“Iku koha kur Berisha mendonte se ishte shteti”, avokati i Haxhisë: Ballafaqimi në gjykatë po afron

Kanë kaluar njëzet vjet nga ajo ditë shtatori e vitit 1998 kur përpara selisë së Partisë Demokratike u vra një prej ish-themeluesve të asaj partie, deputeti Azem Hajdari. Ajo vrasje me shumë dritë-hije brenda saj, u pasua nga një gjyq që u pretendua se ndëshkoi vrasësit dhe pjesëmarrësit në vrasje.

Një nga ata që u dënua me 25 vjet burg në mungesë ishte dhe Izet Haxhia, ish-truproja e ish-presidentit Sali Berisha. Pas njëzet vitesh në ekzil, Izet Haxhia tashmë është në Tiranë dhe ka kërkuar rishqyrtimin e rigjykimin e vrasjes së Hajdarit, kërkesë që është marrë në konsideratë. Sikurse e ka pohuar edhe herë të tjera, Izeti është i bindur se rigjykimi i kësaj çështjeje do të vërtetojë se cilët janë vrasësit e vërtetë të Azem Hajdarit. 

Ky gjyq do të rihapet së shpejti, ndoshta në shtator.  Këtë e pohon në këtë intervistë për gazetën ‘DITA’ avokati i Izetit, Bashkim Nikolla. Avokati tregon edhe hollësi të tjera nga procesi si dhe për gjendjen aktuale të klientit të tij Izet Haxhia.

Sipas avokatit, rigjykimi i kësaj çështjeje të mprehtë është pika e kthesës dhe guri i provës për rilindjen e drejtësisë në këtë vend. Nga ana tjetër, ai thotë se ky është edhe një shans për Sali Berishën, i cili me paraqitjen në gjyq ka rastin të vërtetojë atë që ka thënë në vijimësi për këtë çështje.

Berisha nuk u është përgjigjur asnjëherë fletë-thirrjeve të organeve të drejtësisë për të dëshmuar. Por, avokati Nikolla thotë se këtë radhë “ai do të vijë si Çeçua” në gjykatë dhe do të përballët me ish-truprojen.

– Avokat, keni marrë përsipër një mision shumë të rëndësishëm por edhe të vështirë, mbrojtjen e klientit Izet Haxhia, i akuzuar dhe i dënuar në mungesë për vrasjen e deputetit Azem Hajdari 20 vite më parë. Ju, bashkë me klientin tuaj keni kërkuar rigjykimin e asaj çështjeje. Mendoni se me hapjen e dosjes Hajdari, fillon një epokë e re në Drejtësinë shqiptare?

– Konstatimi juaj është me vend, i nderuar Xhevdet. Ju si gazetar me përvojë, jeni shumë i qartë për këtë çështje, pasi e njihni shumë mirë çështjen, njihni klientin tim dhe kini shkruar në vijimësi në ‘DITA’ dhe mua më vjen mirë që po e jap këtë intervistë në gazetën tuaj. Fillimisht po shpreh kënaqësinë që më mundësoni të realizoj një interviste të posaçme me ju për një çështje kaq të mprehtë, e cila ka të bëjë me përpjekjet për liritë dhe të drejtat e njeriut në Shqipëri, të cilat nuk mund të realizohen pa një drejtësi  te re. Unë mendoj se me këtë gjyq, pra me rihapjen e dosjes Hajdari, fillon një etapë e re në drejtësinë shqiptare, gjë që përkon dhe me reformën e thellë që po synohet të bëhet në sistemin e drejtësisë.

– Nga ju buron kjo bindje?

– Sepse drejtësia ka të bëjë me themelet e shtetit dhe vete ekzistencën e tij. Po çfarë kemi bërë në harkun kohor të këtyre afro 30 vjetëve? Me lejoni ta krahasoj me konkretisht. Kemi ngritur mbi themele rëre ngrehinën më të shëmtuar të të ashtuquajturës drejtësi që do ta quaja dreqësi.  E për rrjedhojë bashkohem me mendimin tuaj dhe me dëshirën e një populli të tërë për të kontribuar të gjithë ata që dëshirojnë realisht të ndërtojnë shtetin e së drejtës nëpërmjet drejtësisë me të vërtetë të re. Veçse me duhet të theksoj, se vështirë të arrihet ajo që dëshirojmë për të ngritur një “ndërtesë” të re me djallin brenda. Pra pa spastrimet e nevojshme të paanshme nga tërë ata që e sollën drejtësinë shqiptare deri në kufij të tillë absurdë dhe kriminalë. Realizimi i Vettingut ndonëse ecën çalë-çalë është një nga premisat për epokë të re në shoqërinë shqiptare, për një drejtësi të re. Duket se kjo është e vetmja shpresë për t’u bërë një vend normal,me standarde demokratike evropiane të cilat ne i kërkojmë që nga viti 1990.

– Ju, zoti Nikolla pranuat të merreni me një çështje të tillë siç është dosja ‘Hajdari’, e cila është mbase “patatja” më e nxehtë për drejtësinë e këtyre viteve. Ju po bëni mbrojtjen ligjore për Izet Haxhinë, i dyshuar dhe akuzuar si pjesëmarrës në vrasjen e deputetit Azem Hajdari. A patët ngurrim në marrjen e një përfaqësimi të tillë? A patat frikë ose a ndjeheni i frikësuar tani në ushtrimin e detyrës si avokat?

– Nga ana ime, vendimi për të përfaqësuar këtë çështje me orientim si avokat është marre aty për aty, por mund të them, se mendimi që solli në këtë vendimmarrje ka mbi 20 vjet që është “pjekur” dhe më në fund erdhi vetëm çasti. Për sa i përket ndrojtjes apo frikës shpjegoj se s’kam pse të druhem pasi ushtroj një profesion të ligjshëm dhe s’kam asnjë shkak pse të frikësohem. Të tjerë mund të jenë, ata që mund të frikësohen në vartësi të motivit. Besoj se ka ikur koha e xhunglës e gjuetisë së shtrigave në drejtimin e “Maliqit”. Sikundër e thamë më lart se shteti aktual duket mjaft i vendosur për të ndërtuar drejtësinë e re që kërkojnë të gjithë shqiptarët.

– Si duket  Izeti, a është optimist? 

– Nga komunikimet që në mënyrë permanente realizojmë në ambientet e IEVP-302, mund të them me bindje të plotë se Izeti vijon të jetë me besim të plotë se më në fund do të ketë drejtësi, sepse kjo përbën edhe motivin për të qenë optimist. Ju e dini shumë mirë se sa ka vuajtur klienti im gjatë këtyre 20 vjetëve. Izeti është një person që ka ditur të durojë dhimbjen e zhgënjimit, durimin në qëndresë, katarsisin e vetvetes, dëbimin nga atdheu, pikëpyetjen e çdo dite të jetës së tij, nën kërcënimin permanent të vrasësve të paguar. Trysninë e një strukture shtetërore antishtet nëpërmjet instrumenteve të dukshëm e të padukshëm për t’ia bërë ferr jetën. Porle ta shikojmë më gjerë këtë çështje, përtej një individi, qoftë ky edhe Izeti.

Unë mendoj se sot Izeti nuk përfaqëson vetëm Izetin, por përfaqëson besimin se çdo krim ka një ndëshkim, shpresat se nëpërmjet hapjes së dosjes Hajdari, dhe gjykimit të tij të drejtë të paanshëm dhe të barabartë, transparent, do të shënonte një epoke të re për një drejtësi të re. Izet Haxhia në këtë rast është etaloni, është shembulli se mund dhe duhet të bëhet drejtësi. Pra, ai në njëfarë mënyre, do të “përfaqësojë” gjithë të dënuarit padrejtësisht nga organet e kapura të sistemit të vjetër të drejtësisë. Në këtë kuptim, Izeti ka motiv të vërtetë dhe mjaft të fortë për të qenë optimist, pasi në fund të fundit është më tipiku i drejtësisë së re që po vjen. Nuk besoj se ndokush do të ketë kurajon të shtrembërojë procesin. Kam bindjen se egjithë vëmendja e publikut do të jenë në atë sallë ku do të përballen faktet, argumentet dhe individët që akuzohen për çështjen Hajdari…

– A besoni ju si avokat se Izeti do të ballafaqohet me Sali Berishën në këtë rigjykim të çështjes? 

– Po, unë jam shumë i bindur se ky ballafaqim apo përballje do të ndodhë. Unë besoj se ka ikur koha kur Sali Berisha në krye të shtetit i ishte mbushur mendja se ai ishte vetë shteti dhe kur të donte e si të donte i shpërfillte rregullat e shtetit. E them këtë pasi, tashmë që jam njohur me dosjen penale dhe dosjen gjyqësore penale në tërësi, konstatoj dhjetëra fletë-thirrje nga organi i akuzës dhe nga gjykata që shtetasi Sali Ramë Berisha, të paraqitej për të dëshmuar sipas ligjit dhe ai asnjëherë se kreu këtë detyrim. Është për të ardhur keq edhe fakti tjetër se nën shembullin e tij vepruan edhe vartësit duke mos shkuar as si dëshmitarë dhe as si të pandehur, duke mos ju bindur fletë thirrjeve. Duket pak e çuditshme por është e vërtetë po këta persona që ndonëse bërtisnin nëpër tribuna të zbulohen vrasësit e vërtetë të Azem Hajdarit, nga ana tjetër nuk kryenin shërbimin më minimal të detyrimit ligjor për të shprehur deklarimet e tyre lidhur me ngjarjen faktet e provat.

– Pse jeni aq i bindur se Berisha do të pranojë të vijë në sallën e gjyqit? 

– Për shumë arsye. Kanë ndryshuar kohërat. Ka ikur koha kur ai e shpërfillte drejtësinë dhe bënte si të donte me prokurorët dhe gjyqtarët. Ai është një person kyç në proces dhe nuk është paraqitur asnjëherë në sallën e gjyqit. Rihapja e procesit e parashikon si domosdoshmëri paraqitjen e tij në gjyq. Si përfundim do të thosha se Sali Berisha, këtë radhë do e respektojë ligjin pasi është aq i zgjuar të kuptojë ndryshimin e kohërave si dhe të erërave të reja që po fryjnë në këtë vend. Po të shprehem me troç, do të them se nëse refuzon, që s’ma do mendja, do të sillet forcërisht.

– Pra do të sillet me policë?

– Po. Pasi Izeti dhe mbrojtja i ka bërë një privilegj: e ka ftuar të parin të rrëfehet para drejtësisë. Nuk besoj se Berisha do ta humbasë këtë shans. Sikurse thotë populli “ai do të vijë si Çeçua”. Sepse këtë radhë nuk ka më shakara. As nuk mund të tallet me ligjin. Ligji është i barabartë për të gjithë. Veç kësaj, paraqitja e tij në gjykatë për të deklaruar e për t’u ballafaquar me provat, faktet dhe me Izet Haxhinë, do të ishte një ogur i mirë se më në fund ligji është i barabartë për të gjithë, se shteti ka filluar të funksionojë, duke shënuar kështu për veten e tij për t’u mbrojtur nga akuzat e rënda që i bëhen, një mundësi për t’u çliruar nga çfarë e mban të penguar të vërtetën mbi ngjarjen më të rëndë të fundshekullit të kaluar, vrasjen e njeriut që sikurse trumbetohet rëndom nga vetë demokratët, guxoi i pari të përmbysej diktatura, i mbiquajtur “heroi i demokracisë” Azem Hajdari… Besoj se e keni të qartë se çfarë rëndësie ka kjo çështje dhe sa të domosdoshme e ka vetë Sali Berisha të paraqitet në sallën e gjyqit.

– Kur mendoni se do të ketë një datë gjykimi në apel, pasi tani gjykatat si dhe institucionet e tjera të shteti kanë filluar sezonin e pushimeve? 

– Në fakt sikundër e dini, çështja u hodh në short në gjykatën e apelit, por gjyqtari i çështjes Shkëlqim Mustafa dha dorëheqjen me arrestimet të cilat tashmë janë bërë publike. Nëqoftëse do të citojmë arsyetimin e dorëheqjes, do të dilnim në konkluzion se këtë model dorëheqje do ta përdorte çdo gjyqtar që nuk do të dëshironte të gjykonte çështjen Izet Haxhia. Pra sepse dihet fakti që bashkëshortja e Azem Hajdarit, zj. Fatmira Hajdari është aktualisht gjyqtare në gjykatën e apelit të Tiranës, kaq do të mjaftonte që gjithë gjyqtarët e apelit të shpreheshin se në rastin konkret kemi të bëjmë me konflikt interesi. Si konkluzion mund të themi se mund të shkohet në një zgjidhje tjetër procedurale nëse gjyqtarët do të vazhdojnë të “tmerrohen” siç shkruante një e përditshme nga hapja e dosjes Hajdari. Gjithsesi mendoj se në shtator do të kemi një datë gjykimi dhe emra konkretë të gjyqtarëve që do të gjykojnë çështjen penale objekt të kësaj interviste.

– A është përfshirë në dosjen e çështjes dhe a do te merret parasysh nga gjykata libri i botuar para dy vjetësh me titullin “Izet Haxhia përballë Sali Berishës”? 

– Po, libri që sapo përmendët dhe që e keni përgatitur ju, ka një titull simbolik që flet për përballjen e nesërme në gjykatë, të dy personave pjesë e historisë së kësaj çështjeje është bërë pjesë e dosjes. Si edhe libri tjetër “Kronika e Dhimbjes”, shkruar nga vëllai i Izetit, Ismet Haxhia, janë dorëzuar, si dokumente autentike në gjykatë, e cila është shprehur me vendimin përkatës për t’u administruar dhe për t’u bërë pjesë e provave në tërësi.

– Avokat, a keni pasur shqetësime lidhur me rrjedhje e manipulime materialesh nga dosja “emblematike”? 

– Pyetje me vend. Më duhet të deklaroj se në punën time nuk kam parë asnjëherë një dosje të thjeshtë penale apo gjyqësore të jetë kaq e pa sistemuar, e shpërndarë dhe hallakatur në përmbajtje dhe në formë. Por, edhe për hir të detyrës që kam marrë përsipër, më shkon mendja se mbase më në detaje për këtë problem mund të shprehemi herë tjetër. Por më duhet të pohoj se me pak vështirësi, më në fund u gjetën edhe një sërë provash të tjera, siç janë, ditari i  ish ministrit të Brendshëm Perikli Teta, blloku i shënimeve i ish-drejtorit të policisë Albert Dervishi si dhe disa kaseta. Me zbardhjen e brendisë e të përmbajtjes së tyre ende nuk jemi njohur, pasi do të bëjmë kërkesë të procedohet sipas ligjit procedural penal./Dita

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU