Veva, spanjollja e sertë e Vettingut

Nga Ilva Tare

Genoveva Ruiz Calavera është një zonjë që të krijon përshtypjen e një zyrtare rigoroze të Brukselit, me buzëqeshje të ngrohtë dhe si të gjithë latinët, e ndikuar nga dielli për një ditë të mbarë. Dhe dielli i sotëm i Tiranës, i’u duk ogur i mirë për nisjen e Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM). Përveç drejtimit të këtij misioni të sanksionuar në Kushtetutë, zonja Calavera do ta mbajë edhe detyrën e Drejtores për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Europian.

Thënë shkurt, Veva, siç e thërrasin bashkëpunëtorët e saj do të jetë njeriu i Bashkimit Europian që do të vendosë të rekomandojë hapjen ose jo të negociatave, në varësi të ecurisë së reformës në Drejtësi, në këtë fazë të parë të ngritjes së institucioneve. Nëse znj.Calavera do të raportojë ndërhyrje, pengesa, apo vonesa të qëllimshme nga ata aktorë që kanë ende në dorë të zvarrisin reformën në Drejtësi, Shqipëria do të penalizohet edhe me disa muaj e ndoshta vite vonesë në hapjen e negociatave. Kjo është e trishtueshme, sidomos për ata shqiptarë që vuajnë mungesën e shtetit ligjor mbi kurrizin e tyre dhe shohin përditë paradën e abuzimit me pushtetin dhe fondet publike.

Për herë të parë e kam takuar Vevën në zyrën e saj në Bruksel, ditën kur Komisioneri Hahn rekomandoi hapjen e negociatave me Shqipërinë. Ishte e lumtur dhe e shprehte ngazëllimin për këtë lajm që e quajti historik për shqiptarët, ndoshta dhe më shumë se gjysma e përfaqësuesve të politikës në Tiranë. Gjatë bisedës informale me gazetarët në ditën e parë të punës si drejtuese e ONM, premtoi se do të përpiqet t’i rezistojë manipulimit nga politika, të ruajë një profil të ulët por rreptë dhe të jetë profesionale dhe e paanshme në vendimet e saj.

Me gjasë ambasadorja Vlahutin duhet ta ketë paralajmëruar për “baltën” që hidhet në përpunues të opinionit publik, që kontrollohet nga axhenda politike, përderisa znj.Calavera konfirmoi se lajmet e pavërteta apo qëllimisht abuzuese do t’i injorojë tërësisht. Marrëdhënia me publikun përmes gazetarëve do të jetë transparente përmes përgjigjeve nga zyra e shtypit dhe të gjithë anëtarët e huaj të bordit të ONM-së e kanë të ndaluar të komentojnë privatisht apo zyrtarisht për përjashtimin apo pranimin e ndonjë gjyqtari apo prokurori.

Roli i ONM u vendos në Kushtetutë me qëllim që ndërkombëtarët të thirrur për ndihmë për reformën në Drejtësi të garantojnë frymën e integritetit dhe paanshmërisë në një nga proceset që do të përcaktojnë cilësinë e themeleve të Republikes së re të Shqipërisë. Është një rol këshillues, jo ekzekutiv, siç u vendos në negociatat e vështira të palëve politike në Korrikun e nxehtë të 2016-tës, por që do të ketë kompetencë të vendosë në listë të zezë gjyqtarë ose prokurorë që nuk plotësojnë kushtet për të qenë fytyra e re e Drejtësisë. E megjithatë në fund, pas shkallëve të garantuara të apelimit, vendimin përfundimtar do ta ketë Parlamenti i Shqipërisë.

Ndaj, nëse në fund shija e reformës në Ddrejtësi do të marrë nuancat e integritetit të deputetëve të zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë, përgjegjësia nuk duhet kërkuar tek spanjollja me buzëqeshje të ngrohtë dhe karakter të sertë dhe as tek gjyqtarët e prokurorët e huaj me eksperiencë që do të përbëjnë bordin e ONM. Dielli i reformës në Drejtësi do të duket nëse do të ngrohë shpresat për një proces të pavarur dhe me integritet që në ditët e para të muajit Maj kur përfundon dhe faza e parë e vettingut. Koinçidenca e afateve me fushatën elektorale dhe interesat partiake nuk e bëjnë optimiste situatën, por nëse i besojmë ato që tha Veva në ditën e parë të punës, BE dhe SHBA nuk kanë as kohë dhe as para për të humbur në Tiranë dhe duan rezultate me çdo kusht. / JavaNews.al

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU