Historia e djaloshit që nuk besonte se i ati ishte yll futbolli

Një familje ulet për të ngrënë në një restorant në Miami. I vogli i familjes, Jeremia, sheh me kureshtje nga të gjitha anët dhe ua ngul sytë bujtësve të tjerë të restorantit.

Befas, vështrimi i tij ngrin në një drejtim të vetëm, në një nga tavolinat e tjera të restorantit.

Me gojë hapur, kap të atin nga krahu.

“Babi, babi, është Marcelo i Real Madridit…”.

“Jeremia, rri urtë, mos bezdis njerëzit”.

Emocioni i fëmijës nuk përmbahet, deri sa tërheq edhe vëmendjen e mbrojtësit të Realit. Marcelo sheh me vëmendje nga tavolina e fëmijës dhe pastaj ngrihet e shkon atje. I drejtohet babait të Jeremias: “Përshëndetje, më falni për shqetësimin. Jam Marcelo, një admiruesi juaj”.

E ndërsa Marcelo bën foto me Jeremian dhe babain e tij, i vogli kujtohet se e njëjta gjë i kishte ndodhur edhe me Luis Suarez.

“Si ka mundësi që gjithë këta yje duan të bëjnë foto me babin tim?”, vret mendjen i vogli.

Jeremia e di që i ati ka qenë futbollist. I kanë treguar edhe histori për zotësinë e tij, për shembull që shënonte nga 5-6 gola për ndeshje kur ishte i ri.

Ose që e çoi skuadrën e tij të dobët në finalen e një turneu të rëndësishëm kombëtar dhe për ta festuar shkoi të peshkonte me një të afërmin e vet. Peshkimi i pëlqente aq shumë, sa që nuk e vinte re që koha fluturonte.

Harroi edhe finalen. Shkuan ta merrnin kur ndeshja kishte filluar dhe shokët e tij ndërkaq i kishin pësuar tre gola. U ndërrua në makinë, hyri në pjesën e dytë dhe shënoi pesë gola.

Jeremia gjithmonë ka menduar se kjo histori ishte e shpikur, por tani që gjithë këta futbollistë të mëdhenj i kërkojnë fotografi babait të tij, sikur po ndryshon mendje.

Si quhet babai i Jeremias?

Alvaro Recoba…

Por sot është një ditë e trishtuar, është dita kur El Chino i thotë lamtumirë futbollit.

JavaNews

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU