Franca voton sot për Presidentin e ri, Macron favorit ndaj Le Pen

Votuesit francezë sot do të zgjedhin presidentin e vendit, në zgjedhjet që po shihen si përcaktuese për të ardhmen e vendit.

Kjo është hera e parë që në zgjedhje nuk konkurrojnë kandidatë nga partitë tradicionale.

Votuesit kanë dy alternativa: Emmanuel Macron, një centrist nga e majta që është pro-biznesit, pro-Evropës dhe Marine Le Pen, një nacionaliste që kërkon daljen e Francës nga Bashkimi Evropian dhe ndaljen e emigracionit, veçanërisht nga vendet muslimane.

Qendrat e votimit u hapën në Francë në orën 8 me orën lokale dhe do të mbyllën në 19:00. Vendet e votimit do të mbeten të hapura në disa qytete të mëdha deri në orën 20:00 lokale.

Macron pritet gjerësisht të fitojë, por analistët kanë thënë se shkalla e lartë e mospjesëmarrjes mund të dëmtojë shanset e tij.

Në sondazhet e fundit të opinionit, Macron ka qenë në epërsi, që prej përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 23 prill.

Fushata ka qenë e ngarkuar emocionalisht, ndërsa Franca vendos nëse do të qëndrojë në rrjedhën e globalizimit, apo do të ndjekë një rrugë të re jashtë Bashkimit Evropian, duke forcuar kufijtë dhe duke e vënë theksin te politikat e brendshme, në përputhje me prirjen që po shihet edhe në vende të tjera.

Macron, 39-vjeçar, ka bërë fushatë me një platformë pro-evropiane, ndërkaq Le Pen, 48-vjeçare,ka thënë se dëshiron që Franca të largohet nga BE-ja dhe të braktisë eurozonën.

“Strategjia e vetme e Le Pen që ta dëmtojë Macronin, ishte që ta përshkruante atë si një kandidat globalist, politikat e të cilit janë të rrezikshme për Francën”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Martin Michelot, zëvendësdrejtor i Institutit për politika evropiane, EUROPEUM.

Presidenti francez ka një mandat 5-vjeçar. Në zgjedhjet e 7 majit, 48 milionë qytetarë të Francës kanë të drejtë vote. Dalja në zgjedhje pritet të jetë e lartë, ndërsa 77.8 për qind e votuesve të përgjithshëm kanë votuar në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale.

c.a

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU