Deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi ka dhënë një prononcim për mediat pas takimit të zhvilluar në selinë blu me ekspertët e opozitës për Reformën në Drejtësi dhe kryetarin Lulzim Basha.
I pyetur nga gazetarët mbi qëndrimin që do të mbajë nesër opozita në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Halimi nuk ka dhënë një përgjigje, por ka ripërsëritur qëndrimin se PD është në linjën e “Venecias”.
“Opozita gjatë gjithë këtij procesi ka qenë e hapur dhe me qëllim të mirë, dhe ka mëbshtetur çdo paragraf që ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit në sistemin drejtësisë. Kemi dhënë alternativat tona gjatë procesit për të luftuar korporitarizmin”, tha Halimi.
Më tej deputeti demokrat deklaroi se kryeministri Rama synon që të kapë sistemin e drejtësisë. Sipas tij, qëllimi i Ramës është të mbrojë personat e inkriminuar me të cilët vodhi zgjedhjet.
“Edi Rama është në konflikt të hapur interesi pasi do të kapë drejtësinë për të mbrojtur kriminelët me të cilët vodhi zgjedhjet dhe qeveris. PD do kërkojë nesër që drafti të pasqyrojë 1 më 1 rekomandimet e Komisionit të Venecias”, tha Halimi.