Hyjnë në fuqi ndryshimet ligjore, Manastirliu: Mbrojtje dhe riintegrim në shoqëri për gratë viktima të dhunës

Manastirliu, takim me gratë në Qendrën Kombëtare të Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje: Për herë të parë, me urdhrin e mbrojtjes për nënën, automatikisht do të garantohet urdhëri i mbrojtjes për fëmijët, edhe nëse mbi ta nuk është ushtruar dhunë e drejtpërdrejtë

Tiranë, 22 Gusht – Duke filluar nga kjo javë, kanë hyrë në fuqi ndryshimet e reja në ligjin për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare, të miratuara në Kuvendin e Shqipërisë më datë 27 Korrik 2018. Këtë lajm Ministrja e Shëndëtetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e ka ndarë me përfitueset në Qendrën Kombëtare të Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje, gjatë vizitës së saj në këtë qendër.

Gjatë bashkëbisedimit me gratë e strehuara në këtë qendër, Manastirliu theksoi se me ndryshimet e reja ligjore, gratë që përballen me dhunën në familje do të kenë mbrojtje që në momentin e parë të denoncimit në polici. Me ligjin e ri do të garantohet urdhër paraprak i menjëhershëm të mbrojtjes për viktimat e dhunës, për të vazhduar më pas me masat e tjera të parashikuara.

Ndryshimet e reja në ligjin për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare sjellin disa risi me qëllim forcimin e ligjit, trajtimin e viktimave të dhunës dhe mbi të gjitha riintegrimin e tyre në shoqëri. Risi në ndryshimet e reja është dhe zgjerimi i mbrojtjes përtej marëdhënies juridike burrë-grua, duke parashikuar masa të mbrojtjes për gratë dhe vajzat që bashkëjetojnë apo janë në lidhje afektive.

Manastirliu u ndal edhe tek ndryshimet ligjore që garantojnë një mbrojtje më të mirë për fëmijët që asistojnë dhunën në familje, pasi për herë të parë, me urdhrin e mbrojtjes për nënën, automatikisht do të garantohet urdhëri i mbrojtjes për fëmijët, edhe nëse mbi ta nuk është ushtruar dhunë e drejtpërdrejtë.

Ndryshimet ligjore synojnë parandalimin dhe reduktimn e rasteve të dhunës në marëdhëniet familjare dhe në njësinë shtëpiake, për të garantuar mbrojtje të veçantë dhe pa diskriminim të çdo grupi që paraqet nevoja të veçanta mbrojtjeje.

Ministrja u shpreh se, duhet të punojmë çdo ditë për të forcuar sistemin e denoncimit, të referimit, për të përmirësuar shërbimet për gratë, për të mbështetur më shumë gruan për strehim, për punësim, për shërbime sociale.

Në Qendrën Kombëtare të Trajtimit të Viktimave të Dhunës në Familje akualisht trajtohen 53 përfitues, nga të cilët 34 janë fëmijë. Pëfituesit marrin shërbime të ndryshme si shërbime psikologjike, strehim, shërbime psiko-sociale, juridike, mjekësore, arsimore dhe programe të riintegrimit. Në përpjekje për një riintegrim të qëndrueshëm dhe afatgjatë përfituesve u janë ofruar mundësi për të ndjekur kurse të ndryshme të formimit profesional me qëllim punësimin e tyre. 10 nga përfitueset aktualisht janë të punësuara në kompani të ndryshme falë ndërmjetësimit të bërë nga Qendra në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar të Punësimit.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU