Incidenti me avionin e Pacollit në hapësirën serbe, Albcontrol: U raportua për pasagjerë të sëmurë

Albcontrol, (Agjensia Kombëtare e Lundrimit Ajror) ka reaguar pas incidentit që doli në media se avioni ku ndodheshin liderët e shtetit kosovar, Ramush Haradinaj, Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj, dhe Kadri Veseli ka kaluar në vijën ajrore të territorit të Republikës Serbe, ka reaguar

Në një deklaratë për mediat, Albcontrol pranon incidentin dhe sqaron se avioni i nisur nga Prishtina drejt Brukselit është kthyer mbrapsht për në Mal të Zi, sepse kishte një kërkesë për pasagjerë të sëmurë në avion.

Hapësira ku ka kaluar avioni në Malin e Zi kontrollohet nga Republika e Serbisë.

Albcontrol sqaron se nuk ka akses për të ditur kush udhëtonte brenda në avion. Sipas agjensisë, plani i fluturimit të avionit aprovohet nga Eurocontrol. Baton Haxhiu, drejtor i Klan Kosova, tha ditën e djeshme se për shkak të një pakujdesie nga kulla ajrore e Tiranës, liderët kosovarë për pak përfunduan në “duart e serbëve”.

Sqarimi i Albcontrol:

ALBCONTROL deklaron me përgjegjësi të plotë se ditën e martë, datë 17 korrik 2018, në orën 19:35, avioni me call sign (shenjë thirrje) N604BA, nisur nga Prishtina me destinacion Brukselin, me plan fluturimi të perpiluar nga piloti i këtij avioni e të aprovuar nga Netëork Manager EUROCONTROL, ka hyrë në hapësirën tonë ajrore.

ALBCONTROL, nisur nga detyra që kryen si Agjensia Kombëtare e Lundrimit Ajror të Republikës së Shqipërisë, nuk ka asnjë akses apo interes mbi informacione si numri i pasagjerëve, apo identiteti i tyre.

Në rastin e avionit me call sign (shenjë thirrje) N604BA të ngritur nga Prishtina me destinacion Brukselin, plani i fluturimit që ne dispononim, i miratuar nga Netëork Manager në EUROCONTROL, kishte si pikë hyrje në hapësirën tonë ajrore pikën MAVAR (në kufirin tonë me Maqedonin) dhe fluturim direkt për në pikën RETRA (pikë në kufirin tonë me Malin e Zi, por që është një hapësirë ajrore që kontrollohet nga Beogradi). Në momentin kur avioni hyri në kontakt me kontrollorët shqiptarë të trafikut ajror, dhe ju bë e ditur rruga sipas planit të fluturimit që ne kishim marrë nga Netëork Manager, vazhdoi fluturimin sipas këtij plani, dhe nuk ka pasur asnjë kërkesë speciale nga ky avion gjatë kësaj procedure.

Gjithashtu bëjmë me dije se avioni me call sign (shenjë thirrje) N604BA është kthyer në hapësirën tonë ajrore me kërkesën se kishte pasagjerë të sëmurë në bord, për të kërkuar më pas rirrugëzim me dalje nga Brindizi, i cili i është ofruar menjëherë, pavarësisht vështirësisë për njoftim në moment të fundit. ALBCONTROL operon konform të gjitha rregullave kombëtare dhe ndërkombëtare të aviacionit dhe veçanërisht proceseve të miratuara të lundrimit ajror.

Fatmirësisht, për të qartësuar këtë situatë aspak normale që hedh dyshime mbi punën e shkëlqyer dhe përgjegjshmërinë e lartë me të cilën kontrollorët shqiptarë të trafikut ajror operojnë në ALBCONTROL, posedojmë të gjitha dokumentat, mesazhet virtuale dhe mesazhet zanore të rregjistruara nga sistemi ynë për këtë ngjarje, që vërtetojnë qartë se vetë subjekti – avioni me call sign (shenjë thirrje) N604BA ka aplikuar pranë Netëork Manager për plan fluturimi me hyrje në hapësirën tonë ajrore në pikën MAVAR dhe dalje në pikën RETRA në territorin e Malit të Zi.

Në respekt të objektit të sigurisë së lartë të cilin mbulojmë nuk do të japim detaje të mëtejshme për këtë rast të paprecendet, por me kërkesë të mediave ishim të detyruar të informonim publikun.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU