Futbollisti Beqiraj në Rusi

Fatos Beqiraj është edhe zyrtarisht futbollist i Dinamos së Moskës. Sulmuesi kosovar ka arritur marrëveshje me klubin rus, ku u transferua nga kampionati bjellorus, ku ishte pjesë e Dinamo Minskut. Përfaqësuesi malazez ishte transferuar në Minsk në janar të vitit 2015 dhe aty luajti për një vit, duke realizuar 9 gola. Paraqitjet e mira me klubin bjellorus kanë bërë që moskovitët ta lakmojnë futbollistin, i cili tash do ta provojë eksperiencën e re në futbollin rus, shkruan Zëri. Në fakt, bëhet fjalë për transferimin e tretë të Beqirajt në Dinamo. Më saktësisht, ai në të kaluarën ishte pjesë e Dinamo Zagrebit, pastaj Dinamo Minsk dhe tash Dinamo Moska. Pejani bëhet futbollisti i dytë që transferohet në kampionatin rus, pas Bernard Berishës, i cili javë më parë iu bashkua Anzhit nga Skënderbeu, përcjell Zëri. 27 vjeçari e kishte nisur karrierën në Besën e Pejës, për të vazhduar më pas në Buduçnost në Mal të Zi dhe luajti edhe në Changchun Yatai të Kinës. Ai është përfaqësues i Malit të Zi që nga viti 2009. Me këtë fanellë ka zhvilluar 35 ndeshje dhe ka realizuar 5 gola.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU