Gjykata vendos rifillimin e punimeve te “Veliera”, Guri: Beteja vijon në Strasburg

Pas disa seancave të shtyra, gjykata ka marrë vendim lidhur me projektin e “Velierës” në Durrës. Në seancën e zhvilluar sot, Gjykata Administrative e Durrësit vendosi vijimin e punimeve për ndërtimin e nënkalimit te “Veliera” ndërsa punimet do të ndalen vetëm në zonën A. Shoqëria civile ka mbetur e pakënaqur me vendimin duke paralajmëruar apelimin.

Avokatja e Shoqërisë Civile, Mirela Jorgo u shpreh se “nuk jemi as vetë të qartë, nëse është fitore apo humbje, pasi është një vendim enigmatik dhe këtë vendim ne do ta çojmë në Apel”.

Gjithashtu aktivisti i Shoqërisë Civile, Sazan Guri është shprehur i pakënaqur nga ky vendim duke u thënë se “kjo betejë do të vazhdojë në Strasburg”.

Avokatja Jorgo tha mes të tjerash se, “padia e Shoqërisë Civile është pranuar pjesërisht, pasi nuk është marrë asnjë vendim në lidhje me ndërtuesit, të cilët kanë ndërtuar në një zonë arkeologjike”.

Ndërtimi i nënkalimit tek Veliera prej kohësh ka hapur një debat, ku Shoqëria Civile ka protestuar në lidhje me ndërtimin në një zonë ku janë zbuluar rrënojat e Durrësit të Vjetër, duke kërkuar edhe dënimin e Vangjus Dakos për shpërdorim detyre dhe shkatërrim të pronës publike./a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU