Hazard po kthehet në qytetin ku nisi futbollin

Belgjika shënoi fitore të thellë 4:0 ndaj Hungarisë të dielën, duke arritur në çerekfinale të Evropianit. Eden Hazard fitoi epitetin e lojtarit më të mirë të ndeshjes, ndërsa ai do të ketë një motivim shtesë për përballjen me Uellsin, në çerekfinale që do të luhet në Lille.

Pikërisht në këtë qytet ka nisur karriera e futbollit e 25-vjeçarit. Qyteti, që është në kufi me Belgjikën dhe njihet si Rijsel në gjuhën flamande, ishte vendi ku Hazard u shpërngul në vitin 2005 dhe iu bashkua akademisë së Lilles, përcjell Koha Ditore shkrimin e Uefa.com.

Pasi ishte një nga yjtë e Kampionatit Evropian U-17 në vitin 2007 në Belgjikë, Hazard debutoi me të rriturit e Lilles po atë vit. Ai u zgjodh dy herë rresht lojtari më i mirë i ri në Francë, para se të zgjidhet lojtari më i mirë në vitin 2011 dhe 2012, ndërsa në edicionin 2010-11 kishte udhëhequr Lillen drejt titullit të Francës dhe Kupës së Francës.

“Jemi me fat që në çerekfinale luajmë në Lille. Unë e njoh qytetin shumë mirë. Nuk e njoh stadiumin e ri aq mirë, pasi nuk kam luajtur kurrë aty. Por, jam shumë i motivuar për përballjen e radhës. Do të jetë një festë e madhe të premten dhe shpresoj të ketë shumë tifozë të ndajnë këtë me ne”, ka thënë Hazard….(b.an)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU