“Huawei”, Polonia arreston një person për spiunazh në favor të Kinës

Në Poloni janë arrestuar dy persona, nën akuzat se kanë spiunuar për llogari të Kinës. Bëhet fjalë për një shtetas kinez, që mediet lokale e përshkruajnë si drejtor të “Huawei”, dhe një polak.

Arrestimet vijnë pas një viti të vështirë për “Huawei”, gjatë të cilit u arrestua vajza e themeluesit të kompanisë në Kanada, ndërkohë që SHBA po përpiqet ta fusë kompaninë në një “listë të zezë” ndërkombëtare, në lidhje me shqetësimet e sigurisë.

“Dy të arrestuarit dyshohen për spiunazh për llogari të shërbimeve kineze të zbulimit, kundër Polonisë. Ky është një hetim serioz, për ngjarje serioze që kërcënojnë sigurinë e Polonisë”, tha Stanislaë Zaryn, zëdhënës i shërbimit special polak.

Ministria e Jashtme e Kinës thotë se është e shqetësuar nga arrestimi i shtetasit kinez, ndërsa “Huawei” njoftoi në një deklaratë për shtyp se ishte në dijeni të situatës, po e ndiqte atë, por nuk do të bënte komente për momentin.

Njoftimi i Polonisë vjen pak javë pasi Kanadaja arrestoi zëvendëspresidenten e “Huawei”-t, Meng Uanzhou, që akuzohet se ka shkelur sanksionet mbi Iranin. Gjiganti i telekomunikacionit kinez, i themeluar nga një ish-inxhinier i ushtrisë kineze, përballet po ashtu me probleme edhe për lidhjet e tij të supozuara me shërbimet kineze të zbulimit.

Vende si SHBA, Australia dhe Japonia e kanë ndaluar “Huawein” të bëhet pjesë e ndërtimit të rrjeteve super të shpejta të internetit 5G. /a.meta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU