Fundi i një farse dhe fundi i karrierës politike të një tyxhari

Nga Enver Robelli

Gati tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të Kosovës dje mori fund një farsë. Behgjet Pacolli tha se ka vendosur të braktisë koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Mërmëriti për ndarjen e rrugëve mes partisë së tij dhe LDK-së. Tha se nuk ka bërë marrëveshje me koalicionin PAN për bashkëqeverisje, por njëkohësisht paralajmëroi një takim me Ramush Haradinajn gjatë ditës. Në fund të majit Pacolli tha në Kamenicë se koalicioni i partisë së tij (AKR) me LDK-në është «koalicion i shpresës». Pastaj u bëri thirrje zgjedhësve të përkrahin Refiqe Tërnavën për deputete në parlamentin e Kosovës. Refiqe Tërnava nuk mori besimin e qytetarëve për të hyrë në parlament dhe ky padyshim është lajm i mirë për demokracinë e brishtë kosovare. Lajmi tjetër i mirë është edhe largimi i Pacollit nga aleanca me LDK-në, sepse ai, në të vërtetë, nuk ka qenë kurrë në koalicion me LDK-në, por vetëm një «kalë Troje» i PDK-së në kampin kundërshtar politik. Është mirë që kjo maskaradë mori fund. Dhe me këtë, fatmirësisht, edhe karriera politike e një tyxhari. Për zbavitjen e publikut kanë qenë edhe deklaratat e Agim Bahtirit se AKR nuk do të bëjë kurrë koalicion me PDK-në.

Tani Pacolli sërish do të thotë se u sakrifikua për Kosovën, se e ka vështirë ta refuzojë Ramush Haradinajn, të cilin dikur e quante «mosmirënjohës» për paratë që ia kishte dhënë gjatë gjykimit në Hagë (sipas tij «1,1 milionë euro»). Dokrra në prag të vjeshtës.

LDK dhe kreu i saj Isa Mustafa bën një gabim të madh, kur e pranuan në koalicion AKR-në. Sepse AKR në thelb nuk është parti politike, por një grup parapolitik për ndjekjen e interesave të familjes Pacolli në fushën e biznesit, në privatizime hotelesh e fabrikash, në lojëra me sigurime, në ndërtime. Është si të thuash partia rezervë e PDK-së për raste emergjente. Dha ja ku shfaqet tani Pacolli për t’i «ndihmuar Kosovës». Pas kalkulimeve disa javore, pas shtirjes sikur nuk do të bëjë kurrë koalicion me PAN-in, pas «rritjes së çmimit», pas takimeve larg syve të opinionin ai mund të ketë negociuar një marrëveshje dobiprurëse për të dhe klanin e tij.

Deri më sot marrëveshjet politike që i ka bërë Pacolli kanë qenë në dobi të tij dhe në dëm të Kosovës. Në fund të viteve ‘90 tentoi të bëjë shumë dëm, duke pranuar rolin e emisarit të regjimit të Boris Jelcinit në «zgjidhjen e konfliktit të Kosovës». Në këtë mision u pengua sidomos nga Fehmi Agani, atëherë nënkryetar i LDK-së. Pas luftës Pacollit filluan t’ia ledhatojnë egon komandantët e shndërruar në politikanë dhe ia hapën rrugën për të hyrë në politikë me një qëllim: shkatërrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Situata qe e favorshme për shkak se LDK gjendej në duart e dy politikanëve të papërgjegjshëm (F. Sejdiut dhe N. Dacit), të cilët si atëherë dhe sot besojnë se egoja e tyre është më e rëndësishme se fati i një partie me merita historike, përkundër të gjitha mangësive e gabimeve që ka LDK.

Në shumë ministri kosovare tani nëpunësit presin me ankth se ku do t’i dërgojë Pacolli tyxharët e tij. Po flitet për pesë ministri që do të marrë AKR. Një fuqi marramendëse për një parti qe ka 4 deputetë dhe po të mos ishte LDK as që do të kalonte pragun për të hyrë në Kuvend.

A do të vazhdojë Pacolli «lobimin» për Kosovën aty ku e la kur ishte zëvendëskryeministër? Me nënshkrime kontratash me firma të dyshimta në Afrikë, duke ngatërruar rolin e tij. Me «dhurata» (kompjuterë dhe kolltukë) për sundimtarët në Mali. Me sigurimin e njohjeve, të cilat pastaj rezultonin të jenë të pasigurta apo të pavërteta. Duket se të gjitha këto nuk do të luajnë rol në politikën e Kosovës, me rëndësi që Pacolli të kryejë punën e patericës politike.

Tani po hyn në skenën politike «shpëtimtari i komandantëve»  ose: versioni kosovar i Bogolub Kariqit, i cili edhe kur nuk ishte fare në parlament formonte grup parlamentar. Pacolli tha se do të krijojë një grup të ri parlamentar në Kuvendin e Kosovës. Këtë nuk mund ta bëjë, sepse ka vetëm 4 deputetë (madje njëri prej tyre, Korab Sejdiu, mund të qëndrojë në LDK). Por, as për këtë nuk duhet të bëhet merak Pacolli. Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj do t’ia sigurojnë pastaj numrat për grup parlamentar. Në pazarin politik të Kosovës çdo gjë është e mundur. I lumtur mund të jetë tani për tani edhe presidenti Hashim Thaçi, i cili duke shkelur rolin e tij kushtetues ka bërë çfarë ka mundur që shumica shqiptare e deputetëve të mbetet në opozitë. Tani i mbetet Thaçit që bashkë me Pacollin ta nisin dhe ta përfundojnë procesin e pajtimit të Kosovës me Serbinë. Pacolli ka përvojë në këtë drejtim. Pak ditë pas pavarësisë së Kosovës i pati thënë një gazete kroate se Serbia është nëna e Kosovës. Që të dy, të asistuar nga Ramush Haradinaj, do të kenë vetëm një problem: rreth 60 deputetë shqiptarë të opozitës.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU