Gjetan Gjetani: Telefonata ime me Ramën një ditë para përjashtimit

Deputeti socialist për zonën e Kurbinit, Gjetan Gjetani tregon se veprimi i Kryeministrit Rama për përjashtimin e tij nga PS, ishte shumë i padrejtë, pasi është munduar që të evidentojë shqetësimet e qytetarëve, të cilët i janë ankuar për situatën e rëndë të kriminalitetit. Për gazetën ‘Shekulli’ Gjetani shprehet se Kryeministri është nxituar në vendimin e tij, në shkelje të statutit.

“Unë kam folur vetëm për zonën e Kurbinit. Nuk pajtohem me vendimin që ka marrë kryeministri. Ai ka të drejtë që të largojë anëtarët, mbase e njeh më mirë sesa unë statutin. Unë nuk di të kem shkelur ndonjë vendim apo pikë të statutit. Kam marrë vendim për tu larguar. Nuk e di se çfarë ka pasur në kokë Kryeministri. Unë gjykoj se është nxituar dhe nuk duhet ta kishte marrë këtë masë ndaj një deputeti. Ndoshta është ndikuar nga propozimi im për protestë, por unë e kam kërkuar këtë në rast se kryeministri nuk do të merrte masa për pastrimin e krimit në Kurbin. E përsëri, unë i pari dal në protestë për situatën”, tha deputeti Gjetani.

Në vijim të kësaj bisede Gjetani bën me dije, se nuk ka ndryshuar qëndrim për atë që ka shprehur, pasi është zgjedhur për të përfaqësuar shqetësimet e qytetarëve.

Një ditë para këtij vendimi, Gjetani është telefonuar nga Kryeministri Rama, i cili e ka kritikuar për sjellje të keqe dhe i ka komunikuar largimin nga partia.

“Çfarë të keqe ka këtu? Të përfaqësoj interesat e qytetarëve të Kurbinit që kanë dhënë mandatin për t’i përfaqësuar në Parlament, apo duhet të mbyll gojën sepse i ngel qejfi Ramës. Këtë e prisja, pasi ma ka komunikuar në telefon një ditë përpara dhe më kritikuar për sjellje të keqe”, tha Gjetani.

/b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU