Stuhia Panama dhe media që sulmon Rama

Nga Ilva Tare

Për shkak të mungesës së dialogut dhe komunikimit normal të maxhorancës dhe opozitës në Shqipëri, Kryeministri Rama në jo pak raste përpiqet të fusë në valle median dhe atë që ai e quan paaftësi të saj për të vënë pikat mbi i, për cështje që kërkojnë analizë dhe përfundime nga palë asnjënëse. Si një ndër institucionet që duhet të ishte në shërbim të së vërtetës, media e ushtron edhe rolin e hetuesit të fakteve, por vetëm në ato vende ku demokracia është funksionale dhe liria e gazetarëve profesionistë është e pacënuar nga borderotë e partive politike. Shqipëria nuk ka as demokraci funksionale e për pasojë as një media të tillë.

Sa herë Rama I kërkon medias të bëjë prokurorin dhe gjykatësin aq herë fshikullon dështimin e institucionit që ai vetë drejton, I cili duhet të ishte frymëzues dhe zbatues I ndëshkueshmërisë dhe shtetit ligjor përmes një drejtësie të pavarur dhe të barabrtë për të gjithë. Gazetarët nuk kanë as mjete, as para, as kohë dhe as vullnet të hetojnë për cështje që nuk e shohin dritën e botimit pasi bllokohen sapo lajmi prek hemisferën e trurit nga ku kalon emri I politikanit të përfshirë, biznesmenit të përmendur e kështu me radhë.

Publikimi I skandalit më të madh në histori deri tani, sic duket se janë “Letrat e Panama-së” si dhe historia e priftërinjve pedofil e ekranizuar në nivel Oscar-I i Spotlight, janë dëshmi të një gazetarie ndryshe, të disa standardeve që do të kompleksonin cdo reporter që nxjerr nga duart e tij të paktën katër lajme në ditë.  Gazetaria serioze, ajo që shkakton stuhi në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, që gjunjëzon Presidentë dhe Kryeministra është e kushtueshme, e rrezikshme dhe e pakompromentuar.

Në botën e civilizuar, së cilës I referohen shpesh politikanët shqiptarë, është e vështirë të ngasësh makinë luksoze, të jetosh në shtëpi jashtë mundësive financiare të cilat janë të verifikueshme dhe mbi të gjitha ka një media aggressive që nuk e kthen kokën në anën tjetër kur I kalon lajmi përballë. Në vendet me gazetari profesionale dhe të paanshme reporterët kanë luksin të punojnë edhe me muaj apo edhe një vit sic është rasti I “Letrave të Panama-së” për të zbërthyer një superskandal, të mbuluar me hije dyshimi dhe transaksione të errëta që kërkojnë analizë dhe burime të shumta për t’u zbardhur.

“Letrat e Panama-së” ku përmendet emri I Putin, Kryeministrit të Islandës, Montezzemolo-s, Messi-t dhe shumë të tjerëve, janë dëshmi e një realiteti që falë shpikjes “offshore”, ose thënë ndryshe parajsa fiskale të regjistrua jashtë shtetit, kryesisht për të përfituar nga taksat e ulta dhe mungesa e një legjilacionit të rreptë fiskal. Deri tani është zbuluar emri I vetëm një shqiptari që ka pasur kompani të regjistruar në Panama, por të tjerë mund të dalin në dritë në ditët e ardhshme dhe nëse nuk janë në këtë listë me siguri ndodhen në ndonjë offshore tjetër.

Gazeta gjermane Suddeutsche Zeitung u kontaktua nga nje person anonim 12 muaj më parë, I cili nuk pranoi asnjë kompesiom financiar, por e justifikoi rrjedhjen më të madhe të të dhënave  si një ndëshkim për shkelësit e ligjit në botë. Në pamundësi për t’i hetuar e vetme afro 2.6 terrabytes informacion vendosi të bashkëpunonte me ICIJ, Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë, një rrjet global me 190 gazetarë të kualifikuar në më shumë së 65 vende që bashkëpunojnë për hulimtim të thelluar të cështjeve

Në përfundim, hulumtimi I redaksive në mbarë botën, për afro një vit përkushtim dhe punë të përditshme të 400 gazetarëve, 100 organizatave mediatike në rreth 80 shtete solli publikimin e “Letrave të Panama-së”. Kaq. Për gazetarinë investiguese në Tiranë dhe në Ballkan për ata që bëjnë sarkazëm me cilësinë e medias në anët tona, besoj se ky ballafaqim faktesh mjafton.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU