Grabitja e parave, Sejko: E rrezikshme për bankat, si kreditë e këqija

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, komentoi rastet e fundit të grabitjeve të parave nga bankat apo gjatë transportimit të tyre, duke theksuar rrezikshmërinë e ngjarjeve të tilla. Në një intervistë për Aurora Sulçen në emisionin “Ekopolitikë”, kreu i Bankës Qendrore shpjegoi edhe arsyet e lëvizjes së shumave të parave për t’u transportuar jashtë Shqipërisë.

Ka pasur pikëpyetje lidhur me faktin, nëse duhet lejuar transporti fizik i parasë, a është kjo e lejueshme, për mënyrën sesi bëhet dhe duke qenë se ju keni miratuar dhe një rregullore.

Së pari, për pjesën e pyetjes që lidhet me transportin fizik, komentet kanë qenë përgjithësisht nga analistë, të cilët nuk kanë njohuri për mënyrën e funksionimit. Ka patur një farë reagimi, i cili është i drejtë, dhe kushdo që të ishte do të shfaqte shqetësim, pasi kur dëgjohen shifra me miliona, shtrohet pyetja ku po shkojnë këto para. Sigurisht që teprica e parave “cash” historikisht është transportuar me avion drejt bankave të huaja. Kjo ka të bëjë me menaxhimin e “cash”-it dhe këtu nuk shtrohet fare çështja nëse po shkojnë apo jo paratë e shqiptarëve jashtë shtetit, pasi siç shkojnë, ashtu edhe vijnë. Pra furnizohemi me “cash” dhe transportojmë “cash”-in e tepërt. Kjo është çështje e menaxhimit të “cash”-it. Nevojat për “cash” sigurisht që plotësohen në të njëjtën mënyrë, duke e marrë mbrapsht atë nga këto banka, kur është nevoja. Sasia e “cash”-it korrespondon me llogaritë bankare dhe këto llogari janë të rakorduara midis bankave dhe bankave korrespondente. Natyrisht që ky diskutim ka qenë dhe në momentin kur diskutohej për vendosjet me jashtë. Bankat në Shqipëri kanë tepricë likuiditeti, pra raporti kredi me depozita është 50 me 50.

Pra nuk japin kredi, nuk mund t’i mbajnë “cash” dhe sigurisht që do i transportojnë jashtë…

Teprica e fondeve në monedhë të huaj vendoset në banka të huaja, pasi aty ka një farë norme interesi, kurse për lekun do të investohen në bono të thesarit të qeverisë shqiptare. Në këtë logjikë, edhe tepricat e “cash”-it do të axhustoheshin nëpërmjet hyrjeve dhe daljeve nëpërmjet transfertave.

Pra është një procedurë normale?

Kjo është një procedurë standarde krejt normale. Pra nuk shtrohet fare pikëpyetja në këtë procedurë, e cila ka funksionuar dhe do të vazhdojë të funksionojë, pasi kështu funksion në të gjithë botën. Këtu shtrohet çështja që në zbatim të kësaj procedure, sa të sigurta janë paratë nga goditjet nga aktet kriminale. Pra, a sigurojnë kriteret e sigurisë që këto para të jenë të mbrojtura gjatë transportit të tyre apo në ambientet ku ushtrohet aktiviteti bankar, brenda zyrave dhe degëve të bankave. Fakti ka treguar që këto para janë sulmuar disa herë në transportin e tyre, pra transporti mbart një rrezik më të madh sesa vetë ambientet e bankave. Kjo është logjike, pasi bankat bëjnë një menaxhim brenda ambienteve, duke mbajtur sasi më të vogla në degët e tyre dhe goditja do të sillte pasoja më të ulta, duke pasur parasysh që këto para janë dhe të siguruara. Sigurisht që dhe paratë e transportuara janë të siguruara.

Ne si Bankë Qendrore pas ngjarjeve të ndryshme të vjedhjeve në bashkëpunim të ngushtë dhe me policinë e shtetit kemi rishikuar rregulloren për rritjen e kritereve të sigurisë. Në radhë të parë, për situatën që bankat kanë në ambientet e tyre, pasi ne jemi përgjegjës për sigurinë fizike të “cash” brenda ambienteve ku ushtrohet veprimtaria bankare. Njëkohësisht jemi këshilluar dhe kemi këshilluar Policinë e Shtetit nëpërmjet një bashkëpunimi shumë të frytshëm dhe shumë të mirë për të rritur masat e sigurisë gjatë transportit. Gjithashtu, janë bërë dhe disa ndryshime rregullative. Kompanitë, të cilat transportojnë paratë, janë shoqëritë e sigurisë private, të cilat licencohen nga Policia e Shtetit. Policia e Shtetit gjithashtu ka deklaruar se është duke rishikuar ligjin në drejtim të rritjes së masave të sigurisë, ndërkohë që dhe masat e transportit privat janë rritur. Ne si Bankë e Shqipërisë, nëpërmjet rregullores sonë, i detyrojmë bankat që në radhë të parë ta kryejnë transportin e vlerave monetare me shoqëritë e sigurisë private dhe në radhë të dytë këto para të jenë të siguruara nga kompanitë e sigurimit. Këto janë dy elementë kryesorë.

Në këtë grabitjen e fundit, a kanë qenë të siguruara?

Sigurisht që paratë kanë qenë të siguruara. Por e rëndësishme është që ngjarje të tilla të mos ndodhin më, të mos përsëriten. Pra duhen rritur masat e sigurisë. Përsëritja e këtyre ngjarjeve, do e theksoja se për vlerat që përfaqëson, nuk cenon stabilitetin e sistemit financiar.

Po ku është efekti negativ?

Në radhë të parë, efekti negativ është humbje për bankat. Ato kanë gjendje financiare të konsoliduar, por është një humbje. Efekti më i madh negativ nuk është humbja financiare, por humbja në imazhin që ne japim në sigurinë për investitorët e huaj; vetë bankat janë investitorë të huaj direktë. Në rast se ngjarjet përsëriten – se ngjarje sporadike ndodhin në të gjithë botën – por përsëritja e ngjarjeve të kthyera në një fenomen, atëherë kjo do të jetë një sinjal tjetër alarmi, sikurse është dhe kredia me probleme në nivel të lartë. Kjo do të krijonte një pasiguri në situatën e bankave si investime të huaja në Republikën e Shqipërisë. Për këtë arsye ne jemi adresuar dhe për këtë arsye ne kërkojmë që ngjarje të tilla të jenë….

Të zbardhura?

Të zbardhura dhe të minimizohen sa më shumë në të ardhmen.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU