I forti i dikurshëm, Riza Malaj del nga burgu i shoqëruar me kujdestar

Riza Malaj, dikur “i forti i Tropojës”, ka fituar lirinë, duke përfituar nga ligji “Për Amnistinë”, shkruan Gazeta Shqiptare. Zyrtarë të Burgjeve thanë se Riza Malajt i kishte mbetur më pak se një vit dënim për të vuajtur; për këtë arsye hynte në rrethin e personave përfitues, ndonëse akuzat për të cilat ishte cilësuar fajtor ishin të rënda dhe kriter përjashtues.

Duke qenë se familja e tij jeton jashtë Shqipërisë, në dalje të burgut e kanë pritur disa kushërinj. Malaj e ka të pamundur të udhëtojë i vetëm, pasi, pak kohë përpara se të arrestohej, u plagos rëndë në lumin Valbonë, ku kishte dalë për peshkim. Nga shpërthimi i fuqishëm, ai humbi shikimin, dy duart dhe dëgjon me vështirësi. Vitet e fundit ai qëndroi i izoluar në spitalin e burgut dhe në burgun e Zaharisë në Krujë.

Zyrtarët e burgjeve thanë se për shkak të gjendjes shëndetësore, të dënuarit Malaj i ishin caktuar kujdestarë. Në fakt Malaj pati tentuar disa herë lirinë, për shkak të gjendjes në të cilën ndodhej dhe mungesës së një trajtimi të specializuar mjekësor, por kërkesat e tij ishin refuzuar.

Gazeta Shqiptare shpjegon se para burgosjes, Riza Malaj ishte kthyer në tmerrin e policisë shqiptare. Dhjetëra operacione për kapjen e tij kishin dështuar, e ndërsa bridhte i lirë, terrorizonte qytetin e Bajram Currit me “bëmat” e tij. Në vitin 2004, Riza Malaj u prangos në një spital në Kosovë, ku kishte vajtur për kurim, pasi ishte dëmtuar rëndë për shkak të plagosjes me tritol në lumin Valbonë. Pas ekstradimit, Gjykata e Krimeve të Rënda e dënoi me 12 vjet burg, për “Vrasje të mbetur në tentativë” dhe “Prishje të qetësisë publike”.

Nuk kaloi shumë kohë dhe gjykata, për shkak të gjendjes në të cilën ndodhej, e liroi atë. Dy muaj më vonë, Malaj u vu në pranga sërish, pas denoncimit të bërë nga një biznesmen, se “i forti” i Tropojës e kishte kërcënuar nëpërmjet telefonit duke i kërkuar një shumë prej 50 mijë eurosh. Për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të dhunës dhe kanosjes për dhënien e pasurisë”, në bashkëpunim, në dëm të biznesmenit, gjykata e dënoi me 4 vjet burg dhe 600.000 lekë gjobë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU