Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, premtimet zgjedhore të të cilit përfshijnë zgjerimin e finaleve të Botërorit në 40 vende, të hënën ka propozuar një turne edhe më të gjerë me 48 ekipe.
Megjithatë, ai sugjeroi që 16 prej këtyre ekipeve do të shkonin në shtëpi pas vetëm një ndeshjeje të humbur, ndërsa pjesa e mbetur e turneut do të luhej, sikurse tani, me një fazë të grupeve prej 32 ekipeve, e përcjellë nga faza e diskualifikimit të drejtpërdrejtë.
Infantino, duke folur në Universitetin Sergio Arboleda në Bogota, ka thënë se vendimi përfundimtar do të merret nga Këshilli i FIFA-s në janar, kanë raportuar mediat në Kolumbi, transmeton Koha.net.
Një zëdhënës i FIFA-s ka konfirmuar se këto raportime janë të sakta.
“Këto janë ide për të gjetur zgjidhjen më të mirë, do t’i diskutojmë këto këtë muaj dhe do të vendim për gjithçka më 2017”, është cituar të ketë thënë Infantino, raporton Reuters. “Janë ide që i kemi prezantuar për të parë se cila është më e mira”.
Infantino tha se propozimi i tij është që të ketë një raund preliminar të eliminimit ku përfshihen 32 ekipet që kanë luajtur në vendin nikoqir, ndërsa 16 fituesit do të kalonin në fazën e grupeve. Pastaj, 16 ekipe tjera të kualifikuara më parë dhe të ndara në grupe do të përballen së bashku me 16 të tjerët.
“Ideja është që 16 ekipe do të kualifikoheshin direkt në fazën e grupeve ndërsa 32 të tjera do të luanin në një fazë preliminare, në vendin ku luhet Kampionati Botëror – do të luajnë për 16 vendet e mbetura”, tha ai.
“Do të thotë se ne vazhdojmë me një Botëror me 32 ekipe, por 48 ekipe do të marrin pjesë në ‘party’. Ideja e FIFA-s është që ta zhvillojë futbollin në mbarë botën, dhe Kampionati Botëror është ngjarja më e madhe për këtë”, shtoi ai. “Është më shumë se një garë, është një ngjarje sociale”.
Trajneri gjerman, Joachim Loew, të dielën ka thënë se një turme më i gjerë do të “dobësonte” vlerën e tij sportive, ndërsa klubet evropiane kanë kundërshtuar fuqishëm rritjen e numrit të ekipeve.
Sipas këtij formati, Kosova, e cila u anëtarësua në FIFA dhe UEFA në maj të këtij viti, ka më shumë gjasa që të kualifikohet në fazën e grupeve, pasi që në fazën e eliminimit direkt, të propozuar nga Infantino, marrin pjesë skuadra të ranguara më dobët në ranglistën botërore të FIFA-s. (b.an)