Meta ‘voton’ kundër LSI: Kemi ligj të mirë për pakicat kombëtare!

Nga Armando Meta/

SPECIALE JAVANEWS/ Presidenti Ilir Meta duket se ka bërë një përpjekje të sforcuar, por serioze, për t’u distancuar nga votimi kundër që ish partia e tij bëri në Kuvend ndaj ligjit “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare” në Shqipëri. Gjatë takimit me zëvendës Presidenten e e Bullgarisë, Iliana Iotova. kreu i shtetit ka vlerësuar ligjin e ri për pakicat që tregon, sipas tij, “për vullnetin e Shqipërisë për të qenë një vend i hapur, një vend tolerant”.

“Parlamenti shqiptar tashmë ka miratuar legjislacion të ri lidhur me pakicat, ku gjejnë reflektim edhe disa nga shqetësimet e ngritura në të kaluarën nga autoritetet e Bullgarisë. Është një legjislacion që tregon për vullnetin e Shqipërisë për të qenë një vend i hapur, një vend tolerant, një vend evropian. Edhe shpresojmë që është një hap pozitiv përpara në këtë drejtim”, u shpreh Meta.

Ky qëndrim i kreut të shtetit është në kontrast të plotë me sulmin në shkallë të gjerë që i bënë krerët e LSI në Kuvend dhe jashtë tij ligjit në fjalë. Ndonëse kur ishin në qeveri e kishin miratuar projektligjin, krerët e LSI sapo kaluan në opozitë e sulmuan atë shumë ashpër, madje duke ja kaluar edhe PD-së, e cila në minutat e fundit votoi pro projektligjit, duke lënë LSI dhe Vangjel Dulen e PBDNJ-së, si 10 deputetët e vetëm që votuan kundër. Mbështetja që Meta i dha sot ligjit për pakicat, në prani të zv.presidentes bullgare, është një përpjekje për distancim nga gjykimet radikale të krerëve të LSI-së, të cilët në vërejtjet e tyre nuk kishin kursyer as pakicat bullgare në Shqipëri. “Ku e kemi ketë shumicë relative në rastin e vllehëve, romëve, egjiptianëve, serbëve apo bullgarëve që qeveria me projektligjin e saj na i shpall pakica kombëtare?!”, sulmonte ashpër Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama pak para votimit ligjin në fjalë.

Ja disa nga akuzat e LSI-së kundër ligjit për pakicat
Luan Rama, Sekretar i Përgjithshëm

Projektligji “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare” në mënyrën se si na është paraqitur, nuk duhet miratuar!
Sepse ai bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë;
sepse ai bie ndesh me interesat kombëtare të shqiptarëve;
sepse ai bie ndesh edhe me Konventën Kuadër të Këshillit të Europës Për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare dhe gjithë komentarin që e shoqëron atë!
Më e pakta që mund të them, ky është njē konformizëm servil ndaj sloganeve europiane, shenjë e një papërgjegjshmërie dhe injorance shtetërore të patolerueshme!
Deformimet janë aq të mëdha sa të shtyjnë të dyshosh se nuk jemi para një projekti juridik, por jemi para një projekti politik që nuk bën gjë tjetër, por sjell e synon të transferojë e implementojë në realitetin e sotëm shqiptar, problematikën e Jugosllavisë së djeshme!
Përveç se fallsifikim, ky është edhe një provokim i rëndë mbi vlerat më të qenësishme të qytetërimit shqiptar, mbi vetë dimensionet e bashkëjetesës e harmonisë së shoqërisë shqiptare, duke stisur realitete të paqëna, përmes mbjelljes së Shqipërisë me pakica kombëtare inekzistente!

Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të LSI

Në emër të të ashtuquajturit “diskriminim pozitiv”, dhe që nuk është ndonjë çudi e re në parlamentarizmin shqiptar, projektligji na ofron nocione e koncepte që nuk pajtohen as me traditën dhe as me standardet e Konventës Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare të Këshillit të Europës!
Pra, është lehtësisht e kuptueshme që nuk jemi para një projekti ligjor, por jemi para një projekti politik, i cili nëse miratohet me verbërinë e kartonave e nuk rrëzohet me logjikën e argumentave shkencorë e historikë, do t’i çelë udhën një censusi të ri, të projektuar djallëzisht për të ndryshuar realitetin e fotografuar prej censusit të vitit 2011.
Si ka mundësi që demonstrimi i injorancës të mbërrijë deri ketu sa të na ofrojë përmes ketij përcaktimi konfondime të disa kategorive që janë botërisht të pranuara?!
Mbi çfarë kriteresh projektligji i qeverisë i cilëson me status të barabartë si pakicën kombëtare greke në Shqipëri fjala vjen, me komunitetin rom apo egjiptian, duke i cilësuar pakica kombëtare?!

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU