Investigimi / Në Shqipëri ka 1 parti për çdo 24 mijë banorë

Krijimi dhe mbajtja e një partie politike është shumë e thjeshtë në Shqipëri. Mjaftosh të mbledhësh mijëra firma, të krijosh një statut, emrin e kryetarit dhe dokumentet depozitohen në gjykatë. Në ligjin “Për partitë politike” parashikohet vetëm krijimi i partisë, por nuk parashikohet çregjistrimi i tyre.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka dekretuar datën 18 qershor 2017, si ditën e zgjedhjeve parlamentare. Kur na ndajnë edhe pak javë nga këto zgjedhje, partitë politike kanë filluar përgatitjet, dikush për llogaritë e votave dhe të tjerët për t’i penguar. Por sa parti politike janë të regjistruara në Shqipëri? Si futen në koalicione? A janë efektive, apo kujtohen vetëm kur ka zgjedhje?

“Fiks Fare” i dërgoi Gjykatës së Tiranës një kërkesë për listën e partive politike të regjistruara, emrat e kryetarëve dhe selitë. Gjykata ktheu përgjigje, ku thotë se në Shqipëri janë të regjistruara 127 parti politike dhe, duke bërë një llogari të thjeshtë, çdo 24 mijë banorë kanë një parti politike.

Sipas listës, 42 parti kanë të regjistruar si adresë vetëm emrin e qytetit. Ndërkohë, partitë e tjera kanë një adresë selie, por shumica e tyre nuk gjenden. Në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2015 morën pjesë 61 parti politike.

Kushti për partitë e vogla për të marrë pjesë në zgjedhje është dorëzimi në KQZ i një liste me 5.000 firma. Por partitë e vogla, që u bënë pjesë e koalicioneve, përjashtohen nga ky kusht. /b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU