Gjermania: Vettingu po ecën mirë, mbështesim Shkollën e Magjistraturës!

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz, vlerëson procesin e vetingut, i cili, sipas saj, po prek nivele të larta të sistemit të drejtësisë.
“Mekanizmi për verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është një kolonë mbështetëse e reformës së sistemit të drejtësisë në Shqipëri, e cila po mbështetet prej vitesh nga Gjermania”, u shpreh dje ambasadorja gjermane Susanne Schütz, në faqen e ambasadës gjermane në “Facebook” për ecurinë e procesit të vetingut.
Ambasadorja Schütz shton se, “unë e përshëndes faktin që procesi i vetingut i nisur në muajin mars ka përparuar mirë”.

“Falë punës së rëndësishme të Komisionit të Pavarur të Kualifikimeve dhe përkrahjes së përkushtuar të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, u bë e mundur që në fazën e parë të vetingut të verifikohen shumë gjyqtarë dhe prokurorë, madje edhe të nivelit të lartë. Jam e bindur se një proces verifikimi i pavarur dhe me standarde të njëjta do të ndihmojë në forcimin afatgjatë të shtetit ligjor dhe të besimit të shqiptarëve në sistemin e drejtësisë”, shprehet ambasadorja Schütz.

Ajo kërkon që menjëherë pas këtij procesi vetingu, të ngrihen institucionet e reja të drejtësisë dhe të plotësohen vendet vakante në gjykata. “Prandaj, është e rëndësishme të krijohen këshillat e lartë për plotësimin e vendeve vakante si dhe Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese të rimarrin sa më shpejtë të jetë e mundur aftësinë e tyre ligjore. Në këtë kuptim, Gjermania do të mbështesë edhe Shkollën e Magjistraturës në zgjerimin e kapaciteteve të saj arsimuese dhe kualifikuese. Gjermania qëndron krah Shqipërisë, duke mbështetur vendin në rrugën drejt negociatave për anëtarësimin në BE”, shkruan ambasadorja Schütz në “Facebook”.

GJERMANIA

Gjermania ka qenë mjaft aktive në mbështetje të reformës në drejtësi, ndërsa nuk kanë munguar deklaratat për ngritjen sa më të shpejtë të organeve të reja të saj. Pas vendimit të Këshillit Europian, janë rritur shumë kontaktet me ministrat e kabinetit Merkel. Ministri gjerman e Shtetit, Michael Roth, i cili vizitoi Tiranën në fund të korrikut, i kërkoi qeverisë dhe opozitës që të marrin përgjegjësitë e tyre për të mos e lënë vendin pa gjykata.

“Në qoftë se nëpërmjet një procesi të ndershëm dhe transparent, por njëkohësisht dhe tepër strikt, në një moment do duhet të pushojmë gjykatës apo prokurorë të caktuar, atëherë do duhet që në një moment të mëvonshëm të kemi dhe gjykatës apo prokurorë të rinj, të cilët me ekspertizën e tyre do duhet të përmbushnin këto boshllëqe. Sepse një sistem drejtësie që nuk funksionon, do të ndikonte dhe në fusha të tjera mjaft të rëndësishme të jetës në vend”, u shpreh Roth në Tiranë, gjatë një konference për shtyp me ministrin Bushati. Ai i kërkoi opozitës dhe qeverisë të marrin përgjegjësitë që u takojnë për vendin.

“Dhe pikërisht ky proces, sa i rëndësishëm dhe i vështirë për Shqipërinë, kërkon nga njëra anë një masë të lartë të vetëdijes dhe ndërgjegjësimit nga ana e qeverisë, e po kaq e lartë kërkohet të jetë masa e vetëdijes dhe ndërgjegjësimit dhe nga ana e opozitës. Ndaj, unë do të shfrytëzoja rastin t’u drejtoja një apel të gjithë personave përgjegjës, të gjithë politikanëve përgjegjës të Shqipërisë, që të marrin përgjegjësitë e tyre në mënyrë të tillë që të mos rrezikojnë rrugën e Shqipërisë drejt BE”, u shpreh Roth. Pak ditë më vonë, ministri i Jashtëm gjerman, Haiko Maas, u kërkoi forcave politike në vend që të mbështesin reformat që do ta çojnë vendin drejt hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. “Është vendimtare që kjo rrugë të vazhdojë”, tha ministri Maas gjatë takimit që zhvilloi në Berlin me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU