“Himara, avaz i vjetër. Greqia, me komplekse 70-vjeçare”

Mjafton një shkëndijë e vogël dhe bëhet një debat i madh. Pak ditë më parë ministri grek i Mbrojtjes, pasi kishte ndjekur qëndrimin e Kryeministrit Edi Rama në parlament, ka folur për marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë duke theksuar se është pala shqiptare që nuk bën përpjekje për të pasur një situatë miqësore. Ai ka kujtuar çështjen e pronave në Himarë, por dhe tema të tjera mes dy vendeve. Lidhur me këtë argument, reagon në ‘DITA’, ish-ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj.

– Doktor sapo ka nisur punën qeveria e re Rama dhe një nga çështjet të cilat duket e nxehtë është marrëdhënia me Greqinë. Kryeministri nga parlamenti tha pak a shumë se ka ikur koha kur Shqipëria mbyllte gojën përpara Greqisë. Si ju duket kjo qasje e Ramës në raport me fqinjin tonë jugor?

– Në 27 vjet të sistemit të ri, qëndrimi i Ramës është padyshim më i miri, më dinjitozi dhe më me interes kombëtar. Në rë vërtetë ky është një debati i stisur. Bëhet fjalë për Himarën shqiptare dhe jo greke. Është një avaz i vjetër ky që e dëgjojmë herë pas here. Nuk kishte se si të mos e dëgjonim edhe njëherë. Foli Kryeministri i Shqipërisë shumë qartë dhe prerë, nuk kishte se si të mos reagonin grekët. Por, problemi është fare i qartë. Ka Himarë shqiptare. Ç’punë kanë grekët me Himarën, se çfarë prishet e ndreqet aty? Këto punë i di shteti shqiptar dhe jo Athina. Unë e kam jetuar vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë sjelljen e shtetit grek, sjelljen e kishës greke, sjelljen e PBDNJ-së në kohën kur kam qenë deputet në Parlament. Por e kam përjetuar sjelljen e shtetit grek edhe nëpërmjet lobingjeve me ndërhyrje direkte duke shkelur edhe konventa. Ka pasur raste që dhe parlamentarë dhe zyrtarë grekë që vinin grupe-grupe, duke sjellë dhe frymë kërcënuese mbi Himarën. Arrinin deri aty sa thoshin se në Himarë do të vinte organizata famëkeqe e 17 Nëntorit apo dhe me deklarata për të terrorizuar popullatën atje sa në është dashur të dërgonim edhe forcat Renea në atë qytet. Sot duket si përrallë por ka qenë realitet që ka ndodhur vetëm pak vite më parë. Ndaj vlerësoj shumë qëndrimin e Edi Ramës. Sjellja e shtetit shqiptar është plotësisht adekuate, e ekuilibruar, duke respektuar dhe parimin e miqësisë midis dy popujve. E kundërta ndodh me politikën greke. Ajo e shprehur nëpërmjet ministrit të Mbrojtjes, ka mbetur ende te lobinjgjet. Himara është shqiptare, dhe nuk ka diskutim, si në aspektin demografik edhe etnik. Të gjitha këto reagime nga Greqia vijnë sepse ka qenë politika shqiptare, e padenjë dhe servile e viteve të fundit që u hapi dyert. Edi Rama prej katër vitesh po u bënë të qartë grekëve dhe jo vetëm se ky vend ka zot dhe ju e keni kufirin atje ku e kini.

 – Doktor, ne kemi ende të pazgjidhur çështjen e ligjit të Luftës. Mendoni se është momenti që të diskutohet si dy vende fqinje?

– E kam theksuar vazhdimisht këtë çështje. Ai ligj është përmendur dendur, është një ligj krejtësisht skandaloz dhe absurd. Jashtë çdo realiteti të Luftës së Dytë dhe aq më shumë të zhvillimeve deri më tani. Dhe dihet pse e mbajnë grekët ligjin e luftës. E kanë të gjithë tek pronat e shqiptarëve në Greqi, sidomos të popullatës çame të dëbuar. Kohë më kohë kanë bërë nga një gjë medemek, sikur ky ligj nuk pengon marrëdhëniet etj, etj, midis dy vendeve. Fakti që e mbajnë ata këtë ligj tregon se politika greke ende nuk është çliruar sikurse deklaratat për Himarën. Nuk është çliruar nga kompleksi i vjetër 70-vjeçar do të thosha unë, për të mos thënë që edhe ai i 70-vjeçarit në vijim i politikës antishqiptare të lobingjeve apo të qeverive greke të paraluftës. Kështu që kjo vijimësi e politikës, që qartësisht është antishqiptare sepse popullata çame është shqiptare dhe në fakt ajo është çështje shqiptare, nuk është thjesht çështje çame.

– Në këtë kontekst, Doktor, a duhet të rinjihet, të ritheksohet çështja çame në marrëdhëniet me Greqinë?

– Pa diskutim! Derisa të zgjidhet, ajo duhet ngritur dhe ringritur derisa të zgjidhet. Politika e jashtme e shtetit shqiptar, nëqoftëse nuk i qëndron konsekuent, në mënyrë korrekte dhe koherente çështjes çame, sepse ajo kuptohet është një çështje e madhe e interesit kombëtar, nuk është një çështje periferike që mund të mbyllen sytë para saj.

– Kemi një gjë konkrete që e shikojnë të gjithë, mungesën e një vizite të Ramës në Greqi zyrtare ose anasjelltas. Nuk ka ardhur kryeministri i Greqisë në Shqipëri. Vizita e kryeministrit dhe sidomos afrimi me Turqinë i yni, mos ka ndikuar në këto marrëdhënie?

– Unë kam përshtypjen që politika greke në rastin konkret, të mungesës së vizitave të kryeministrave, është do të thosha një politikë tensioni nga qejfmbetja prej deklarimeve të qëndrimeve të qeverisë shqiptare. Ata nuk e gëlltitën dot qëndrimin dinjitoz në përputhje me interesin kombëtar të qeverisë shqiptare, pasi u mësuan me qaravitjet e politikanëve para këtyre katër viteve. Kështu që grekët i qëndrojnë, ose u ngrehosën një çik, 20 vjet, po talleshin në njëfarë mënyrë, ndërhynin kur ju donte qejfi, kërcënonin parlamentin dhe Këshillin e Europës. Tani pas hyrjes në NATO dhe avancimit të çështjes shqiptare drejt BE, kuptohet që pesha e qëndrimit të tyre e ka humbur ndikimin, si të thuash që ishte shumë i rëndësishëm dikur ndaj proceseve integruese të vendit. Kështu që ata tani këtë zemëratë që kanë, e shprehin edhe në formën e kërcënimit që ne nuk po shkëmbejmë këto vizitat e këtij niveli. Por do të thosha që në substancë, këto do të jenë kalimtare sepse interesat e të dy vendeve janë për marrëdhënie miqësore, janë interesa konkrete, objektive, janë dy popuj që kanë aq shumë lidhje popullatat tona. Janë qindra e mijëra shqiptarë atje, dhe bankat greke shihen çfarë interesash kanë në Shqipëri. Kështu që këto poza të tilla të qeverisë greke, unë do të mendoja që do të ishin kalimtare dhe do të shuhen në rrugë e sipër. Ajo që do të pengojë për mua marrëdhëniet në themel të tyre, do të jetë derisa të qëndrojë ligji i luftës. Këto qëndrimet e tjera do të jenë kalimtare, alla inat ballkanikësh.

– Në këtë vijim logjike që përdorët ju, besoni se ne si shqiptarë duhet të ndihemi të kërcënuar nga deklaratat e ministrit të Mbrojtjes të Greqisë?

– Absolutisht nuk kemi pse të shqetësohemi, absolutisht. Unë do të thosha edhe më parë, kur siç e quajta unë jargavitjen e politikës shqiptare ndaj politikës greke. Shqipëria është shtet sovran, jeton dhe mbijeton, pavarësisht nga Greqia. Marrëdhëniet midis dy vendeve objektivisht do të përmirësohen në vazhdimin tonë, në mënyrë objektive, konkrete. Transhenë e marrëdhënieve e kanë vendosur popujt që pothuajse janë kryqëzuar aq shumë, sa vetiu politika do të ndjekë këtë. Politika shqiptare ka qenë më adekuate në këtë aspekt. Kështu që nuk e kërcënon perspektivën e marrëdhënieve ky qëndrim që unë e quaj të sipërfaqshëm dhe të përkohshëm të politikanëve grekë.

 

Deklarata e Kammenos

Ministri grek i Mbrojtjes: Me Shqipërinë do të donim marrëdhënie të mira… Ministri grek i Mbrojtjes, njëkohësisht kreu i partisë së djathtë të koalicionit qeveritar “Grekët e pavarur”, Panos Kammenos, tha se me Shqipërinë do të donim të kishim marrëdhënie të mira. “Nuk kanë asnjë arsye, as të na sfidojnë dhe as të shkaktojnë probleme te minoriteti grek. Kanë edhe ata interes, si një vend i NATO-s, të përpiqen të përmirësojnë marrëdhëniet me Greqinë”, tha Panos Kammenos.

Deklarata e politikanit grek vjen në një kohë, kur kryeministri Edi Rama tha se me Greqinë si një vend fqinj kemi ende probleme të pazgjidhura.

Kammenos ka theksuar se fqinjët e Greqisë duhet të izolojnë zërat dhe elementët ekstremistë.

“Përsa i përket faktit nëse kemi frikë në nivel mbrojtjeje, ju them se nuk ia kemi frikën askujt. As atyre që nuk kanë forcë ushtarake, dhe as atyre që kanë. Të gjithë ne duam që fqinjët tanë të mos udhëhiqen nga ekstremistë, por nga udhëheqës moderatorë, të cilët të mund të krijojnë një klimë sigurie dhe zhvillimi në rajonin tonë”, tha Panos Kammenos.

Ministri grek i Mbrojtjes është pyetur edhe për 7 rekrutët e ushtrisë greke, që pozuan duke formuar me pëllëmbë shqiponjën dykrenare.

“Ata që krijuan atë morën dënimet e parashikuara, si nga unë, ashtu dhe nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Por, nga ana tjetër, ai imazh që u pasqyrua nuk është i vërtetë”, tha Panos Kammenos.

Sipas ministrit, në ushtrinë greke ka edhe shumë fëmijë të emigrantëve shqiptarë, të cilët shërbejnë me nder dhe janë shembull në shërbimin ushtarak, duke vërtetuar se duan edhe atdheun e tyre Shqipërinë, por edhe atdheun e dytë Greqinë, vendin ku ose janë lindur, ose janë rritur.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU