Gjiknuri: Precedenti që kërkon të instalojë PD çon në krizë permanente

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste Damian Gjiknuri, njëkohësish drejtues politik i Qarkut të Vlorës komentoi në një intervistë për ABCNews aktualitetin politik.

I pyetur për protestat e opozitës, Gjiknuri theksoi se “nga pikëpamja numerike ka një tkurrje të tyre. Kur ndodhin tkurrjet mund të ketë dhe ndonjë tendencë për veprime më të dhunshme. Kjo bëhet me të vetmin qëllim që të përmbushin misionin politik që i kanë vënë vetes për të tërhequr vëmendjen dhe imponuar atë që e quajnë zgjidhje të tyren. Nuk kemi të bëjmë me zemërim popullor por me misionin e një grupi të veçantë politikanësh të etur për pushtet që kanë kontrollin e disa partive politike dhe tërheqin pas tyre mbështetësit e flaktë që i ndjekin aq sa mund të përballojnë protestën”.

Në vlerësimin e Gjiknurit heqja dorë nga mandatet është antikushtetuese dhe gjithashtu edhe tentativa për të krijuar një krizë kushtetuese në vend. “Mandati është një instrument i nevojshëm përfaqësimi që mban një parti politike të gjallë në parlament. Djegia e mandatit nuk zëvendëson format tjera të ushtrimit të presionit pasi qëndrojnë paralelisht. Forma e zgjedhur nga PD është natyrisht një vetvrasje, në terma afatgjata do ti kushtojë shumë Partisë Demokratike dhe mbi të gjitha do ti kushtojë vet Lulzim Bashës. Dikush mund ta ketë përdorur, ose ai që i ka dhënë këtë këshillë, nuk ka qenë njeriu i duhur për të ja marrë parasysh pasi do të jetë si avangardë për të tjerë që mund të kenë qëllime për marrjen e asaj opozite. Kush djeg veten nga mandati digjet politikisht”, nënvizoi Gjiknuri.

Ne, vijoi Gjiknuri, nuk jemi të lumtur që opozita dogji mandatet. “Arsyet ishin artificiale dhe nuk justifikohen nga situate politike në vend. Opozita ka patur rolin e saj në proceset zgjedhore, ka qenë pjesë e marrëveshjeve të rëndësishme qoftë edhe reforma elektorale që ishte duke u përfunduar. Të mos harrojmë që në 2017, ka qenë opozita që ka patur më shumë pushtet mbi administrimin zgjedhor përfshirë administrimin e shtetit, krahasuar me çdo opozitë tjetër në të kaluarën. Të instalosh një precedent të tillë siç dëshiron PD është e rrezikshme për një krizë permanente në Shqipëri. Nëse hara-kiri i tillë instalohet si precedent atëherë do të thotë të shembësh sistemin politik”, këmbënguli Gjiknuri.

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS tha se kauza e zgjedhjeve të vjedhura është një kauzë tërësisht artificiale. “Jam njeri që jam marrë vazhdimisht me zgjedhjet në të kaluarën edhe si ekspert. Nuk ka mundësi të tjetërsohen mandatet dhe votat në mënyrën që të të dhurojnë pushtet në tavolinë”, u shpreh Gjiknuri. Përjashtim mund të bëjë rasti siç ishte ai i vitit 2011 përshembull kur për shkak të diferencës së vogël ju e patë se si u angazhuan mekanizmat e pushtetit për të ndryshuar rezultatin në Tiranë. Por gjithësesi, ky sipas tij, ishte rasti i një diference shumë të ngushtë të votave.

Pyetur mbi akuzat e PD për çështjen e zgjedhjeve, Gjiknuri tha se nuk ka asnjë çështje ndaj tij dhe se pretendimet janë thjesht akuza politike që u bëhen personazheve që kanë mbështetje dhe peshë elektorale. “Në Dibër, PD ka firmosur çdo procesverbal dhe nuk ka nxjerrë asnjë pretendim duke u dakordësuar plotësisht me rezultatin e votës së qytetarëve. Dibra ishte një fitore e thellë dhe vet PD në mbledhjen e forumeve drejtuese në atë kohë e pranoi se ka qenë fushatë e gabuar, me një kandidat të gabuar dhe problemet e tyre të strategjisë elektorale. PD godet njerëzit që kanë pushtet apo peshë elektorale, nuk godet njerëz pa impakt. Janë goditur njerëzit që kanë qenë të suksesshëm dhe që kanë sjellë fitore në betejat zgjedhore”, u shpreh Gjiknuri.

Referuar për postin e Sekretarit për Çështjet Zgjedhore në të cilin e rimandatoi Kryesia e PS, Gjiknuri theksoi se “vazhdimisht kam qenë person kyç në Partinë Socialiste për çdo reform të karakterit elektoral. Kam qenë pjesë e ndryshimeve të Kodit, ndryshimeve të Kushtetutës, kam qenë i mbështetur dhe nga institucionet ndërkombëtare të asaj kohe që bashkë me kolegë të PD të hartonim ligje elektorale konsensuale. Nëse duan të akuzojnë politikisht, atëherë më duhet të them se PD nuk mund të caktojë se kush merret me punët në Partinë Socialiste”.

g.kosovari

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU