Franca, gati të mbështetë Shqipërinë për hapjen e negociatave të anëtarësimit

Shqipëria ka ende një mundësi që në fund të këtij viti të marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Franca, një nga vendet kyçe në vendimarrjen europiane, është e gatshme të mbështesë Shqipërinë pas mundësisë së humbur këtë pranverë për shkak të mosmiratimit të reformës në drejtësi.

“Ka akoma punë që duhen përfunduar, por kur takova kryeministrin Edi Rama munda të konstatoj me të, në cilën pikë progreset e bëra nga Shqipëria në dy vitet e fundit ishin të konsiderueshme. Tani objektivi që duhet të fiksojmë është që në fund të këtij viti, kur Komisioni Europian të shqyrtojë situatën për një raport-rekomandimi,  ky raport të jetë pozitiv dhe të mund të bindë të gjithë vendet anëtare të hapin negociatat për anëtarësim. Kjo kërkon ende punë, por Franca do të jetë në krah të Shqipërisë në këtë etapë të re”, thotë Harlem Desir, Sekretar i Shtetit për Çështjet Europiane.

Që rekomandimi nga Brukseli të jetë pozitiv, partnerët europianë kërkojnë prova bindëse se vendi po bën progres të matshëm dhe prova më domethënëse mbetet reforma në drejtësi.

“Nga pesë prioritet janë tre të tjera për të cilat ka ende shumë punë që duhet bërë. Reforma e drejtësisë, që besoj do të miratohet në javët e ardhshme, do të jetë një etapë shumë e rëndësishme. Ka gjithashtu edhe sektorë të tjerë, si lufta ndaj korrupsionit,  krimit te organizuar. Në të gjithë këta sekorë janë ndërmarrë veprime, janë bërë reforma. Ajo që ne duam, dhe Franca do të jetë në krah të Shqipërisë, është që të mund t’i shkojmë në fund këtyre reformave dhe të mundemi në fund të vitit të kemi qëndrimin pozitiv nga ana e Komisionit Europian dhe vendeve anëtare”, shprehet Desir.

Dy ditët e fundit edhe Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn, kërkoi bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës për miratimin e reformës në drejtësi. Por deri tani, ka patur vetëm një letërkembim publik mesazhesh pa asnjë rezultat mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

TCH

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU