INTEGRIMI/ Zyrtari i lartë gjerman në Tiranë: Përshpejtoni Vettingun!

Zyrtari i lartë gjerman, Christian Lange, i ka bërë thirrje politikës shqiptare të luftojë korrupsionin, të vijojë thellimin e reformave dhe të shmangë bllokadat, si tre elementë tepër të rëndësishëm për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Lange, deklaroi se korrupsioni shkatërron ekonominë e tregut dhe është shqetësim për jetën e qytetarëve shqiptarë.

Sipas tij, korrupsioni mbështet krimin e organizuar, terrorizmin dhe është risk për aparatin e sigurisë. Ai tha se nuk mund të japë përgjigje lidhur me vendimin për hapjen e negociatave në fund të qershorit, por shtoi se progresi në sistemin e drejtësisë dhe përshpejtimi i reformave janë një hap i rëndësishëm në këtë vendimmarrje.

“Korrupsioni është kundër zbatimit të së drejtave të njeriut. Korrupsioni shkatërron ekonominë e tregut, gjë të cilën pata mundësinë të informohem. Investitorët gjermanë më sollën në vëmendje se problemi kryesorë që kanë është korrupsioni. Natyrisht që korrupsioni është shqetësim edhe për jetën publike të qytetarëve shqiptarë, korrupsioni mbështet krimin e organizuar, terrorizmin dhe është risk për aparatin e sigurisë.

Korrupsioni në sistemin e drejtësisë pengon qasjen në gjyqësor, që është baza për sistemin e drejtësisë dhe për një proces të ndershëm. Vazhdimi i zbatimit të procesit të Vetingut është shumë i rëndësishëm. Ky proces jo vetëm duhet vazhduar, por edhe duhet përshpejtuar. Sot nuk mund të jap një përgjigje lidhur me vendimin për hapjen e negociatave. Ajo që mund t’iu them është që progresi në sistemin e drejtësisë, përshpejtimi i reformave është një nga hapat e rëndësishëm që do ketë ndikim në këtë vendimmarrje.

Ky është një vendim unanim që merret nga shefat e qeverive dhe të shteteve të BE. Edhe shtete të tjera anëtare do të hedhin vështrimin nga sistemi i drejtësisë i Shqipërisë, ndaj ky sistem është i rëndësishëm. Bllokadat politike nuk ndihmojnë për progresin e vendit. Ne vijmë nga kultura të ndryshme politike, ne në Gjermani jemi të drejtuar drejt konsensusi, gjë që nuk e konstatoj në Shqipëri”, tha Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë e Drejtësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Christian Lange.
ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU