“Gjyqtarët dhe Prokurorët i kanë emëruar partitë, pas reformës flasim për integrimin”

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein e ka konsideruar dje reformën në sistemin e drejtësisë si reformën më të rëndësishme për fuqizimin e demokracisë në vendin tonë duke i bërë apel klasës politike shqiptare që ta votojë pa asnjë mëdyshje.

Z.Fleckenstein, tema e ditës në debatin e brendshëm politik të Shqipërisë, por edhe në mesazhet e përsëritura të ndërkombëtarëve është reforma në drejtësi. Përse ky përqendrim kaq i lartë i energjive dhe i presionit politik në këtë çështje?
Sipas studimeve shqiptare, 90% e popullsisë shqiptare beson se reforma gjithëpërfshirëse e sistemit të drejtësisë është e domosdoshme, sepse është reforma më e rëndësishme për fuqizimin e demokracisë, por edhe të shtetit ligjor në vend. Unë personalisht bashkohem absolutisht me këtë opinion të publikut shqiptar.

Përse ka një nxitje për kryerjen e reformës së drejtësisë?
Kjo ndjehet më së shumti edhe tek artikulimet e përfaqësuesve zyrtarë të SHBA dhe BE… Kur Shqipëria aplikoi për anëtarësim në BE, Komisioni Europian rekomandoi 12 reforma prioritare. Pra, vetëm pas kryerjes së plotë të këtyre reformave do të mund të kishim një gjykim objektiv, nëse Shqipëria i përmbush apo jo kriteret për të qenë vend anëtar i BE. Reforma e sistemit të drejtësisë ishte një nga reformat me prioritet. Për më tepër, një reformë e plotë dhe e thellë e sistemit të drejtësisë do të lejojë që Shqipëria të shënojë progres edhe në kryerjen e reformave të tjera prioritare si lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Si i shikoni aktorët politikë shqiptarë? Kanë hyrë në garë shpejtësie për të bërë reformën në drejtësi? Apo thjesht aktrojnë, të detyruar nga presioni ndërkombëtar?
Gjykoj se është tërësisht në interesin e të gjithë politikanëve shqiptarë të kryejnë pa mëdyshje reformën në drejtësi, pasi shumica dërmuesve e votuesve të tyre e konsiderojnë këtë reformë si një nevojë urgjente e të rëndësishme për ta.

A mendoni që një reformë kaq jetike për shoqërinë dhe shtetin shqiptar mund të kryhet më së miri me këtë nxitim për ta kryer vetëm brenda pak muajve apo pak javëve?  Nuk e di ka qenë rezultat i këtij nxitimi apo zelli, por deri më sot në Shqipëri ka vetëm debat politik, por aspak një debat publik për këtë çështje madhore. Bota akademike, shoqëria civile apo më pak qytetarët, nuk janë përfshirë aspak në këtë diskutim madhor…
Sigurisht që reforma e plotë e sistemit shqiptar të drejtësisë nuk do të kryhet në vetëm pak javë e as në pak muaj. Procesi i kësaj reforme do kohë. Gjithashtu, nuk është proces i lehtë dhe për këtë shkak është kërkuar ndihma e shumë ekspertëve të huaj ligjorë. Këta ekspertë të huaj po bashkëpunojnë shumë me ekspertët ligjorë shqiptarë për të këshilluar parlamentin dhe qeverinë shqiptare gjatë gjithë këtij procesi. Për momentin mund të them se Shqipëria po punon sot për një paketë reformash tepër ambicioze. Si raportues i Parlamentit Europian për Shqipërinë, ndihem mjaft i kënaqur me këto zhvillime që po ndodhin tek ju.

A nuk ju duket se ndodhemi përpara një rrethi vicioz në procesin e kësaj reforme?
Për gjendjen ku është sistemi shqiptar i drejtësisë sot, gjithkush identifikon si shkaktarin kryesor vetë klasën politike ekzistuese. Emërimet e prokurorëve e gjyqtarëve janë bërë me përzgjedhje politike. Jo në pak raste prokuroria apo gjykata janë përdorur si armë sulmi apo proteksioni nga politikanët e lartë. Tani po i lihet po kësaj klase politike të ribëjë sistemin e drejtësisë. Kjo klasë më së fundi ka dhënë vetëm dëshmi të së kundërtës, të lidhjeve me krimin, infiltrimin e tij në administratë, madje edhe në parlament të individëve me rekorde penale apo kriminale.

Pse duhet të ketë besim shoqëria shqiptare te kjo reformë? po ju ndërkombëtarët nga e kini këtë besim?
Qëllimi i reformës në sistemin shqiptar të drejtësisë është të rregullojë të gjitha mangësitë e keqfunksionimin në sistemin gjyqësor të sotëm. Kjo do të thotë që duhet të adresohet politizimi i gjyqtarëve dhe limiti i përgjegjësisë së gjykatës, niveli i lartë i korrupsionit, mekanizmi i pamjaftueshëm i kontrollit të vendimeve të gjyqësorit si dhe zgjatja e tepruar e proceseve gjyqësore. Si rezultat i reformës, gjyqtarë dhe prokurorë duhet të jenë të pavarur dhe të përgjegjshëm, por edhe të ulet ndjeshëm ndikimi i politikës mbi drejtësinë.

Z.Fleckenstein kur e njihni për herë të parë Shqipërinë? Kini studiuar apo vizituar atë më parë?
Hera e parë që kam qenë në Shqipëri, ka qenë gjatë luftës së Kosovës. Në atë kohë unë isha drejtori i Organizimit Social për Mirëqenie të Gjermanisë, i cili menaxhonte dhe mbështeste një kamp refugjat në Shqipëri.

Elinda Sulejmani / GSH

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU