Ish-atasheu shqiptar: Si qëndruam dy javë të bllokuar në Pragë

Në vitin 1968 forcat e traktatit të Varshavës ose ndryshe Bashkimi Sovjetik hynë në Pragë dhe bllokuan të gjithë vendin dhe ambasadën shqiptare atje.

Vasil Lato ish-atashe tregtar, përfaqësues i ambasëdës shqiptare në Pragë ka qenë i ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço ku ka rrëfyer eksperiencën e tij. Lato tha se e gjithë ambasada ka qëndruar për 2 javë e bllokuar, ndërkohë që ushatrët dhe tanket e Bashkimit Sovjetik kishin rrethuar ambasadën dhe të gjitha institucionet.

“Ka qenë një moment shumë delikat dhe unë mund t’ua tregoj se si ka ndodhur. Unë kam vajtur në Pragë në datën 15 Gusht të 1968. Lidhjet e Pragës me Gjermaninë dhe perëndimin kishin filluar që atëherë dhe manifestimet bëheshin për t’u shkëputur nga Traktati i Varshavës dhe për t’u lidhur me perëndimin. Por Bashkimi Sovjetik nuk mund ta duronte këtë dhe dërgoi një delegacion shumë të madh me në krye sekretarin e Bashkimit Sovjetik, Breshnev. Biseduan dhe në pamje të parë thanë që po meren vesh. Populli po flinte i qetë se dukej sikur gjithçka do të zgjidhej me bisedime për t’i lënë të lirë të kalojnë në perëndim. Dhe unë pashë televizorin dhe fjeta që në 10 e 30 të mbrëmjes.

Në 12 pa 15 më merr në telefon shoku im i ngushtë që kemi mbaruar bashkë Universitetin e Pragës dhe më tha Bashkimi Sovjetik ka sulmuar Çekoslovakinë. S’është e mundur i thashë. Nuk kam kohë për më gjatë më tha, por është e vërtetë. U mendova të njoftoj apo jo sepse nuk e besoja dhe vetë që ishte e vërtetë. Megjithatë e mora ambasadorin Kujtim Myziri. Ne ishim 7 familje atje. Jashtë ambasadës banonin vetëm 4 familje. Dhe Myziri më tha të takoheshim në ambasadë dhe pasi u takuam na dërgoi të njoftonim edhe miqtë tanë, kinezët. Ata na thanë që nuk dinin gjë, por na dhanë ushqim dhe na thanë se do të na ndihmonin se kishin rezerva ushqimore. Në 5 të mëngjesit mbërritën tanket dhe u vendosën anash ambasadës dhe ishte bërë shtetrrethim, u ndërprenë edhe dritat. Për dy javë nuk dilnim dot nga dera, gjithçka ishte e mbyllur.

Ne i shikonim mbi tanke ato, hanin konserva, pinin votka dhe nuk lëviznin. Vranë disa nga të rinjtë që dilnin me flamurë. Ata duke u afruan na erdhën në oborrin e brendshëm të ambasadës dhe ambasadori na tha që t’iu thonim se kjo ishte tokë e Republikës Socialiste të Shqipërisë. Shkova bashkë me ndihmësin tim që dinte rusisht dhe ai ia thotë këtë. E dimë na thanë ata, por ruajmë të tjerë. Gratë dhe fëmijët i kishim lënë në katin e tretë, zienin oriz dhe gatuanin me ato që na kishin dhënë kinezët, ndërsa ne me ato pak armë që kishim rrinim nëpër dritare dhe kishim marë pozicionet për dy javë. Ambasadori njoftoi qendrën se ushtari sovjetik po rri në derën e brendshme tonën, përgjigja e Mehmet Shehut ishte: Digjni gjithë arkivën sekrete dhe me armët që keni vrisni sa më shumë rusë. Ne kemi marë masa dhe kemi rrethuar të gjitha ambasadat e Bashkimit Sovjetik në vendin tonë dhe nëse ju ndodh gjë ju do t’i hidhnin në erë.

Për fatin tonë të mirë ata nuk hynë brenda, ndenjtën tek dera dhe filluan të largohen. Ne shpërtuan, arkivën e dogjëm. Pasi u qetësua situata takoj shokun tim të ngushtë dhe më tha që rusët kishin bërë një studim për këtë punë dhe perëndimi nuk e kishte nuhatur fare përgatitjen e tyre për pushtim. Ata fillimisht kishin zbritur në aeroport një avion me turistë sipas tyre, por të gjithë ata kishin mbyllur nëpër zyra punonjësit e aeroportit dhe më pas në aeroport kishin zbritur avionë me tanke dhe ushtarë. Ndërkohë që nga kufiri kishin nisur të pushtonin. Unë qëndrova disa vite në Pragë dhe më pas u ktheva në Shqipëri dhe shkëputa të gjitha marrëdhëniet me miqtë që kisha andej”, tregoi Lato.

Tv Klan / b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU