Halimi: Votuam 36 nene të EURALIUS e OPDAT, ende s’ka dakordësi për çështjet politike

Deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi deklaroi se opozita nuk ka dhënë dakordësinë në tërësi për Draftin e reformës, por vetëm për ato nene që janë ndryshuar nga EURALIUS dhe OPDAT. Në lidhje të drejtpërdrejtë nga selia e PD në studion e emisionit “Top Story”, të Sokol Ballës, ai tha se për çështjet e diskutueshmne do të vijojnë negociatat.

“Vota pro ka patur të bëjë vetëm me amendamentet e ekspertëve të EURALIUS dhe OPDAT kuk janë ndryshuar rreth 36 nene të Drafteve të njëanshme. Ndryshime që kanë të bëjnë me komponentin anti-korrupsion. Për çështjet teknike që ekerptët kontribuuan opozita dha dakordësinë që të ecet nen për nen. Ndërkohë për çështjet politike që ndajnë palët, siç është zgjedhja e zyrtarëve në skemë, për këto çështje do të vazhdojnë negociatat”, tha Halimi.

I pyetur nëse reforma zgjedhore e artikuluar nga Lulzim Basha si “reformë mbi reformat”, do të jetë kusht për “drejtësinë” Halimi nuk dha një deklaratë të drejtpërdrejtë por i qëndroi të njëjtës deklaratë të Bashës.

“Duhet të ecim me procesin e reformës në drejtësi. Ajo që tha zoti Basha ishte e qartë, pa zgjedhje të lira nuk mund të ketë asnjë reformë tjetër. Opozita nuk ka kushte, por është në të drejtën e opozitës për të zhbërë të drejtën e banditëve të hyjnë në Parllament”, tha Halimi.

Në debat ka ndërhyrë edhe avokati Spartak Ngjela i cili debatoi me Halimin, teksa tha se “Nuk mund të ketë zgjedhje të lira pa drejtësi. Këtu s’ka drejtësi”.

Halimi u pyet edhe mbi praninë e dy ambasadorëve, atij të SHBA dhe të BE-së në mbledhjen e grupit parlamentar, e parashikuar për të martën.

“Në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, ambasadorët janë të mirëpritur në çdo kohë”, tha ai.

Po në lidhje të drejtpërdrejtë, Taulant Balla nga PS aludoi se opozita po i bën bisht reformës në drejtësi duke mos sqaruar, sipas tij, atë që u votua këtë të hënë në Komisionin e Posaçëm.

“Sot në Kuvendin e Shqipërisë është votuar në parim një projektligj dhe Kuvendi ka një procedurë edhe kur bëhet fjalë për ndryshime Kushtetuese sesi zhvillohet ajo. Nesër nis puna nen për nen për reformën në drejtësi”, tha Balla.

/a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU