Fred Abrahams: Si u rizgjodh Berisha president mes plumbave në Mars 1997

Protesta kunder rizgjedhjes se Berishes

Ndërkohë, gjatë asaj nate në Tiranë Berisha u konsultua me Kryeministrin Meksi dhe Zëvendëskryeministrin Shehu. Ata ranë dakord që Meksi dhe Shehu t’u kërkonin udhëheqësve të opozitës të qetësonin turmat e Vlorës. Rreth mesnatës, katër drejtues të Partisë Socialiste dhe Skënder Gjinushi i socialdemokratëve erdhën në zyrën e kryeministrit. “Ata na kërkuan ndihmë të qetësonim Vlorën”, kujtoi njëri nga socialistët në takim, Namik Dokle.

psiqik
Socialistët pranuan të bënin një provë. Ata morën në telefon kryetarin e partisë së tyre në Vlorë, dhe i kërkuan të ndërhynte në emër të agjentëve të kapur të SHIK-ut. Gjinushi bëri një kërkesë të ngjashme, kujtoi Meksi. “Mos i përdhosni trupat”, kujtoi Meksi fjalët e Gjinushit.
Të nesërmen në mëngjes herët, Berisha foli përsëri me Meksin dhe Shehun. Ai ishte nervoz dhe i shqetësuar, kujtuan të dy burrat veç nga njëri-tjetri. Banorët e Vlorës ishin të armatosur dhe po ngrinin postblloqe jashtë qytetit. Berisha i habiti ata kur tha se ishte gati të jepte dorëheqjen dhe të shpallte zgjedhje të reja. Shehu tha se udhëheqja e Partisë Demokratike duhej të miratonte zgjedhjet e reja, por Berisha argumentoi se nuk kishte kohë. “Kjo është situatë emergjence dhe ne do të mbajmë përgjegjësi për këtë vendim”, kujtoi Shehu fjalët e Berishës. Pas dyzetepesë minutash, Berisha e mori përsëri Shehun në telefon dhe i tha se kishte ndërruar mendje. “E mendova edhe njëherë”, tha Berisha sipas Shehut. “Dhe vendosa të shpall gjendjen e jashtëzakonshme dhe jo zgjedhje të reja”.

Rreth orës 10.00, një Berishë i rigjallëruar takoi një delegacion të udhëheqësve të Partisë Socialiste. “Ne u munduam të gjenim kanal komunikimi, për të gjetur një zgjidhje dhe për të qetësuar situatën”, tha Namik Dokle, që takoi Berishën atë ditë. Socialistët po bënin thirrje për krijimin e një qeverie teknike dhe që Berisha të tërhiqte kandidaturën e tij si president. Duke qenë një rast i jashtëzakonshëm i përkimit në kohën më të keqe, mandati pesëvjeçar i Berishës mbaronte brenda një jave.
Berisha nuk premtoi asgjë, tha Dokle, sidomos përsa i përkiste rizgjedhjes së tij. Vite më vonë, këshilltarë të Berishës dhe drejtues të Partisë Demokratike më treguan se qëllimi i parë i Berishës mbi gjithë të tjerët ishte ruajtja e pushtetit. Pjesërisht, thanë ata, ai mendonte se për të drejtuar Shqipërinë në kohë nevoje kërkohej udhëheqje me dorë të fortë. Por mbi të gjitha, ai ishte i vendosur për të ndenjur si president. Ai mund të bënte kompromis pasi të kishte siguruar rizgjedhjen.

Në mbledhjen e qeverisë më vonë gjatë asaj dite, Berisha habiti shumë nga ministrat kur njoftoi se qeveria e Meksit duhej të tërhiqej nga skena. Ata natë në televizionin shtetëror, me pamje të lodhur, ai njoftoi se “për të zgjidhur problemet që janë krijuar, udhëheqësit e partive politike … dolën në konluzionin se qeveria Meksi do të japë dorëheqjen” .

Berisha e paraqiti dorëheqjen e qeverisë si kompromis – qeveria po u përgjigjej nevojave të popullit. Por pak banorë të jugut e pranuan lëvizjen, më pak nga të gjithë njerëzit me armë në dorë të Vlorës, për të cilët e vetmja gjë e duhur ishte dorëheqja e Berishës. “Ndërsa Meksi largohet, krimi mbetet”, shkroi në atë kohë mallkimi gazetaresk i Berishës, Frrok Çupi. “Vetëm Berisha ishte dhe është ende kryeministër, ministër, e kështu me radhë ” .

EVERTS4

Diplomatet ne lozhen e Kuvendit

* * *
Më 1 mars 1997, unë mbërrita në Tiranë me një koleg nga Human Rights Watch për të vëzhguar krizën. Isha nervoz. Qeveria më urrente pas raporteve të mia kritike dhe veprimtarive përkrahëse në Amerikë. Disa njerëz në Partinë Demokratike mendonin se po hidhja baltë mbi Berishën jashtë vendit, por ai pretendim nuk ishte fare i vërtetë. Për mua, çështja ishte te politikat e tij dhe jo tek njeriu. Në aeroport na pritën miqtë dhe na çuan te Hotel Rogneri, një hotel i ri luksoz, pronë e një austriaku në bulevardin kryesor të Tiranës, matanë rrugës nga godina e Presidencës.
Aktiviteti i hotelit kishte arritur kulmin meqenëse gazetarët e huaj ishin turrur për të mësuar historinë më të çuditshme të vitit. Politikanët shqiptarë dhe diplomatët e huaj kishin mbushur kafenenë e hollit, duke folur në mënyrë konspirative në grupe të ngjeshura nën tingëllimin e muzikës country amerikane. Vazot e luleve ishin të stërmbushura me bishta cigaresh. Shqiptarët largoheshin në mbrëmje që të mos i kapte ndalim-qarkullimi i orës 20.00, kurse të huajt uleshin rreth pishinës duke ngrënë ushqime në skarë, ndërsa vendi digjej. Një gazetar gjerman provoi të luante tenis por e la kur një plumb ra në fushë. “Dhe ra mu brenda”, tha ai me ton prej përralltari. Tipa të çuditshëm vinin ditë për ditë. Një biznesmen britanik me kostum stofi me vija të holla u ul afër meje duke pirë birrë. “Kur fluturojnë plumbat, njerëzit blejnë”, më erdhën në vesh fjalët e tij. Atë pasdreke pashë një burrë me flokë të errëta që më thanë se punonte në Ambasadën Ruse. Kur u ngrit nga tavolina, pashë që nga rripi i mesit i varej një thikë e zbukuruar me serm.

Kolegu im dhe unë takuam ambasadoren amerikane, Mariza Lino, një diplomate karriere që fliste italisht, e cila kishte ardhur në shtator 1996. Biseda në hollin e hotelit na dha në njëfarë mase besueshmëri dhe mbrojtje. Në të njëjtën kohë, unë u trondita nga mënyra se si i interpretonin ngjarjet Lino dhe personeli i saj. Berisha kishte “qëllime të mira”, më tha një zyrtar i lartë i ambasadës. Një tjetër besonte se rrahja në janar e artistit Edi Rama kishte ardhur mbase nga sherri për ndonjë grua. Lino nuk pohoi asnjëherë akuza të tilla por ajo i shmangej fajësimit të Berishës dhe kishte marrë një qëndrim që unë e konsideroja artificialisht të paanshëm, duke ia hedhur fajin në mënyrë të barabartë të gjitha palëve.

Ne gjithashtu vizituam Forumin për Demokraci., koalicioni i partive të opozitës dhe grupeve të bashkëdrejtuara nga ish-i burgorsuri politik Fatos Lubonja. Zyra e thjeshtë kishte një mesazh në mur që thoshte në anglisht: “A neat desk is a sign of a sick mind” . Ndryshe nga Lino, Lubonja pohonte se Berisha do të shkatërronte vendin për të ruajtur pushtetin e tij. “Ramiz Alia dha shenja se do të ndryshonte”, tha ai, duke iu referuar vite 1990. “Kurse Berisha nuk jep shenja fare”.

Ditën pasi mbërrita unë, turma plaçkitëse boshatisën bazën ushtarake të Koshovicës afër Vlorës. Në Tepelenë, burra të armatosur sulmuan komisariatin e policisë dhe liruan të burgosurit. Në Sarandë, pjesëmarrësit në trazira i vunë zjarrin bibliotekës dhe bankës shtetërore. Anembanë jugut, depot e armëve ruheshin nga tre deri në gjashtë ushtarë, shumica e tyre djem të rinj që ishin të pajisur keq e të paguar sa për të thënë, dhe që në vend të çorapeve përdornin lecka. Të vënë poshtë nga turmat e tërbuara, rekrutët i lanë njerëzit të merrnin armë, municione dhe granata.
Në Vlorë, protestuesit e armatosur thanë se do të sulmonin Tiranën nëqoftëse Berisha dilte përsëri si kandidat për president. Atë pasdreke, parlamenti i zotëruar nga PD-ja votoi 118-0 për të vendosur gjendjen e jashtëzakonshme. Kreu i SHIK-ut, Bashkim Gazidede u emërua komandant për të “shtypur bandat e terroristëve të armatosur” . Gazidedja besnik ishte e vetmja zgjidhje e Berishës, thanë ish zyrtarë të ushtrisë dhe SHIK-ut. Policia dhe ushtria kishin dështuar. Në mbarë jugun, dhe gjithmonë e më shumë edhe në veri, ushtarët hodhën tutje uniformat e tyre, braktisën vendet e shërbimit e madje shoqëruan grabitësit tek armët.
“Udhëheqësit politikë të shtetit dhe presidenti i republikës e kishin humbur plotësisht besimin e tyre te ushtria dhe shtabi i saj i përgjithshëm”, tha më vonë këshilltari ushtarak i Berishës në atë kohë, gjeneral major Adem Çopani. “Për ata ushtria do të shërbente si mjet ndihmës, kurse për kryerjen e operacioneve u duheshin forcat besnike të SHIK-ut” .

“Vetëm SHIK-u funksiononte”, më tha nëndrejtori i atëhershëm i SHIK-ut, Bujar Rama. “Ai nuk i zinte besë askujt tjetër – vetëm Gazidedes”.

Berisha hoqi nga posti edhe shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, gjeneral Sheme Kosovën. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ai u pushua për “paaftësi dhe inaktivitet në mbrojtjen e disa reparteve ushtarake, që u sulmuan nga grupet rebele të armatosura” . Gjeneral Kosova më tha se iku ngaqë nuk ishte dakord me gjendjen e jashtëzakonshme.

Copy-of-ZHULALI

                                            Safet Zhulali ish Minister i Mbrojtes qe dezertoi

“Ushtarët kishin të afërm dhe shokë midis protestuesve”, më tha Kosova në një kafene të Tiranës gjashtë vjet pas ngjarjeve. “Kush do t’i mbronte oficerët dhe ushtarët po të kishim hapur zjarr?”.
Berisha e zëvendësoi Kosovën me këshilltarin e tij ushtarak, Çopanin, profesionist kompetent dhe ish-këshilltar i Alisë, por Çopani nuk mund të ringjallte një forcë që i kishte dalë shpirti.

Atë natë në televizion, unë pashë se si premtonte Berisha të shtypte revoltën komuniste:

Nëpërmjet këtij mesazhi dëshiroj të informoj popullin shqiptar, të gjithë shqiptarët kudo që janë, dhe të gjithë opinionin publik ndërkombëtar se një rebelim i armatosur komunist i organizuar nga ish-komunistët shqiptarë dhe ish-policia sekrete shqiptare në bashkëpunim me agjenci të huaja të zbulimit shpërtheu në Vlorë dhe në disa zona të afërta dje natën … Rebelët e armatosur komunistë, të ndihmuar dhe financuar nga agjenci të huaja zbulimi, kanë nisur operacione ushtarake për të përmbysur qeverinë me forcë dhe për të vendosur sundimin e tyre në të gjithë vendin .

Po atë natë, horrat e qeverisë bastisën zyrat e gazetës “Koha Jonë” në Tiranë, të cilën qeveria e quante altoparlant të revoltës. Kolegu im dhe unë këqyrëm zyrat të nesërmen paradite dhe pamë breza të zinj që zgjateshin për nga lart sipër dritareve dhe shenja plumbash në murin e jashtëm. Letrat e bëra shkrumb dhe kompjuterat e thyer mbulonin gjithandej dyshemenë. Dëshmitarët thanë se burra të armatosur erdhën tri herë, pavarësisht nga ndalim-qarkullimi, duke shtirë me armë drejt mureve dhe pastaj duke u vënë zjarrin zyrave. Personeli i “Koha Jonë” u fsheh. Disa nga gazetarët më të rinj kërkuan strehim në Rogner, dhe unë kalova një mbrëmje të tërë që të bindja gazetarët e huaj t’i mbanin për një natë. Frika e tyre fryhej nga një botues oportunist, i cili shpresonte të fitonte fonde për rindërtim, por ajo nuk ishte tërësisht e pajustifikuar. Atë natë, policia ndaloi dhe rrahu një gazetar dhe shofer të “Koha Jonë”. Në Fier, policia ndaloi një gazetar tjetër të gazetës, Alfred Pezën, i cili më vonë më tregoi mavijosjet në ngjyrë patëllxhani në krahë dhe këmbë.
Ambasada amerikane ndihmoi në organizimin e një takimi midis meje dhe dy kolegëve të një grupi për lirinë e fjalës, “Article 19”, si dhe Arian Starovës, zëvendësministër i jashtëm. Ne u ulëm me të në mbrëmje vonë, në një dhomë tepër të madhe në ministri.

“Koha Jonë” i kishte nxitur njerëzit për dhunë me sulmet e saja të ashpra antiqeveritare, tha Starova. Megjithatë, ai nguli këmbë se qeveria nuk qëndronte pas sulmit të zyrave.
Edhe përkrahësit e Berishës ishin të frikësuar, dhe besonin se komunistët fanatikë do të sulmonin Tiranën, siç kishin kërcënuar në 1991 Vullnetarët e Enverit.

Rogneri gëlonte nga zhurmat se rebelët kishin hartuar një listë gazetarësh proqeveritarë për t’i vrarë, kryesisht njerëz nga gazetat “Rilindja Demokratike” dhe “Albania”.

Pak a shumë në po atë kohë, dikush ndërpreu sinjalin në FM të BBC-së dhe Zërit të Amerikës, dhe transmetimet e Bashkimit Evropian të Radiopërhapjes , që furnizonte me video stacione rreth e qark botës. Për pak ditë, televizioni i kontrolluar nga shteti dhe dhe “Rilindja Demokratike” e PD-së ishin të vetmet burime lajmesh në qytet.

Më 3 mars, kolegu im i Human Rights Watch-it dhe unë shkuam të takonim drejtuesin e Agjencisë së Informacionit të Shteteve të Bashkuara , Charles Walsh, në zyrën e tij te piramida. Në ndryshim nga ambasadorja Lino, Walshi-i kishte një prirje kritike, gjë që e bënte atë favorit të opozitës dhe armik të qeverisë, si dhe të Linos. Ndërsa flisnim, nga pranë ushtoi zjarri i një automatiku. Walsh-i shkoi te radioja e tij për të marrë vesh ç’kishte ndodhur. Përgjigja ishte edhe qetësuese – askush nuk ishte vrarë – edhe pështjelluese: parlamenti e kishte zgjedhur Berishën për një mandat të dytë presidencial, dhe përkrahësit e tij po festonin me kallashnikovë.

Teksa gjysma e vendit gjëmonte, parlamenti kishte votuar 113-1, me katër abstenime, për t’i dhënë Berishës pesë vjet të tjera. Deputetët u ngritën në këmbë, duartrokitën, dhe brohoritën emrin e tij.
“Zgjedhja president i një vendi është sigurisht një pikë madhore në jetën e çdo njeriu të thjeshtë”, tha Berisha në fjalimin e pranimit. “Të rizgjidhesh president i një vendi është i gjithi një privilegj sublim” .
Në vend që të shtrinte dorën, ai e kishte mbledhur grusht.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU