Gjermania akuzon NATO-n: Po nxit luftë me Rusinë

Gjermania akuzon NATO-n për nxitje të luftës me Rusinë me stërvitjet ushtarake në Europën Lindore dhe i bën apel aleancës të përpiqet të përmirësojë dialogun me Moskën. 
Ishte shefi i diplomacisë gjermane ai që hoqi dorashkat e tha hapur se manovrat e nisura këtë muaj janë kundërproduktive sa i takon sigurisë rajonale e mund të përflakin tensionet me shtetin rus. Në vend të kësaj, ministri sugjeron të shtrihet dora e bashkëpunimit.

“Ajo që nuk duhet të bëjmë ne tani është pikërisht ndezja e mëtejshme e situatës përmes vringëllimës së shpatave dhe nxitjes së konfliktit. Kushdo që beson se një paradë simbolike tankesh ë kufirin lindor të aleancës do të kontribuojë për sigurinë, e ka gabim. Ne duhet të tregohemi të matur e të mos krijojmë pretekste për ripërteritjen e një përballjeje të vjetër”, u shpreh Frank-Walter Steinmeier.

NATO-ja nisi në 7 qershor në Poloni stërvitjen për një sulm të simuluar rus. Nisma dy javore përfshin 31.000 trupa, ndër të cilat 14.000 janë nga Shtetet e Bashkuara, 12.000 nga Polonia dhe 1.000 nga Britania, si dhe dhjetëra avionë luftarakë, anije e 3.000 makina ushtarake.

Stërvitja synon të testojë aftësitë e aleancës atlantiko-veriore për t’iu përgjigjur kërcënimeve të sigurisë e zhvillohet çdo dy vjet. Por, Moska në mënyrë të përsëritur e ka bërë të qartë se prania e trupave të NATO-s aq pranë kufirit të saj, e shqetëson dhe lë shteg për acarime. TCH

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU