Inventari i bujqësisë dhe prespektiva e tokës në Shqipëri

Sipërfaqja e përgjithshme e tokës në Shqipëri është 2,875,000 ha, nga të cilat 699,000 ha ose 24% janë tokë bujqësore (duke përjashtuar kullotat), 36% pyje, 16% kullota të përhershme dhe 24% të tjera.

Rreth 43.3% e tokës bujqësore ndodhet në zonat fushore, 34% në zonë kodrinore, 22.7% në rajonet malore. Të dhënat janë azhurnuar nga Koperacioni Gjerman, nëpërmjet GIZ dhe u takojnë zhvillimeve në bujqësi deri në fund të 2017-s.

Vlerësimet kanë gjetur se vetëm 50% e tokës bujqësore përdoret si tokë e punueshme ose 603,000 ha, nga të cilat 413,000 ha janë zona të mbjella dhe pjesa tjetër, përgjithësisht është e lirë.

Toka bujqësore e vendosur mbi 300 metra mbi nivelin e detit është shumë e copëzuar, me mungesë aksesi në ujitje dhe është nën kërcënimin e përhershëm të erozionit. Sa u përket kushteve gjeografike të prodhimit bujqësor, Shqipëria ndahet në tri zona agroekologjike, të bazuara në kushtet e tokës dhe klimës, si dhe aksesin në shërbimet bujqësore dhe në infrastrukturë.

Sipërfaqja e tokës e pozicionuar në Ultësirën Perëndimore, 0-200 metra mbi nivelin e detit, është përshtatshme për kultivimin e grurit, perimeve në fushë dhe në serë, fasule, misër, bimët e foragjereve, agrume, fiq, pemë ulliri dhe rrush etj.

Sa i përket sipërfaqes së tokës bujqësore për çdo banor, Shqipëria renditet si e fundit në rajon (rreth 2,200 m² / banor). Ekonomia bujqësore në Shqipëri, përbëhet nga rreth 4.8 persona. Gjatë 20 viteve të fundit, pesha specifike e bujqësisë në strukturën e PBB-së ka rënë nga 45% deri në 20.4% në vitin 2017. Megjithatë, duhet theksuar se rënia në terma globalë nuk është karakteristikë e ritmeve të zhvillimit të prodhimit bujqësor në vetvete.

Pra, rritja mesatare vjetore e bujqësisë gjatë dhjetë viteve të fundit vlerësohet të jetë midis 3,5-4,0%. Rritja e sektorit bujqësor është nën mesataren kombëtare. Transformimi i sistemit ekonomik në fillim të viteve ’90 dhe gjithsej privatizimi i tokës bujqësore rezultoi në fragmentimin e ekonomisë bujqësore.

Madhësia e fermave është jashtëzakonisht e vogël, me rreth 1-1.5 hektarë tokë bujqësore duke dominuar mbi 90% të fermave. Megjithatë, gjatë viteve të fundit numri i fermave të mesme është rritur, në veçanti në zonën bregdetare.

Investimet kanë qenë të mëdha për ngritjen e fermave të mëdha për prodhimin e qumështit, mishit të derrit, vezët dhe mishit të shpezëve që vijojnë të jenë në rritje.

Rreth 90% e fermave plotësojnë nevojat e tyre të punës nga familja e tyre, teksa 10% e fermave punësojnë të tjerë.

Fermat janë burim i madh punësimi për banorët në zonat rurale. 73% e forcës së punës në këto fusha është e punësuar në bujqësi, 6% në aktivitetet agro-industriale dhe 3% në vende të tjera pune.

Megjithatë anketat kanë gjetur se mosha nga 16-30 vjeç që jeton në fshat ka gjithnjë e më pak lidhje me punën në bujqësi. Të dhënat statistikore nga viti 2016 tregojnë se rreth 59% e fermerëve kanë marrë arsimin dhe vetëm rreth 33% mbaruan shkollën e mesme. Nga këta, vetëm rreth 38% kanë arsim profesional që ka lidhje me bujqësinë.

Në strukturën e prodhimit bujqësor, 55% e prodhimeve dominohen nga prodhimet e fushës dhe pemët dhe 45% nga blegtoria.

Drithërat (sidomos gruri), perimet, patatet dhe fasulet përbëjnë 37% të prodhimit.

Produktet bujqësore shqiptare janë të destinuara për tregun e brendshëm. Eksportet janë të kufizuara dhe vetëm një numër i vogël i produkteve si perime, fruta, vezë etj., eksportohen. Prodhimi vendas nuk i plotëson nevojat ushqimore të popullsisë që jeton në vendin tonë. Edhe kur produktet vendase janë të mjaftueshme, i njëjti produkt i importuar shpesh gjendet në treg.

Në përgjigje të globalizimit, prodhimi bujqësor ka tendenca drejt bujqësisë tradicionale, kryesisht bimëve autoktone dhe burimeve autoktone gjenetike.(monitor)

 

/a.meta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU