Investigimi / E vërteta e kalimit në Shqipëri të 1400 kontejnerëve me mbetje kimike

Nga Carlo Bollino

(Në bashkëpunim me Mirilda Tili, Genc Kondi dhe Lorenc Rabeta)

Skandali i dyshuar i 1.400 konteinerëve me mbetje nga Italia, nisur nga Gioia Tauro dhe shkarkuar në Durrës (rrugës drejt pikës së grumbullimit të mbeturinave Drisla në Maqedoni) dhe të zhdukur në mënyrë të mistershme në territorin shqiptar, po del ditë pas dite në pah si një lajm i rremë (fake news) i prodhuar në Itali dhe i ricikluar në Shqipëri pa asnjë verifikim.Një lajm i mirë ky për qytetarët shqiptarë dhe për mjedisin, por edhe një faqe tjetër e turpshme për politikën dhe gazetarinë shqiptare, që ka kopjuar më të keqen nga gazetaria italiane.Shqiptarja.com ka bërë një investigim në Itali, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe pranë organizmave të tjera shtetërore italiane dhe shqiptare, për të verifikuar nëse është e vërtetë që nga portet italiane janë nisur apo jo konteinerë me plehra të drejtuar për në Shqipëri dhe të destinuar për në Maqedoni nga shoqëria italiane FCL Ambiente.Verifikimi të domosdoshme për të kuptuar nëse është i vërtetë lajmi i krijuar nga portali Pianeta Italia News, prej të cilit në Shqipëri plasi kaosi dhe alarmi. Fjala është për një portal të hapur vetëm tre muaj më parë, të drejtuar nga Maria Palma, gruaja e ish-senatorit të së Djathtës italiane Sergio de Gregorio, ish-gazetar i hetuar për pjesëmarrje në grup mafioz dhe korrupsion, i arrestuar edhe për mashtrim duke fituar 23 milionë euro dhënë si kontribute ndaj gazetës së tij mbi të cilat nuk kishte të drejta.

I gjithë shtypi italian në të vërtetë e ka injoruar dhe vazhdon ta injorojë këtë lajm, pikërisht nisur nga besueshmëria e paktë e burimit, me përjashtim të gazetës ‘’Roma’’, një e përditshme e vogël e Napolit e lidhur me Sergio de Gregorion (edhe ky napoletan) që ka ribotuar artikujt duke i kopjuar nga Pianeta Italia, pra pa kryer asnjë verifikim të mëtejshëm. Pikërisht siç kanë bërë shumë media shqiptare.

sergio de gregorion
( “PRONARI” I PORTALIT – Ish-Senatori i së djathtës italiane, Sergio de Gregorio burri i drejtoreshës së portalit “PianetaItaliaNews” i cili nxori lajmin fals )

Po atëhere, a janë të vërteta lajmet e botuara nga portali italian? Një pyetje e thjeshtë, por që asnjë gazetar serioz shqiptar deri tani nuk e ka shtruar. Pavarësisht nga kjo mungesë absolute e verifikimeve, lajmi u riprodhua nga gati të gjitha mediat e afërta me Partinë Demokratike dhe nga vetë liderët politikë të partisë (Lulzim Basha dhe Sali Berisha), që kanë vijuar të përdorin si provë të akuzave të tyre mbi 1.400 konteinerët me plehra italiane të fshehura në Shqipëri, ekskluzivisht artikujt e dy mediave të vogla italiane, të cilat, nga ana e tyre, riprodhonin si prova të “scoop”-it të tyre faktin se edhe në Shqipëri po flitej për këtë çështje. Të habitur se si një “fake news” mund të ndiqej kaq shumë.

Një qark i shkurtër i vërtetë politiko-informativ, i cili bëri një lajm të rremë, të sajuar në tavolinë, të dukej si një histori dramatike e vërtetë dhe e verifikuar, duke ngjallur alarm dhe panik tek popullata dhe duke mobilizuar anbjentalistët, që ishin edhe më parë të gatshëm për të organizuar protesta.

( “PROVA” E PORTALIT – Vendimi i agjensisë italiane i përdorur si provë për të vërtetuar lajmin mbi konteinerët. Në fakt dokumenti përgenjeshtron pretendimet e portalit )

*   *   *  *
Por, para se të kalojmë tek verifikimet e bëra nga Shqiptarja.com, është e domosdoshme të risjellim në vëmendje akuzat e hedhura nga portali Italian Pianeta Italia News.

Sipas këtij portali, shoqëria e Frosinones FCL Ambiente në vitin 2016 duhet të ketë nënshkruar me shumë bashki italiane një kontratë për të dërguar mbeturinat urbane drejt impiantit të perpunimi të mbeturinave Drisla, në Maqedoni, të cilin e zotëron.

Impianti deri në vitin 2013 ishte në pronësi të shtetit maqedonas, më pas shoqëria italiane FCL Ambiente me seli në Frosinone (afer Romës) e privatizoi, duke i lënë bashkisë së Shkupit 20 për qind të pronësisë.

Pra, sipas portalit italian, bashki të ndryshme italiane i paskeshin dhënë mbeturinat FCL Ambiente-s, duke ditur se destinacioni i tyre ishte Maqedonia. Të eksportosh plehrat nga Italia në vend jashtë Bashkimit Evropian është një procedurë tmerrësisht komplekse.

Direktiva evropiane CE 1013/2006 kërkon, bashkë me shumë kushte të tjera, një autorizim nga tre shtete: Italia (vendi i nisjes), Shqipëria (vendi tranzit) dhe Maqedonia (vendi i destinacionit përfundimtar). Kështu, të tri qeveritë duhet të informohen për gjithshka dhe duhet të autorizojnë operacionin.

Përpos kësaj, Bashkimi Europian ndalon kategorikisht eksportimin e mbetjeve të rrezikshme dhe mbetjeve urbane siç mblidhen ne qytet, por lejon (pas shumë autorizimeve) vetëm eksportimin e të ashtuquajturës “pjesë e thatë” (kodi 19) e arritur gjatë përpunimit të mbeturinave dhe e destinuar për prodhim të energjisë elektrike.

Pra, asnjë mbetje toksike apo, akoma më keq, radioaktive, siç u fol në mediat shqiptare dhe nga opozita, por mbetje speciale, të cilat edhe pse shumë më pak të rrezikshme kërkojnë gjithësesi autorizimin (në këtë rast) të tre shteteve.

AKUZAT E PORTALITFaksimile e titujve tëportalit
( AKUZAT E PORTALIT – Faksimile e titujve të portalit “PianetaItaliaNews” për lajmin mbi konteinierët që shpesh kanë përdorur si burim mediat shqiptare )

Por, pa verifikuar nëse të paktën njëra prej tri qeverive e kishte autorizuar ndonjëherë eksportin, portali italian shkruajti se operacioni i eksportimit të plehrave u zhvillua normalisht. Ja çfarë shkruan Pianeta Italia News: “Dokumentat që zotërojmë dëshmojnë se në vitin 2016 të paktën 1.300 konteinerë nga 22 ton secili dhe zyrtarisht të destinuar për në pikën e grumbullimit të Drislës, në Maqedoni, nuk e kanë kaluar kufirin maqedonas. Të shkarkuar në portin e Durrësit, në Shqipëri, nga anije tregtare të shoqërive të mëdha spedicionere dhe të ngarkuar në Kalabri, në Gioia Tauro, ata duhej të përpunoheshin në Shkup, Maqedoni – pikërisht – në impiantin më të madh të Evropës, administrimi i të cilit sot i është besuar një kompanie italiane”. Portali, që citon “dokumenta që zotërojmë”, nuk publikon asnjë dokument.

Më pas, portali shton: “’Në vitin 2016 kompanitë e lundrimit ndërkombëtar kanë transportuar 24.816 konteinerë të ardhur nga e gjithë bota dhe tranzit nga porti italian i Gioia Tauros’, lexohet në raportet zyrtare të vitit të kaluar. ‘2.604 ishin drejtuar për në Maqedoni…’

Por, në pikën e kufirit në Qafë Thanë, dogana që ndan Shqipërinë dhe Maqedoninë, ata konteinerë me nga 22 ton secili plot me mbeturina nuk i kanë parë, madje kanë kaluar vetëm 1.140. Lista e tranziteve – që e zotërojmë – flet qartë për këtë”.

Pianeta Italia News bën në mënyrë të qëllimshme shumë rrëmujë në të dhënat e përgjithshme të trafikut të konteinerëve në Gioia Tauro (që nuk kanë të bëjnë fare me plehrat) dhe lajmit të rremë mbi plehrat. Duke përzier numrat për të ngatërruar lexuesin, portali konkludon se 1.464 konteinerë me plehra nga 22 ton secili janë fshehur në Shqipëri “ndoshta në bunkerët e ish-diktatorit komunist Enver Hoxha”.

Në total, fjala do të ishte për 32.000 ton plehra të zhdukura. Duhet marrë parasysh se secili konteiner me kapacitet 22 ton, sipas standardeve ndërkombëtare, është 6 metra i gjatë, 2.5 metra i lartë dhe më shumë se 2 metra i gjerë: po të vendoseshin njeri pas tjetrit, këta konteinerë do të kërkonin tunele gati 9 kilometra të gjatë për t’u fshehur.

A ekzistojnë në Shqipëri të tillë tunele, kaq të mëdhenj, ku mund të arrijnë lehtësisht maunet TIR të ngarkuara me konteinerë? Jo. Duke llogaritur edhe se trailerët mund të transportojnë jo më shumë se dy konteinerë në një rrugë, i gjithë operacioni i tranzitit nëpër Shqipëri të 2.604 konteinerëve me plehra do të kërkonte përdorimin e më shumë se 1.300 kamionëve. A ka mundësi që asnjë qytetar dhe asnjë ambjentalist të mos ketë konstatuar asnjëherë asgjë?

Dhe si është e mundur që as SHISH-i (i cili fatmirësisht nuk ka lidhje politike me këtë qeveri) të mos ketë marrë vesh asgjë? Pra, para sa të vërtetohet me dokumenta, një lajm duhet të respektojë të paktën logjikën: ndërkohë që ky lajm duket që nga fillimi totalisht pa logjikë.

Portali italian flet pastaj për “listë që e zotërojmë” dhe për “raporte që flasin qartë”, por cuditerisht nuk publikon asnjë listë dhe asnjë raport: të dhënat mbi lëvizjet e konteinerëve drejt Shqipërisë mbeten kështu pa asnjë prova dhe pa asnje dokumenta.

Dokumenti i vetëm që portali italian sjell si “provë” është një vendim i Agjencisë Territoriale ATO që grumbullon gjithë komunat kryesore të Provincës së Barit, i shkurtit 2016, në të cilin flitet për propozimin që ka bërë firma ‘’FCL Ambiente’’ për t’i dhënë mbeturinat e Provincës së Barit asaj kompanie me një çmim më të mirë se ai që u paguhet impianteve të tjerë.

dokumenti

“Prova” e portalit/ Vendimi i agjencise italiane i perdorur si prove per te vertetuar lajmin mbi kontenieret. Ne fakt dokumenti pergenjeshtron pretendimet e portalit.

Po ta lexosh me hollësi (vendimi është në italisht), del shumë qartë se në dokument nuk autorizohet nënshkrimi i kontratës, por autorizohen vetëm verifikime dhe sqarime të mëtejshme, për t’u vërtetuar që FCL Ambiente të respektojë të gjitha normat e parashikuara në fushën e eksportimit të mbëturinave.

Edhe pse më i favorshëm nga pikëpamja ekonomike, në fakt, Agjencia italiane nuk ka ndërmend të kalojë asnjë kontratë që mund të sjellë shkelje ligjore, aq më tepër që autorizimi për eksportimin e plehrave, siç e pamë më sipër, nuk varet vetëm nga një autoritet, por nga vendimi që marrin tre shtete. Kështu që dokumenti i botuar nuk konfirmon lajmin e portalit italian.

Përkundrazi, pse një pjesë e tij, madje, e përgënjeshtron: dokumenti në fakt flet qartësisht për propozimin e FCL Ambiente të ‘’eksportojë mbeturina nga porti i Barit’’ dhe jo nga ai i Gioia Tauros, që ndodhet në Kalabri, 300 km larg nga qyteti puljez. Madje, pikërisht është afërsia e portit të Barit ajo që e bën të leverdisshëm operacionin. Ndërkohë, “raporti” i cituar në portal flet për portin e Gioia Tauros si vend për nisjen e konteinerëve.

Deri këtu pra nuk ekziston në artikujt e publikuar nga portali Pianeta Italia Neës asnjë provë dhe asnjë dokument që të konfirmojë ekzistencën e këtij transferimi mbeturinash nga Italia drejt Maqedonisë përmes Shqipërisë.

Megjithatë, portali, edhe pse nuk ofron asnjë provë, citohet si burim provash nga disa media shqiptare, që e politizojnë historinë për ta përdorur me qëllim propagandistik. Nuk ka dyshim se, po të ishte historia e vërtetë, do të ishte një ngjarje shumë e rëndë, pasi do të kërcënonte shëndetin e popullatës shqiptare. Për këtë arsye, Shqiptarja.com vendosi të investigojë mbi këtë histori, për t’u siguruar nëse është e vërtetë, apo kemi të bëjmë me një “fake news”.

*   *   *  *
Investigimi këtë herë është pak a shumë i thjeshtë pasi, sipas vetë portalit italian, nuk bëhet fjalë për një trafik klandestin mbeturinash (i vështirë, në mos i pamundur për t’u verifikuar), por për një tregti të ligjshme, të kryer përmes doganave, madje mbi bazën e vendimeve të firmosura nga ente shtetërore italiane dhe me garancinë e tre shteteve. Kështu që duhet të sqarohen vetëm disa pika:

1 – A ka eksportuar shoqëria FCL Ambiente mbeturina nga Italia drejt Maqedonisë përmes Shqipërisë?

2 – A janë nisur nga portet e Gioia Tauros apo Barit konteinerë me mbeturina të FCL Ambiente drejt Maqedonisë apo Shqipërisë?

3 – Ka nënshkruar me të vërtetë Agjencia Territoriale ATO e Barit një kontratë për dhënien e mbeturinave të veta destinuar për impiantin e grumbullimit në Maqedoni?

4 – A i ka importuar impianti i grumbullimit Drisla në Maqedoni ato 1.140 konteinerë, të cilët, sipas portalit italian, ishin lënë të hynin zyrtarisht nga ana e autoriteteve maqedonase para se të mbyllnin kufirin, duke bllokuar në Shqipëri 1.469 konteinerë të tjerë, që më pas u zhdukën?
Pyetje të thjeshta, që kërkojnë përgjigje të thjeshta. Përgjigje, që ndoshta i ka marrë tashmë edhe Prokuroria e Durrësit, e cila, mbi bazën e artikujve të shtypit, ka nisur një hetim mbi këtë çështje.

Ja çfarë ka zbuluar Shqiptarja.com.
ASNJË KONTEINER ME PLEHRA NUK ËSHTË NISUR NGA ITALIA DREJT SHQIPËRISË APO MAQEDONISË

Të gjitha doganat italiane janë të lidhura me një rrjet të vetëm informatik ndërkombëtar, që përfshin edhe Shqipërinë e Maqedoninë, për të verifikuar mallrat që kalojnë tranzit: kjo do të thotë se çdo mall që kalon nga çfarëdo pike doganore italiane regjistrohet në këtë terminal. Një burim i Shqiptarja.com në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave në Romë verifikoi se “FLC Ambiente e Frosinones” nuk ka eksportuar kurrë mbeturina drejt ndonjë shteti të huaj (pra jo vetëm drejt Shqipërisë apo Maqedonisë).

Në vitin 2013 nga dogana e Brescias FLC ka eksportuar vetëm një ngarkesë drejt Maqedonisë me një impiant për përpunimin e plehrave. Në vitin 2014, një ngarkesë e dytë me vegla pune u eksportua nga dogana e Gorizias. Pas 2014-ës dhe deri më sot asnjë konteiner tjetër nuk është eksportuar nga FLC Ambiente drejt ndonjë vendi tjetër, me asnjë lloj malli. Por nuk mjafton kaq. Asnjëherë asnjë ngarkesë e FCL Ambiente nuk ka kaluar nga doganat e Barit apo Gioia Tauros në drejtim të Shqipërisë apo Maqedonisë, as me mbeturina dhe as me ndonjë mall tjetër.

Do të mjaftonin edhe këto të dhëna për të treguar se lajmi i shpërndarë nga portali Pianeta Italia News, që më pas u mor pa verifikim nga shumë portale shqiptare, është një “fake news”. Por Shqiptarja.com vendosi të bëjë verifikime të mëtejshme për t’u dhënë përgjigje të gjitha dyshimeve.

NGA BARI NUK I ËSHTË DHËNË ASNJË MBETURINË SHOQËRISË FCL AMBIENTE
Agjencia ATO e Barit, e kontaktuar nga Shqiptarja.com, përgënjeshtron lajmin që ka nënshkruar një kontrate me FCL Ambiente për dhënien e mbeturinave për t’i nisur pastaj drejt Shqipërisë. “Është e vërtetë që kemi marrë një propozim tregtar dhe, pas kësaj, hetuam tregun – konfirmon avokati Gianfranco Grandagliano, komisar i Rajonit Puglia për administrimin e mbeturinave, që kontrollon edhe ATO-n e Barit – kostoja e largimit të mbeturinave është në rritje të vazhdueshme dhe jemi të interesuar për zgjidhje që të na japin mundësinë e kursimit, duke respektuar normat në fuqi. Hetimi ynë nuk është përfunduar ende, kështu që asnjëherë as edhe një gram i vetëm nga mbeturinat tona nuk është nisur jashtë Italisë”.

Guandagliano nënvizon dy elementë të rëndësishëm: “Para se çdo mbeturinë të mund të lëvizë nga Italia drejt Maqedonisë, duhet që qeveria maqedonase dhe qeveria shqiptare t’i japë autorizimin qeverisë italiane dhe ky autorizim nuk është kërkuar kurrë dhe kështu që nuk është dhënë kurrë”. Sipas Grandigliano asnjë mbeturinë nga Italia, jo vetëm nga Pulja, por as nga komunat e tjera të Italisë, nuk është çuar përtej Bashkimit Evropian. “Procedura e autorizimit për eksportimin jashtë BE-së është e gjatë dhe shumë e ndërlikuar – pohon ai – ne jemi ende në fazën e studimit dhe nuk parashikoj dot se pas sa muajsh apo vitesh ndoshta mund të përfundojë, as në se do të miratohet apo jo.

Shtoj se, në çdo rast, Bashkimi Evropian lejon eksportimin e vetëm pjesës së ngurtë të mbeturinave drejt impianteve të përpunimit, siç duhet të jetë ai i Drislas, kështu që në asnjë rast nuk mund të eksportohen plehra që hidhen në vende grumbullimi apo mbetje toksike”. Grandagliano konfirmon pastaj të dhënat e doganave që ka marrë Shqiptarja.com: Nga porti i Barit deri më sot nuk ka dalë asnjë kilogram mbeturina destinuar për eksport jashtë Bashkimit Evropian. Madje, sipas informacioneve që ai ka, aktualisht asnjë rajon i Italisë nuk ka eksportuar mbeturina jashtë Bashkimit Evropian.

Këto informacione të komisarit të Rajonit Puglia mbi mbeturinat bëjnë që të rrëzohet edhe i vetmi dokument i ofruar si “provë” nga portali italian. Por verifikimi i Shqiptarja.com ka shkuar edhe më tej.
komisioneriGianfranco Grandagliano, komisar i Rajonit Puglia për administrimin e mbeturinave​.

PIKA E GRUMBULLIMIT NË DRISLA NUK KA IMPORTUAR KURRË PLEHRA NGA JASHTË    
Edhe shoqëria që zotëron pikën e grumbullimit në Drisla Maqedoni, kontaktuar nga Shqiptarja.com, përgënjeshtron informacionet e portalit Pianeta Italia News. Në mënyrë të veçantë, mohoi të ketë importuar ndonjëherë ato 1.100 konteinerë me mbeturina, të cilat, sipas portalit italian, kishin kaluar nga Qafë Thana kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë para se autoritetet maqedonase të vendosnin të bllokonin tranzitin. Dijana Veljanoska, shefja e kabinetit të drejtorit ekzekutiv, në përgjigjen dërguar Shqiptarja.com, thekson se, prej vitit 1994, kur Drisla është hapur, nuk ka importuar në asnjë rast mbetje nga jashtë.

“Ne nuk kemi asnjë lloj informacioni për asnjë lloj mbetjeje nga Italia apo nga ndonje vend tjetër. Qysh nga viti 1994, kur Drisla është hapur, nuk ka marrë asnjë kilogram të vetëm mbetje importi. Landfilli i Drislës trajton ekskluzivisht mbetje vetëm nga territori i Shkupit dhe një pjesë tjetër të vogël nga qytete të tjera të Maqedonisë” tha Dijana Veljanoska.

Përgënjeshtrimi nga Drisla bën të rrëzohet edhe një shtyllë tjetër e “scoop”-it të portalit italian, i cili bazohej mbi supozimin se 1.140 konteinerë me mbeturina nisur nga Italia paskeshin kaluar në mënyrë të rregullt kufirin në Qafë Thanë, ndërkohë që 1.469 të tjerë paskan mbetur të bllokuar në territorin shqiptar. Tani shoqëria maqedonase pohon se nuk ka importuar asnjëherë as edhe një konteiner.

E-MAILPërgjigje nga firma maqedonase: Nga1994 deri më sot nuk kemi importuarasnjëherë mbetje nga jashtë vendit
( E-MAIL – Përgjigje nga firma maqedonase: Nga 1994 deri më sot nuk kemi importuar asnjëherë mbetje nga jashtë vendit )

PER ÇDO MALL NE TRANZIT SISTEMI I DOGANAVE SHQIPTARE ESHTE I LIDHUR DHE KONTROLLOHET NGA SISTEMI I DOGANAVE ITALIANE
Edhe doganat shqiptare (të cilat konfirmojnë informacionet nga doganat italiane) mohojnë që të kenë humbur ndonjëherë në Shqipëri konteinerë të nisur drejt Maqedonisë: në një intervistë të hollësishme për Shqiptarja.com, Drejtori i Procedurave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Alban Dalani, shpjegonë se si funksionojnë kontrollet shumë të imta ndërkombëtare mbi çdo konteiner që kalon tranzit nëpër Shqipëri drejt një vendi tjetër. ‘’Është një proces i kombinuar që nga vendi i origjinës ku mallrat janë eksportuar nga territori i BE dhe nga autoritetet doganore italiane, të cilat krahas

dokumentacionit standard për kryerjen e formaliteve të eksportit, mjeti lundrues i cili transporton mallrat me mjete kontenierike nga BE, shoqërohet me manifestin e nisjes së lëshuar nga autoritetet doganore. Është e pamundur të manipulohet sepse konfirmon kryerjen e formaliteteve doganore në vendin eksportues të mallrave dhe të gjitha mallrat që janë pjesë e bordit, janë të listuara në përputhje me manifestin e ngarkesës”, u shpreh Dalani.

‘’Pas hyrjes në doganën shqiptare, mjetit transit i lihet një afat kohor për t’u paraqitur në pikën dalëse. Çdo vonesë në pikën dalëse vë automatikisht në alarm sistemin doganor shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Mosparaqitja reflekton mosmbylljen e tranzitit, që do të thotë prekje e garancisë e Agjencisë Doganore e cila ka garantuar mallin në këtë regjim tranziti. Nuk ka tranzite ta pambyllura të lejuara në territorin e Shqipërisë dhe të dala me destinacion territorin doganor” tregon Dalani.

‘’Operojnë shumë struktura ligjzbatuese italiane dhe shqiptare, nga autoriteti doganor ai kufitar, sanitar, autoriteti portual dhe autoritete të tjera që lidhen me lëvizjen e mallrave në Republikën e Shqipërisë”, thotë Dalani.

Sipas Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në vitin 2016 kanë kaluar nëpërmjet territorit shqiptar 1120 ngarkesa me mallra kryesisht ushqimore në drejtim të Maqedonisë dhe për asnjë prej tyre nuk janë regjistruar devijime apo vonesa në procedura tranziti.

alban dalani
( Alban Dalani, Drejtor i Proçedurave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave )

AS MINISTRIA E MJEDISIT, AS PROKURORIA ANTIMAFIA ITALIANE, NUK DINE GJE PER KETE HISTORI
Edhe ministria shqiptare e Mjedisit mohon të ketë dhënë ndonjëherë autorizim për tranzitin e mbeturinave italiane drejt Maqedonisë, që duhej të ishte kërkuar nga ana e autoriteteve italiane sipas Direktivës evropiane CE 1013/2006 ndërkohë që burime nga Prokuroria italiane antimafia mohojnë ekzistencën e çdolloj hetimi mbi këtë çështje.

Një anëtar italian i delegacionit të Prokurorisë kombëtare antimafia, i pranishëm në takimin mes prokurorit italian Franco Roberti dhe prokurorit të përgjithshëm shqiptar Adriatik Llalla në Tiranë, tregoi për Shqiptarja.com se cilat ishin temat e atij takimi: “U fol kryesisht për trafikun e kanabisit dhe absolutisht nuk është folur për ndonjë problem me mbeturinat”.

Sipas portalit Pianeta Italia News, në të kundërt, hetimi mbi mbeturinat kishte qenë pikërisht në qendër të takimit të zhvilluar në Tiranë. Prokuroria e Durrësit vendosi të hetojë mbi problemin e konteinerëve, por vetëm pas publikimit të artikujve në shtypin shqiptar. Që citonin artikujt e dy mediave italiane, të cilat, nga ana e tyre, citonin artikuj të shtypit shqiptar, që kopjonin artikujt e dy mediave italiane.

Duke bërë një përmbledhje:
shoqëria FCL Ambiente ne viti 2016 nuk ka eksportuar jashtë Italisë asnjë konteiner me mbeturina dhe as me mallra të tjerë, me përjashtim të dy ngarkesa të vetëm në vitin 2013 dhe 2014 me material teknik;

nga portet e Barit dhe të Gioia Tauros nuk janë nisur asnjëherë konteinerë të shoqërisë FCL Ambiente drejt Shqipërisë ose Maqedonisë as drejt ndonjë vendi tjetër;
asnjë mbeturinë e Barit nuk i është dhënë ndonjëherë FCL Ambiente-s;
pika maqedonase e grumbullimit Drisla ne pronesi te FCL Ambiente nuk ka importuar kurrë mbeturina nga jashtë;

Sistemi i doganave shqiptare është i lidhur me atë italian dhe është e pamundur që edhe vetëm një konteiner në tranzit të humbë në rrugë e sipër pa lëshuar alarmin në dy vendet;

Asnjë vend i Bashkimit Europian nuk është autorizuar të eksportojë drejt Shqipërisë apo Maqedonise asnjë mbetje toksike apo radioaktive
Ministria shqiptare e Mjedisit nuk ka lëshuar asnjë autorizim për tranzit të konteinerëve dhe autoritetet italiane nuk e kanë kërkuar;
nuk rezulton që Prokurori i Përgjithshëm italian i Antimafias gjatë vizitës së tij në Tiranë të ketë folur për këtë cështje.
Kjo është historia e përsosur se si lind dhe si demaskohet një “fake news”.
– See more at: http://shqiptarja.com/home/1/fake-news–lajmi-i-1400-konteiner-ve-me-mbetje-fals-407646.html#sthash.jIxVPmMM.dpuf

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU