Galeria e FOTOVE/ Historia e shtangistit që u zgjodh president

Ilir Meta i përket asaj kaste të politikës shqiptare, i cili ka qënë në pushtet si ministër, zv.kryeministër, kryeministër, kryetar i LSI-së, kryetar i Kuvendit dhe me 24 Korrik 2017 u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë.

Ilir Meta qeverisi për tetë vite me radhë, herë djathtas e herë majtas. Krijoi një parti politike që jo pak herë është kritikuar për klientelizëm dhe blerje votash, por ai doli mbi skandalet që do të kishin fundosur çdo politikan, që nga zhdukja e arit dhe videoja e fshehtë e vitit 2011, ku Meta u kap me bllok në dorë.

Por fillimet e karrierës së Ilir Metës nuk kanë qënë në politikë. Meta karrierën e tij e ka nisur si shtangist.

Ai zgjodhi peshëngritjen, e cila i shkonte për shtat edhe me fizikun. Me fanellën e Tiranës e të Dinamos zhvilloi disa kampionate, ku në ato pak vite nuk pati ndonjë rezultat.

Ndryshimi i sistemit e gjeti Ilir Metën student në fakultetin ekonomik.

Ishte vetëm 23 vjeç kur u zgjodh edhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, e që atëherë ka qenë gjithmonë aty, si deputet, ministër, kryeministër e kryetar Kuvendi.

Pas përplasjeve të shumta me Fatos Nanon, ai arriti të merrte postin e kryeministrit në vitin 1999, kur ishte 30 vjeç. Gjatë kësaj kohe u shënua edhe skandali më i madh deri në atë kohë: Vjedhja e thesarit të shtetit. Megjithëse kjo ngjarje bëri bujë, për të u dënuan vetëm disa fshatarë, ndërsa çështja u mbyll me thesarin që u zhduk.

Ilir Meta së bashku me disa anëtarë të Partisë Socialiste në vitin 2004 krijoi, Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ishte kjo ndarje e së majtës e cila i hapi rrugë kthimit të Berishës në pushtet në vitin 2005.

Por ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008, e futën Ilir Metën në grevë urie brenda Kuvendit të Shqipërisë. Ajo ishte krisja e dytë me Partinë Socialiste, gjë që e mbajti Berishën në pushtet edhe për katër vitet të tjera.  Dy forcat politike arritën të bashkëqeverisnin për katër vite, deri në marrëveshjen e 1 prillit që e riktheu timonin e Metës majtas.

Fotot më poshtë tregojnë si ka ndryshuar në vite. Ilir Meta e filloi politikën me super peshë, një ditë u tha si filiz, por sërish i vaditur nga fati rierdhi në formë.(CNA.al)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU