Interi turpërohet në sfidën e parë të Serisë A, humbet ndaj Sassuolos

Interi është mundur që në ndeshjen e parë të kampionatit italian, në sfidën kundër Sassuolos të vendosur nga një 11-metërsh shënuar nga Berardi në mesin e pjesës së parë, pas një faulli të Mirandas ndaj Marianit.

Icardi u përpoq të jepte përgjigjen e shpejtë zikaltër, por gjuajtja e tij vetëm katër minuta më pas nuk ishte e saktë. Në fund të pjesës së parë Berardi pati një tjetër mundësi për të shënuar golin e dytë, por gjuajtja e tij përfundoi mbi traversë.

Në pjesën e dytë skuadra e Spallettit u fut me më shumë grintë në përpjekje për të ndryshuar gjërat, por ishte Kevin Prince Boateng që pati rastin më të mirë, pasi vetëm shtuylla i mohoi ganezit dhe Sassuolos golin e dytë.

Një minut më vonë, në të 67-n, ishte kapiteni zikaltër Icardi që pati një rast të artë për të shënuar golin e barazimit, por edhe pse i erdhi një top fantastik, argjentinasi goditi jashtë. Në minutën e parë shtesë të pjesës së dytë ishte blerja e re De Vrij që kërceu mbi të gjithë në zonën e Sassuolos, por gjuajtja e tij me kokë gjeti të përgatitur portierin e vendasve.

Një ndeshje për t’u harruar për Interin, që humbjen e fundit në kampionat e kishte pësuar pikërisht kundër Sassuolos, në majin e këtij viti.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU