Futboll/Prishtina padit disa klube shqiptare

Klubi i futbollit Prishtina ka dërguar padi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, për disa klube nga Shqipëria, të cilat kanë përfituar shuma të mëdha parash nga ish-futbollistët e Prishtinës.Lajmi është konfirmuar për sportin në KTV nga kryetari i Prishtinës, Remzi Ejupi, i cili nuk i ka zbuluar emrat e skuadrave shqiptare, por ka thënë se është i dëshpëruar me sjelljen jokorrekte të tyre.Ejupi ka theksuar se Prishtina e do vetëm pjesën që i takon me rregulloren e FIFA-s, ku është e përcaktuar pjesa e solidaritetit, në të cilën përfshihen rritja dhe edukimi i lojtarit.

Ai tregon se deri më tani, i vetmi futbollist që i është falënderuar Prishtinës dhe ka shprehur gatishmëri ta ndihmojë, është Eros Grezda që para dy javësh u transferua te Rangers.

Nga Prishtina te Skënderbeu janë transferuar disa futbollistë, por Agim Zeka dhe Liridon Latifi kanë pasur rastin që të kalojnë në klube evropiane, e për të cilët Prishtina nuk ka marrë para.

Ndryshe, nga Prishtina në klubet e tjera shqiptare janë transferuar edhe shumë futbollistë të tjerë, por të cilët nuk kanë pasur fatin të shiten në ndonjë klub evropian, ndërkaq nga kalimi i tyre në Shqipëri, “bardhekaltrit” nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim.

Me rregullore të FIFA-s, është e përcaktuar që 5% e transferimit të futbollistit t’i takojnë klubit ose klubeve ku lojtari është rritur, nga mosha 12 deri 23-vjeçare, përgatiti Koha. (b.an)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU