INTERVISTA/ Aleksandër Çipa: Dritan Demiraj, si Belul Çelo…

e cila duket se po instalohej si një “ikonostas” në sfondin e strukturës institucionale në vend, falë edhe një përjashtimi që po kthehej në rregull pra një forcë që diktonte pushtetin në çdo mazhorancë që është LSI-ja.

Por për Çipën, pas marrëveshjes Rama-Basha do të ketë një fortunë në kastën politike, e cila do të marrë trajtën e një Kimere si në mitologjinë greke…

Cipa, marrëveshja Rama- Basha është një pakt politik apo një marrëveshje që sjell realisht siç thuhet, destinacionin në BE?

Është një pakt politik, por mes dy antagonistëve të përhershëm.

Kundërshtarët e përhershëm janë të dënuar të kenë vetëm marrëveshje të përkohshme, sepse antagonizmi është më i fortë se natyra e çdo lloj marrëveshjeje, aq më tepër në politikë, e cila ka natyrën e plastelinës. Figura më e përkryer e plastelinës është e përkohshme.

Ndërkohë po diskutohen ministrat e dekretuar teknikë, që një pjesë prej tyre foton e vetme në publik e kanë në podiumin  e selisë blu.  Pra, siç thoshte Ylli Manjani, kemi të bëjmë me një qeveri politikenike. A rrezikojnë këta ministra që ta kthejnë kabinetin në një plastelinë siç thoni ju?

Po e nis përjgigjen nga fundi. Po kjo është një qeveri plastelinë, e tre partive, nuk është as teknike e as koalicioni!

Është një sajesë për tranzicion eletoral. Të dy partitë antagoniste PS-PD, sot nuk kanë nevojë për të tretën e cila po gjendet politikisht në këto zgjedhje deri në shtator ndoshta në rolin e opozitares në pushtet.

Formula e funksionimit të kësaj trinie politike në qeverisje nuk garanton ekzistencë të mëtejshme, por as funksionalitet.

Vlefshmëri e saj mbetet vetëm në atë që u tha prej kryeministrit Rama.

Kjo është qeveria që ka hequr mundësitë e ankesave dhe denoncimeve të manipulimeve apo mosnjohjes së procesit zgjedhor pas 25 qershorit, por kjo është një qeveri që ka shumështuar praktikisht ndikimin e politikanit të vjetër Sali Berisha në ekzekutivin e tranzicionit elektoral.

Ju thoni siç në fakt edhe po diskutohet se një pjesë ose të 6 ministrat “teknikë” janë “instrument” të ofiçinës Berisha. Duke pasur parasysh precedentin e 1997-s në qeverinë “Fino”, sa mund të pengojnë apo trondisin situatën në vend, një veprim le ta themi përplaseës brenda qeverisë.

Së pari e refuzoj vlefshmërinë e termit “ministra teknikë”. Këta janë ministra për paritet zgjedhor, ky është qëllim i pranuar nga dy aktmarrëveshësit Rama-Basha.

Ata nuk janë si të ngjashmit e tyre në qeverinë e Pajtimit Kombëtar “Fino”, sepse Rama nuk ka ngjashmëri me Bashkim Finon, ndonëse tek Demiraj mund të gjenden ngjashmëri me Belul Çelon.

Së dyti, janë dy Shqipëri të pakrahasueshme. Shqipëria e sotme është Shqipëri normale, rrethanat e tre muajve të fundit kanë qenë jashtë këtij normaliteti.

Jemi para një të panjohure politike paszgjedhore. Nëse do të ketë një mazhorancë të qartë në Kuvend, gjërat dihen, por nëse nuk do të kemi një parti që merr 71 deputetë, sipas jush ç’prashikohet në horoskopin politik?

Ajo që po ndodh në marrëdhëniet mes pozitës dhe opozitës është e vlefshme për Shqipërinë institucionale.

Ndonëse politikisht kompromenton edhe Edi Ramën si kryetar i PS-së, por edhe Lulzim Bashën si kryetar i PD-së.

Sepse i pari, duket se e humbi besueshmërinë për një Rilindje brenda mandatit 4 vjeçar dhe i dyti e konvertoi projektin e “Republikës së Re”, në një reminishencë me “Rilindjen”.

Mirëpo i pari, domethënë Rama. ka arritur një provë themelore; mishërimin e luajalitetit, dhe ky është kapërcimi pindarik i tij. Do ta përdorë këtë si faktin e mosripërsëritjes së historisë së konfliktualitetit politik.

Ai mishëron tashmë politikanin në mandatin qeverisës të të cilit gjakimi është i largët saa një planet me planetin tjetër.

Këtë duhet t’ja njohim. Dhe nga ana tjetër mendoj se nëse njëri nga dy liderët politikë nuk arrin objektivin për 71 mandate, atëherë vendi do të mbetet në statusquo-në e lojrave që do të bëjë ndoshta king-makeri i vjetër.

Doktori?

Jo, është Meta plus.

Keni thënë në një analizë, një vit më parë se vetingu, pra reforma në drejtësi do të rikonfigurojë klasën politike në vend. Jemi gati pas një viti….

Pohimi im besoj se tashmë po provohet. E konsideroj një proces të filluar dhe që do të përfundojë matanë shtatorit këtij viti!

Pra ju thoni që pas vettingut do të ketë përmbysje të kastës?

Nuk e pretendoj kaq shpejt. Kastat kanë cilësinë më të spikatur të kameleonit, nuk e kam fjalën për ngjyrat, por për kapërcimin nga brendia në brendi, aq më tepër kastat e korruptopolitikës shqiptare. Reformën në vend e kanë pranuar kësaj here dhe kanë diferenca aktorët e realizimit të saj në ndërgjegjet dhe qëllimet e saj.

Por unë i besoj më së shumti një presence të tretë, institucionalizimit të aleancës strategjike së pari SHBA, e më së shumti të saj, dhe më pak asaj të BE.

Kësaj të dytës ja mbaj në fuqi skepticizmin për shkak të hetereogjenitetit që ka si bashkësi.

Ju thoni se do të kemi një Republikë te re, që në fakt në një farë mënyre e parashikon edhe pakti Rama- Basha me reformën kushtetuese e zgjedhore…

Jo nuk besoj se do të kemi një Republikë te Re.

E kam konsistent mosbesimin në këtë pikë. Po të huazoj diçka nga mitologjia, do të kemi një Kimerë të re politike, gjymtyrë të së cilës, tashmë janë bërë me Kushtetutë edhe aktorë të institucionalizimit ndërkombëtarë.

Pas kësaj unë jam i sigurt që Shqipëria ka tashmë, më shumë arsye për t’ju imponuar Europës në procesin pranues si pjesëtare të saj. (Tesheshi.com)

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU