Grazie De Biasi!!

Francë 2016, do të jetë padyshim një Europian që do të mbahet mend gjatë jo vetëm në memorien tonë sportive, por mbi të gjitha edhe në atë kombëtare. Një rrugëtim shumë i vëshirë i kombëtares sonë drejt Parisit, që në rradhë të parë shembi përfundimisht muret e mosbesimit të ngritura ndër vite se nuk mund të ecim me hapin e më të mëdhenjve, sepse jemi vend i vogël dhe nga më të varfërit në Europë. Por tek shijon fitoren e ekipit tonë kombëtarë përballë Rumanisë dhe tek pret sesi do të jetë ecuria e kombëtares sonë në “Francë 2016”, natyrshëm është momenti për të reflektuar mbi gjithë këtë magji Kuq e Zi. Dhe kjo magji ka para së gjithash një emër… De Biasi!

Shpesh në turravrapet tona deklamative mbushur dhe me tone nacionaliste, “harrojmë” firmëtarin e këtij suksesi dehës. Ndodh si me ndërtesat ku shijojmë arkitekturën dhe lëmë mënjanë arkitektin. Është pikërisht merita e De Biasi-t ky sukses i yni, që ka ndryshuar shumë gjëra në jetët e gjithësecilit prej nesh. Natyrisht që ky europian nuk na ka bërë më të pasur, por absolutisht na ka bërë më krenarë si komb, duke na dhënë mundësinë të shpërfaqim jo vetëm vlera sportive, por edhe një tifozeri fantastike, si dhe bukurinë shqiptare që ka pushtuar sot thuajse të gjithë mediat kryesore europiane.

Por i gjithë ky look, nuk duhet të na bëjë të harrojmë hapat e parë të aventurës së De Biasit në tokën shqiptare. Ngadalë, me durim, duke përballuar mentalitete negative të skalitura ndër vite ndaj ekipit tonë përfaqësues, ai arriti të ngrejë një ekip, i cili në rradhë të parë kishte nevojë për besim tek vetvetja, e më pas këtë t’ua rrezatonte edhe shqiptarëve. Nuk është rrugë e lehtë për çdo trajner kombëtarje rrugëtimi drejt eventeve europiane dhe botërore. Aq më shumë në tokën shqiptare. Por De Biasi arriti t’ia dilte me një filozofi shumë të thjeshtë: ai u dashurua me Shqipërinë, gjë që më pas e ndihmoi dhe për të kuptuar forcën që vë në lëvizje shpirtin shqiptar. Këtë forcë patëm rastin ta shikojmë qartazi në këto 3 ndeshje të “Francë 2016”, ku motoja e 23 djemve të tij të kombëtares ishte: ne bashkë mund tia dalim! Dhe vërtetë ia dolën. De Biasi tashmë është një nga ne. Tek e sheh të përlotet duke kënduar himnin tonë kombëtar, kupton se ai vërtetë e do këtë vend dhe kjo është forca me të cilën ai vë në lëvizje edhe ekipin tonë kombëtar. Grazie De Biasi!

Armando Meta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU