Gabimet e Bush-Blair dhe luftrat preventive të Perëndimit

Nga Skënder Minxhozi/

Një dekadë e tërë luftrash të përgjakshme, të cilat nisën me ndërhyrjen në Irak e vijojnë ende me konfliktet në Afrikën Veriore dhe Siri, duket se ndodhet aktualisht nën gjykimin e rreptë të opinionit publik botëror, pas konkluzioneve të komisionit Chilcot në Britaninë e Madhe. Ky komision që shqyrtoi rreth 150 mijë dokumente që lidhen me luftën në Irak, nxorri si përfundim pas shtatë vitesh hetimi intensiv, se urdhëri i kryeministrit Toni Bler për të ndërhyrë në Irak kishte qenë “një vendim i nxituar”.

Komentet e reagimet e panumërta që pasuan gjetjet e Komisionit Chilcot në mbarë botën, na japin përmasat e lëkundjeve sizmike që ky hetim ka shkaktuar mbi aktorët kryesorë që vendosën luftën në Irak – kryeministrin Bler, por indirekt edhe presidentin amerikan Xhorxh W. Bush. Bler del me kocka të thyera nga ky hetim, u shpreh korespondenti Enrico Franceschini i La Repubblica nga Londra. Të ngjashme kanë qenë reagimet edhe nga faktorë politikë dhe mediat më të mëdha të globit.

Gjithsesi edhe pa konkluzionet formale të Komisionit Chilcot, reputacioni i Toni Bler ka rënë në mënyrë drastike në opinionin britanik, e kjo pikërisht për shkak të kthjellimit të shkaqeve e rrethanave që çuan në luftën tejet të kushtueshme të Irakut. Kanë qenë të shumtë zërat në Britaninë e Madhe, për një gjykim të ish-kryeministrit, për atë që shumëkush e sheh sot si një gënjeshtër të madhe që ai ngriti pas perdeve të Dauning Street, në dëm të të gjithë popullit britanik.

Damkosja politike e Toni Bler është në fakt simptoma madhore e një vemdimmarrjeje dramatike shumë më të gjerë, nga ana e fuqive të mëdha perëndimore. Një proces i cili vijoi edhe shumë vite pas luftës në Irak, përkatësisht me reaksionin zinxhir në vendet e Afrikës Veriore si Egjipti, Libia dhe Tunisia, si dhe me luftën civile në Siri e cila vijon ende. Entusiazmi amerikan i eksportimit të demokracisë në këto vende me regjime autoritare dhe gjysëm tribale, si dhe tundimi që pati administrata Obama në lidhje me rrëzimin e një numri diktatorësh të urryer të tipit Gedafi, shkaktoi një degjenerim të plotë të situatës në këto vende, duke i dhënë jetë proceseve pjesërisht ose tërësisht të pakontrollueshme, siç është rasti i Shtetit Islamik.

Në debatin e sotëm elektoral në SHBA duket kurioz fakti që një kandidat konservator si Donald Trump të deklarojë se Libia, Iraku dhe Siria u kthyen në “universitetet e terrorizmit ndërkombëtar”. Të thëna nga një lider politik që natyrshëm duhet të shtyjë drejt luftës dhe konfliktit, për shkak të prejardhjes dhe përkatësisë ideologjike e politike, deklarata të tilla bëjnë efekt tek opinioni publik amerikan dhe ai botëror. Ajo çka del nga qasje të tilla si ajo e Donald Trumpit, është se Perëndimi duket mëse i lodhur me fushatat shumëvjeçare të luftrave preventive, që ndërmorën fillimisht administratat Bush e Bler, e më pas edhe qeveritë që erdhën në vend të tyre. Nëse lufta e Afganistanit ishte një betejë logjike ndëshkimore, për të dënuar me zjarr një akt terrorist të përgjakshëm si ai i 11 shtatorit, luftrat që pasuan kishin vizion, logjikë dhe moral shumë më të dyshimtë.

Vakuumi që lufta në Irak la pas, kaosi që pasoi, së bashku me radikalizmin islamik, krizën ekonomike, qindra mijë të vrarët dhe konfliktet gjithfarësh që polli, është rezultati më i lexueshëm i vendimmarrjes së dyshimtë të qeverive perëndimore një dekadë e gjysëm më parë. Një hap që vazhdon të krijojë pasoja zinxhir, në një shkallë dukshëm më të madhe sesa taetri i luftës në vendin e Sadam Huseinit.

1 koment

PËRGJIGJU