“Një model fantastik bashkimi i grave të fshatit Qelëz në Pukë, edhe nën mbështetjen e BE kanë ndërtuar 10 serra dhe një inkubator të vogël prodhimesh lokale”.
Kështu u shpreh ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, i cili tha se kjo mbetet mënyra më e mirë për të rritur prodhimin, garantuar shitjen dhe maksimizuar të ardhurat nga bujqësia.
Gjatë një takimi të zhvilluar me fermerë, Peleshi siguroi këta të fundit se do të angazhohet personalisht duke bashkëpunuar me partnerët, për të mbështetur më tej zhvillimin e kulturave të kultivuara.
Ai i kërkoi parashtrimin e të gjithë kërkesave dhe nevojave kryetarit të bashkisë, për të mbështetur fermerët.
“Unë do angazhohem personalisht këtu për të ndërtuar një histori suksesi dhe për ta promovuar këtë tek të tjerët. Të gjitha nevojat tuaja, nëpërmjet kryetarit të bashkisë do t’i hidhni në një letër dhe unë do të angazhohem personalisht, në mos nga buxheti, me të gjithë partnerët tanë të vijmë të bëjmë këtu një histori suksesi. Që të shtoni sipërfaqe, të shtoni të ardhurat dhe këtë t’ia tregojmë të gjithë të tjerëve se kush është rruga që duhet ndjekur”.
/b.d