nga qeveria”. Kjo në fakt ka ndodhur atje ku drejtojnë të zgjedhurit e opozitës. Çfarë duhet të bëjë opozita në këtë situatë? A e dëgjuat se si e identifikoi Kryeministri popullin e vet nga foltorja e Parlamentit? A ka ndodhur kjo ndonjëherë në ndonjë vend të botës? Kurrë, asnjëherë, nga askush. Çfarë duhet të bëjë opozita në këtë situatë? Unë mendoj se përgjegjësia e saj për ndryshim dhe ndihmuar popullin është tmerrësisht e madhe. Ajo të marrë plotësisht këtë përgjegjësi.

Qeveria është e bindur se në prill do të marrë një përgjigje pozitive për hapjen e negociatave me BE-në. Ndërkohë që ka edhe një mbështetje të plotë nga partitë opozitare për realizimin e këtij hapi të shumëpritur për vendin. Sipas jush, sa janë shanset që Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive?

Kjo qeveri ka dështuar dy herë në vendimin për hapjen e negociatave pasi ka tentuar që ta paraqiste atë si bonus politik të Europës për qeverinë shqiptare, që në fakt konsiderohet si qeverisja më e korruptuar në Europë. Qeveritë e vendeve europiane e kanë kuptuar fare mirë atë dhe kanë refuzuar këtë skenar të keqpërdorimit politik dy herë në vitet e shkuara. Këtë vit, unë shpresoj shumë që vendet anëtare të BE-së do të marrin një vendim pozitiv në interes të qytetarëve shqiptarë për t’u treguar atyre se përtej faktit të hidhur që ata përjetojnë nga qeverisja e dështuar në vend, miqtë europianë janë dhe do jenë në krah të shqiptarëve për të mbajtur shpresën se Shqipëria do të bëhet, ashtu siç duan shumica dërrmuese e qytetarëve të saj. Uroj shumë të kemi një vendim për hapjen e negociatave.

Si ju duket gjendja aktuale e Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi? 

Opozita shqiptare po përballet me një luftë të paprinciptë dhe pabarabartë nga pushteti. Një qeveri që tashmë nuk ka asnjë bilanc kontributi për t’u treguar shqiptarëve, është angazhuar në asgjësimin politik të opozitës. Në këtë kontekst, që s’ka asnjë lidhje me standardin e një vendi të lirë dhe demokratik, qeveria shfrytëzon instrumentet e shtetit, paratë e shtetit, forcën e shtetit, imazhin e shtetit, infrastrukturën e shtetit, institucionet e shtetit, influencat e shtetit për të luftuar opozitën politike. Gjithçka që nuk është e saj, por e kapur prej saj dhe drejtuar kundër shumicës së qytetarëve të vendit, që janë pranë opozitës apo jashtë saj në kuptimin formal, por opozitë me këtë status quo politike dhe sociale. Partia Demokratike u ndesh në garën e shkuar elektorale me një model mostër, ku makineria shtetërore e mpleksur me rrjetin e grupeve kriminale të mbështetur nga financime marramendëse të ardhura nga trafiku masiv i kanabisit, por edhe përçarje të brendshme, që iu bashkuan retorikës antiopozitare. Ky raport elektoral disproporcional nuk pati një taktikë elektorale adekuate, ndoshta edhe për shkak të rrethanave që krijoi takimi Basha-Rama dhe kohës së shkurtër që kishte në dispozicion opozita në rrethanat e krijuara. Mos harrojmë që ishte një situatë ekstra-politike, ku për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar u shtynë në kohë zgjedhjet parlamentare, pra një situatë kaosi politik dhe elektoral. Por që nga ato zgjedhje, opozita e ka shtuar dukshëm dinamikën e saj politike. Protesta e fundit p.sh.,tregoi se opozita po mbledh gjithnjë e më shumë përkrahës rreth vetes. Natyrisht që ajo ka shumë sfida, qoftë në aspektin e betejës politike qoftë në atë të ridimensionimit të saj dhe të dyja këto në kontekstin e rrethanave, sfidave, interesave ekzistuese. Partia Demokratike dhe opozita në tërësi nuk kanë në përgjegjësi vetëm prezantimin e alternativës qeverisëse, por jashtë çdo normaliteti të një shoqërie demokratike edhe përballjen me një angazhim të gjerë të makinerisë shtetërore që kërkon çarjen e saj, rrudhjen e saj, margjinalizimin e saj deri në asgjësimin e saj si forcë e ndryshimit politik. Ndaj, dinamika që i duhet të prodhojë sot opozita në Shqipëri duhet t’i kalojë disa herë frekuencat e një opozite tjetër në një vend ku demokracia zhvillohet mbi kriteret dhe ligjësitë normale.

Ka zëra për rikthimin e Sali Berishës në krye të PD-së, ju e mbështesni një propozim të tillë dhe, a do të ishte zgjidhje për bashkimin dhe ringritjen e PD-së? 

Unë mendoj se, i vetmi zë që flet në emër të Sali Berishës dhe përcakton veprimtarinë politike të Sali Berishës, është vetëm Sali Berisha. Unë nuk gjykoj askënd në mendimet e veta, por siç e kam deklaruar edhe më parë, e përsëris, që unë personalisht mbështes dhe përkrah çdo qëndrim dhe veprim politik të Sali Berishës. Kam qenë dhe mbetem bashkëpunëtor i tij. Për sa i takon kreut të PD-së, ajo e ka atë. Z. Basha është një kryetar i zgjedhur drejtpërdrejt nga një shumicë e madhe e anëtarësisë së kësaj partie. Ka mbështetjen e forumeve politike të kësaj partie dhe mbështetjen e z. Berisha. Pa dyshim që Z. Berisha mbetet një epiqendër e orientimit dhe qasjes politike të PD-së dhe qendrës së djathtë në Shqipëri. Vijon të jetë një zë potent dhe influent tek opinioni publik dhe mbart një eksperiencë të madhe shtetërore.

Lulzim Basha ka premtuar se do ta bashkojë Partinë Demokratike dhe do të mbledhë kontribuuesit në vite në PD. A mendoni se ka mundësi Basha ta bëjë këtë bashkim dhe ju personalisht, keni pasur një takim me kreun e PD-së? 

Z. Basha e ka përgjegjësi politike dhe obligim si kryetar i PD-së që ta rrisë çdo ditë e më shumë trupën aktive dhe veçanërisht mbështetësit dhe përkrahësit e Partisë Demokratike dhe alternativës së saj qeverisëse. Z. Basha ka disa avantazhe për të qenë i suksesshëm në drejtimin e PD-së, por edhe fitoren e programit dhe qeverisë së saj. Ai është pjesë e një gjenerate të mirëarsimuar në perëndim e për pasojë, përçues i kulturës së tij. Me eksperienca të shumta qeverisëse të akumuluara në kohë shumë aktive dhe produktive në kuptimin e jetës së shtetit. Ka një moshë të re që e avantazhon shumë për të mundësuar konsolidimin e eksperiencave pozitive. Thirrja dhe riaktivizimi i kontributeve të qindra mijëra kontributorëve të PD-së në dy dekada e gjysmë jetë politike në Shqipëri është sot një sfidë dhe përgjegjësi për z. Basha. Gjatë këtyre 25 viteve, PD ka funksionuar falë shpirtit, sakrificave dhe energjive të dhjetëra-mijëra anëtarëve dhe simpatizantëve të saj. Por PD-ja i ka ofruar vendit dhe politikës në tërësi me qindra personalitete të fushave të ndryshme. Ata sot nuk janë ndoshta në jetë politike aktive, por PD-ja dhe vendi ka nevojë për frymën e tyre, eksperiencën, zërin, mendjen, frymëzimin dhe prezencën e tyre. Unë besoj plotësisht se Kuvendi Kombëtar i ardhshëm i PD-së do të jetë vërtet një Kuvend madhështor i pjesëmarrjes së të gjithë këtyre dhe një kuvendim i gjerë dhe vizionar i të gjitha gjeneratave dhe veçanërisht i rinisë, por dhe i atyre qindra personaliteteve që janë sot në thirrje për të adresuar ato sfida, që i janë ngërthyer vendit dhe këtij populli rreth qafës.

Në fund të këtij muaji do të mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD-së, në të cilin pritet të miratohet edhe statuti i ri i Partisë Demokratike. Por kritikët e Bashës e shohin problemin tek ai vetë dhe jo te libri i rregullave në parti. Ju si i vlerësoni kritikat e tyre? 

Unë as kam gjykuar dhe as do gjykoj kërkënd për pikëpamjet e veta dhe shprehjen e mendimeve politike. Unë mbroj pikëpamjen dhe mendimin tim mbi logjikën time dhe asaj çka unë i besoj. Unë mendoj që është pikërisht libri i rregullave, i shkruar mbi modelet më të mira demokratike dhe perëndimore, i miratuar nga shumica e pjesëmarrësve në atë organizatë, që punën e së cilës i rregullon ky libër. Rregullat e pranuara nga shumica duhet të garantojnë të drejtën e gjithkujt dhe përcaktojnë detyrimin e secilit. Natyrisht, çdokush që gëzon statusin e propozuesit ka të drejtën e patjetërsueshme për propozime dhe iniciativa shkruese të këtyre rregullave. Kuvendi ka tagrin e përcaktimit përfundimtar të këtyre rregullave.

Nga analiza që PD bëri për humbjen në zgjedhje, “Lista Basha” rezulton si një nga arsyet kryesore që sollën humbjen e thellë të PD-së. Në optikën tuaj, a ka një performancë të kënaqshme Grupi Parlamentar i PD-së? 

Gjykimet tona gjithmonë janë subjektive, sidomos kur gjykojmë për tjetrin nga këndvështrimi i identitetit tonë. Unë e kam thënë edhe herë tjetër që mendoj se lista e propozuar qytetarëve për votim mund të kishte qenë edhe më e mirë dhe më përfshirëse. Por ata deputetë që janë zgjedhur meritojnë të respektohen, pasi përtej integritetit të tyre personal mbartin mbi vete edhe vullnetin e deleguar të mijëra qytetarëve. Unë nuk kam njohje me të gjithë ata, por një pjesë të madhe i njoh mirë dhe kam nderimin dhe respektin më të madh për çka përfaqësojnë dhe si e kanë ndërtuar jetën e tyre politike, profesionale dhe familjare. Nuk mund t’u jap unë këshilla se si duhet të bëjnë ata politikë apo kontribuojnë. Mund të them vetëm dy gjëra. E para, ata duhet të mos harrojnë asnjëherë se kanë përballë kundërshtarë politikë që i përkasin shkollës së KGB-së dhe nuk kanë skrupuj. Së dyti, në përballjen politike me ta nuk duhet kurrë të kompleksohen nga mungesa e skrupujve prej tyre, por duhet dhe ata të mos kenë shume skrupuj. Beteja e tyre është për rivendosje dhe mbrojtje të parimeve dhe lirive themelore, për të cilat shumë shqiptarë në të shkuarën iu ka kushtuar edhe jetën.

PD dhe LSI kanë nisur një traditë opozitare për zhvillimin e mbledhjeve të përbashkëta parlamentare, duke paralajmëruar një koalicion të mundshëm mes njëra-tjetrës. Ju besoni se do ta ndihmonte PD-në ky koalicion për të ardhur në pushtet, në një kohë që baza demokrate e kundërshton koalicionin me LSI-në? 

Unë shoh sot për sot veç një front të përbashkët opozitar. Se si do të konfigurohen koalicionet pas zgjedhjeve të ardhshme, kjo në të vërtetë nuk varet shumë te dëshirat e liderëve apo palëve politike. Çdo parti sot dhe në të ardhmen përpiqet të rrisë kapitalin e vet politik. Kështu ndodh sot edhe me këto parti, por edhe partitë e tjera. Secila lufton të rritet vetë politikisht. Në kontekstin e caktuar kanë edhe qasjet e tyre politike. Përderisa sot PD dhe LSI janë në opozitë me qeverinë, do ishte e pakuptimtë që të mos koordinonin aksionin politik opozitar. Natyrisht që janë parti me dallime dhe diferenca. I përkasin spektrit politik të ndryshëm, njëra qendrës së djathtë, tjetra asaj të qendrës së majtë. Kanë dallime për çështje të ndryshme politike, sociale, legjislative etj., por do të ishte gabim nëse do ta lejonin që të konsumonin energjitë e tyre politike jashtë asaj që është përballja kryesore. Beteja me atë që është modeli dhe praktika qeverisëse më skandaloze dhe më dëmprurëse për shqiptarët se kurrë më parë.

Si i keni lexuar akuzat ndaj Partisë Demokratike për financime të fshehta nga Rusia? Besoni se realisht mund të ketë pasur financime të tilla?

Akuzat janë qesharake dhe aq të sforcuara sa nuk arritën as edhe një fije ta devijonin vëmendjen e publikut nga skandalet e mëdha qeveritare dhe problemi i shpërthyer tashmë i kokainës. Lobimet që ka bërë PD në SHBA janë sa 1/100 e atyre që ka bërë dhe bën PS dhe qeveria e saj. Gjithsesi, ato lobime janë të ligjshme dhe për shkak të legjislacionit amerikan dhe mënyrës se si funksionojnë institucionet në SHBA nuk ka asnjë shans që të fshihen apo keqpërdoren. Tani vijmë tek përdorimi i ndikimit të Rusisë në këtë çështje. E vërteta është se ndikimi i Rusisë në Shqipëri dhe politikën shqiptare është krejt minor dhe i papërfillshëm. Kjo për një arsye shumë të thjeshtë. Historikisht, Rusia dhe politika e saj ka qenë antishqiptare dhe kundër interesave tona. Rusia ka nxitur dhe mbështetur gjithmonë copëtimin e trojeve shqiptare në interes të vendeve sllave në rajon. Ajo ka mbështetur krimet e kryera mbi shqiptarët dhe politikat e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve. Këtë nuk kanë ngurruar ta bëjnë hapur, ndaj dhe shqiptarët janë krejt të qartë për këtë. Edhe sot, megjithëse një fuqi e madhe, asaj në Ballkan i ka mbetur veç një ankorë, që është Serbia dhe disa grupime minorancash në disa vende të tjera. Kjo edhe për një arsye të fortë. Të gjitha vendet dhe popujt e Ballkanit janë tërësisht të njehsuar me kulturën dhe modelin perëndimor. Edhe popujt sllavë, të ardhur në rajon gjatë shekujve të fundit, janë adoptuar dhe njehsuar me kulturën dhe dimensionin europian dhe perëndimor në tërësi. Ndaj në Shqipëri penetrimi i influencës së tyre është i pamundur. Ka një grup të vogël nostalgjikësh së kohës së domenit bolshevik që militojnë politikisht dhe nga pikëpamja sociale brenda PS. Këta, Kryeministri i ka veshur me pushtet institucionesh dhe po i përdor në mënyrë groteske si avangardë për të shantazhuar Europën për rrezikun e përdorimit të tyre nga Rusia. Kjo kuptohet që është qesharake, se ata, pavarësisht posteve zyrtare që mbajnë, janë aq të papërfillshëm për fibrën kombëtare të shqiptarëve sa besoj se në Europë qeshin me këta shantazhuesit shqiptar.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU