Hungaria në ‘fije të perit’, PE voton për nisjen e procedurës së sanksioneve

Parlamenti Europian votoi këtë të mërkurë pro hapjes së procedurave të Nenit 7 për sanksione kundër Hungarisë.

Mocioni për nisjen e procedurave disiplinore kundër Hungarisë për shkelje të shtetit ligjor u votua me 448 vota pro, 197 kundër dhe 48 abstenim.

E njëjta procedurë u nis nga Komisioni Evropian kundër Polonisë në dhjetor të 2017-ës, por vota e së mërkurës shënon herën e parë që legjislativi evropian ka miratuar nisjen këtyre procedurave.

Çfarë është Neni 7?

Neni 7, i quajtur shpesh “opsioni bërthamor”, është klauzola e dënimit të BE-së, duke lejuar atë të disiplinojë shtetet anëtare kur ekziston një “rrezik i qartë i një shkeljeje serioze” të parimeve bazë të bllokut.

Një propozim për të nxitur Nenin 7 mund të parashtrohet nga Parlamenti Europian, Komisioni Europian ose nga një e treta e shteteve anëtare.

Këshilli Europian, me pëlqimin e Parlamentit Europian, më pas duhet të marrë një vendim me shumicë prej katër të pestave mbi propozimin dhe të flasë me shtetin në fjalë.

Sapo të miratohet, masa ka dy pjesë: një mekanizëm parandalues ​​dhe një mekanizëm sanksionues.

Neni 7 (1), i nisur kundër Hungarisë, do të thotë se një paralajmërim formal i jepet shtetit. Nëse kjo nuk ka efektin e dëshiruar, Neni 7 (2) mund të përdoret për të vendosur sanksione dhe për të pezulluar të drejtat e votimit në BE.

Pse Hungaria?

Deputeti holandez Judith Sargentini shkroi një raport për Hungarinë dhe partinë e kryeministrit Viktor Orban të Fidesz.

Raporti e akuzon për shkelje të ndryshme të vlerave të BE.

Raporti përmend abuzimin me emigrantët; kufizimet në lirinë e shtypit; korrupsioni dhe konfliktet e interesit; dhe “qëndrimet stereotipike” ndaj grave, si dhe shqetësime të tjera.

Çfarë tha Orban?

Gjatë një debati mbi mocionin të martën, Orban iu tha ligjvënësve se ai nuk do të përkulet ndaj “shantazhit” të BE.

“Ju mendoni se i njihni nevojat e popullit hungarez më mirë se vetë populli hungarez, prandaj duhet t’ju them se ky raport nuk tregon respekt për popullin hungarez. Ky raport zbaton standarde të dyfishta, është një shpërdorim i pushtetit, ai tejkalon kufijtë në sferat e kompetencës dhe metoda e miratimit të saj është një shkelje e traktateve,” tha Orban.

“Hungaria do të vazhdojë të mbrojë kufijtë e saj, të ndalojë imigracionin e paligjshëm dhe të mbrojë të drejtat e saj – edhe kundër jush, nëse është e nevojshme”, tha ai, duke marrë duartrokitje nga ligjvënësit euroskeptikë dhe ekstremistë në kuvend.

/b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU