Artistët më të mirë shqiptarë kanë ekspozuar të dielën në shëtitoren e qytetit të Beratit veprat e tyre më të fundit të krijuara posaçërisht për qytetin muze.
Artistët e peizazhit janë pjesë e projektit Plein Air-it, ku marrin pjesë Kujtim Buza, Buron Kaceli, Agron Dine, Nikolin Ivanaj, Vangjo Vasili, Agim Kadillari, Pashk Pervathi, Xhenet Kadillari e Agron Polovina, raporton shqiptarja.com Këta artistë kanë menduar të zhvillojnë një ekspozitë larg ceremonive zyrtare.
Kujtim Buza, mjeshtri i njohur shqiptar i pikturës, kujton se Beratin e ka pasur pjesë të pikturave të tij që në vitin 1953 dhe thotë se ka shumë arsye që lidhjet me këtë qytet t’i ketë të veçanta.
Ndërsa piktori i njohur Buron Kaceli ka një lidhje më të veçantë me Beratin. Për shumë kohë ai ka punuar si restaurator në këtë qytet muzeal.
Për piktoren e njohur Xhenet Kadillari Berati është magji më vete, pasi ka peizazhe të papërsëritshme. Veprat e autorëve të njohur pas disa ditësh qëndrimi në Berat do të ekspozohen edhe në Skrapar.