Ish-kapiteni: Ja çfarë duhet për Partizanin kampion

Ish-mbrojtësi dhe kapiteni i Partizanit, Përparim Daiu, ka dhënë mendimin e tij në lidhje me atë që duhet të bëjë Partizani, që të shpallet kampion në fund të këtij sezoni futbollistik. Kujtojmë se ky trofe mungon në kampin e kuq që nga viti i largët 1992.

“Deri tani, ecuria e ekipit ka qenë e mirë. Kjo, për meritë të trajnerit Skënder Gega, që ka futur dhe injektuar frymën e grupit, grintën, përgjegjësinë dhe vlerën që ka bluza e Partizanit, seriozitetin dhe regullin në rrugën e duhur për të vazhduar drejt titullit kampion. Por, lindin disa pyetje: a janë kapacitetet e duhura në organikën e momentit që ka Partizani për të qenë i sigurt në rrugën e titullit?

A kanë qenë ndeshjet me rivalët direktë një supremaci dhe diktat me loje nga Partizani? Unë mendoj që kanë qenë prezenca të mjaftueshme dhe që na gëzojnë. Për momentin ndodhemi në krye, por që të jem i sinqertë dhe të kem besimin maksimal për t’u shpallur kampion, kam përsëri rezerva. Kjo, për vetë kontigjentin në reparte të veçanta, ku klubi duhet të ndërhyjë urgjentisht në merkaton e janarit. Kështu, atë ëndërr që prej vitesh e kemi, mund ta bëjmë realitet.

Kjo ëndërr e ka emrin “Partizani kampion”. Gjithmonë, citoj mendimin tim personal, nisur nga kjo ëndërr e kjo dëshirë. Sugjerimi im është për të afruar dy mbrojtës cilësorë krahu, që do të ishin një siguri më shumë në aspektin difensiv, por edhe një armë e fuqishme ofensive, në mbështetje të repartit të mesfushës, që është më cilësori (Trashi, Mala, Bardhi, Asani, Telushi etj.) dhe një bomber rrace.

Shpresoj që me profesionalizmin e drejtuesve të realizohen këto blerje, që kjo ëndërr të bëhet realitet për të gjithë dashamirësit, tifozët dhe ish-futbollistët e Partizanit. Shpresoj që në fund të sezonit futbollistik të festojmë të gjithë bashkë titullin kampion”, – sugjeron Daiu, i cili prej disa kohësh nuk është drejtpërdrejt i angazhuar me futbollin, në rol drejtuesi apo trajneri.

/telesport/a.r

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU