Humb jetën emigranti shqiptar në Greqi, po ndiqej nga policia

Një shqiptar ka humbur jetën në Greqi gjatë ndjekjes nga policia.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 20:00, në afërsi të Selanikut, ku policia gjatë një kontrolli rutinë ka tentuar të ndalojë një kamionçinë në të cilën dyshohej se kishte klandestinë. Drejtuesi i saj, një shtetas grek, ka rritur shpejtësinë për t’i shpëtuar forcave të rendit. Policia është vënë në ndjekje të mjetit për disa kilometra përgjatë aksit rrugor Polikastron-Selanik, ku si pasojë e shpejtësisë, mjeti ka dalë nga rruga duke u përmbysur në kanal, shkruan TCH

Rrëzimi rezultoi fatal për 60-vjeçarin Hytbi Lila, i cili ndërroi jetë si pasojë e goditjes, ndërkohë që edhe dy shqiptarë të tjerë që udhëtonin me të u plagosën dhe u dërguan menjëherë për në spital. Sipas policisë, të tre shqiptarët po udhëtonin drejt Selanikut si klandestinë. Ata kishin paguar një shumë parash te drejtuesi i kamionçinës, i cili ishte proceduar edhe më parë për të njëjtën vepër penale.

Forcat e rendit besojnë gjithashtu se kjo është edhe arsyeja pse ai nuk iu përgjigj thirrjes së efektivëve për të ndaluar në vendin e kontrollit. Autoritetet ndërkohë vijojnë punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

a.ç

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU