Grabitja në Rinas/ Rruga për te barku i avionit, pse bankat i transportojnë paratë jashtë

Grabitja e një makine në dalje të një banke në kryeqytet, në shkurt të vitit 2015, ishte e para e një serie vjedhjesh të mjeteve të transportit të parave, me destinacion aeroportin e Rinasit. Po atë vit, në dhjetor 2015, objektivi i sulmit ishte një automjet në rrugën që të çon për në Rinas. Në qershor 2016, grabitësit u “zhvendosën” në Aeroportin e Rinasit, ku sulmuan brenda tij makinën e transportit të parave. Në shkurt 2017-n, ndodhi një tjetër grabitje në Qafë Kashar, ku sërish ishin objektiv mjetet që transportonin paratë në aeroport. Për të mbërritur në ngjarjen e pestë, ditën e djeshme, ku krimi arriti kulmin dhe paratë u grabitën nga barku i avionit, që ishte gati për t’u nisur drejt Vjenës.

Ekspertët e sigurisë bankare thanë për Monitor se krimi në Rinas i ka ezaruruar të gjitha fazat gjeografike, ka filluar në qytet, ka vazhduar në Qafën e Kasharit, në ambientet e aeroportit dhe së fundmi edhe brenda avionit. Gjëja e vetme që ka mbetur të shpresohet është që ndonjë ditë të mos merret avioni peng me pasagjerë brenda!

Ekspertët shpjegojnë disa nga arsyet se pse grabitësit arrijnë me kaq lehtësi të vjedhin valutën që bankat transportojnë jashtë vendit me qëllim investimin e parave të lira në bankat e huaja.

Së pari, nga një ngjarje në tjetrën nuk ka pasur shtim të masave të sigurisë dhe kjo e inkurajon krimin të veprojë më tej.

Së dyti, zbatimi i udhëzimeve të ministrave të brendshëm, fillimisht ai numër 308 i miratuar në maj 2017 dhe udhëzimi i ri në mars 2018, që disiplinojnë lëvizjen e mjeteve të transportit të parave në Rinas, nuk janë zbatuar me korrektësi, ndërsa ka pasur mungesa ose trajnim të pamjaftueshëm të punonjësve të Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike (SHPSF-ve) që kyejnë këtë proces (kjo gjithsesi nuk lidhet me ditën e djeshme, ku grabitja ndodhi brenda në avion).

Në rastin e fundit, skenari ishte ndryshe nga grabitjet e tjera. Pasi janë lënë paratë brenda në aeroport, shoqëritë e sigurimit fizik janë larguar dhe vlerat janë futur në barkun e avionit dhe grabitësit i kanë marrë në procesin e fundit. Pra është siguria brenda aeroportit që ka ceduar, duke filluar nga masat në kargo, doganë, e aeroport, policia private e aeroportit dhe policia e shtetit, në një rast që ekspertët e sigurisë fizike e cilësojnë si skandaloz.

Grabitja ishte e mirëmenduar, pasi është studiuar momenti i fundit, si dhe janë përdorur kamuflazhe të Policisë Tatimore për të humbur gjurmën për të mos tërhequr vëmendjen.

Ekspertët e sigurisë pohojnë se duhet të ngrihet task forcë për të verifikuar ngjarjen dhe element e përgjegjësit që kanë çuar në cedimin e sigurisë së një prej institucioneve më strategjike në vend. Më pas duhet të mendohet për të shtuar masat e sigurisë në të gjithë vektorët e transportit të mjeteve monetare.

Në procesin e transportit të parave, aktorët e parë janë bankat, Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike (SHPSF) dhe kompanitë e sigurimit, që sigurojnë transportin. Këto të fundit, thonë ekspertët, janë dhe hallka më e dobët dhe nuk kanë peshë, ndryshe nga vendet e tjera të Europës.

Aktorët e dytë lidhen me pjesën e transportit, ku përfshihen SHPSF-të dhe policia e shtetit.

Faktori i tretë janë masat e sigurisë brenda në aeroport, në kargo, doganë, ku rol kanë policia private e aeroportit dhe policia e shtetit. Nisur dhe nga ngjarja e qershorit 2016, siguria brenda ambienteve të Rinasit mbetet shumë e dobët.

Ekspertët e sigurisë pohojnë se në vendet e tjera, përgjithësisht paratë ngarkohen në avionë në xhepa të veçantë të aeroportit dhe jo siç ndodh në Shqipëri, ku pasi hidhen valixhet, në një cep vendosen dhe paratë që transportohen nga bankat. Kjo metodë vë në rrezik edhe sigurinë e pasagjerëve të avionit. Ata sugjerojnë që bankat të përdorin chartera të veçantë për të lëvizur vlerat.

Brumbulli: Ka shumë pikëpyetje në këtë mes!

Spiro Brumbulli, kryetar i Shoqatës së Bankave thotë se kjo ngjarje ishte jashtë juridiksionit të bankave.

“Nga informacioni rezulton që është vjedhur te barku i avionit, kjo është shumë e rëndë nuk ka të bëjë me bankat”, pohon ai, duke shtuar se kjo është një ngjarje e rëndë dhe e përsëritur. “Si ka mundësi të hyjnë mjete në një zonë kaq të kufizuar, duke pasur brenda njerëz të armatosur dhe të panjohur”, pohon ai.

Brumbulli thotë se pas ngjarjeve të ndodhura më parë janë shtuar masat e sigurisë në transportin e vlerave monetare, por në rastin konkret, shqetësimi kufizohet në zonën e sigurisë së Rinasit.

“Avioni ishte i mbushur me njerëz dhe një makinë pa targa futet shumë kollaj, ka shumë pikëpyetje në këtë mes”, shton ai.

Pse bankat transportojnë paratë jashtë
Transferimi i parave jashtë vendit është një procedurë normale e bankave, të cilat një pjesë të parave të lira nga depozituesit (euro, dollarë, paund etj), i vendosin në institucionet financiare jashtë vendit, si formë alternative e investimit. Ky transferim kryhet fizikisht dhe kjo është një marrëdhënie që bankat e zgjidhin me shoqëritë private të sigurisë fizike.

Krahas dërgimit të tepricës së eurove apo dollarëve, (kur nuk kanë mundësi kreditimi apo angazhimi në investime të tjera në Shqipër për atë monedhë), bankat grumbullojnë edhe cash të një monedhe në treg. Zakonisht në Shqipëri grumbullojnë cash Paund ose Franga Zvicerane. Këto monedha i tregtojnë në Bankat Rajonale, zakonisht në Vjenë, por edhe Credit SwissZyrich duke i konvertuar në Eur ose dollar, të cilat ose i sjellin mbrapsht fizikisht në Shqipëri ose i kreditojnë në llogaritë me Bankat korrespondente në Austri apo Zvicer, në vartësi të Bankës që bën marrëveshjen. Ky është një trasanksion i thjeshtë këmbimi cash.

Transporti bëhet me Cargo Ajrore që është shërbim që e ofrojnë kompanitë Ajrore e quhet “High Value Cargo Service”. Ky është një shërbim i shtrenjtë, si rrjedhojë transaksioni i këmbimit bëhet me vlera të mëdha që të jetë i leverdisshëm dhe për këtë arsye disa banka bëhen bashkë për të rritur vlerën./Monitor

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU