Fotografia e Xhafajt dhe fotografia e Berishës!

Prej sa është bërë i njohur emri i Fatmir Xhafajt si ministër i ri i Brendshëm, opozita ka gjetur si të vetmen barkë shpëtimi kundër propozimit, një fotografi të Fatmir Xhafajt me Enver Hoxhën. Bëhet fjalë për një nga festat e famshme të 1 Majit, kur studentët më të mire, si shpërblim kishin shfaqjen në tribunë për t’i dhënë lule diktatorit. Fatmir Xhafaj ishte ndërkohë dhe një sekretar Rinie, nëse duam ta bëjmë dhe më të plotë “denoncimin” ndaj tij.

Askush nuk ka thënë që Fatmir Xhafaj ka qenë antikomunist, dhe nuk besoj se ndjehet keq, që ia ka arritur të dalë në fotografi me Enver Hoxhën.

Por ajo që më bën përshtypje, është se “babai” shpirtëror i opozitës, i cili po nxit këtë fushatë qesharake, ka fotografi private, që dëshmojnë servilizmin e thellë, por dhe përpjekjen e tij prej zvarraniku, për të hyrë në familjen e Enver Hoxhës përmes fëmijëve. Fotografia e Sali Berishës në varkë në Pogradec me fëmijët e Enver Hoxhës dhe tjetra në oxhak i ulur këmbëkryq me ta, nuk është shpërblim si sekretar partie stalinist, siç ka qenë ai. Është më shumë. Është dëshmi e një zvarraniku që ju ngjit nga pas komunizmit për të depërtuar deri në shtëpinë e diktatorit, qoftë dhe duke ju lëpirë fëmijëve të tij.

Është ai mentalitet që kanë trashëguar sot dhe fëmijët e tij dhe partia e tij, që besojnë shumë se fëmijët e udhëheqësit, janë çelësi i pushtetit. Atë që ai ka besuar për fëmijët e Enver Hoxhës, e ka transmetuar tek partia e tij, ku secili që do të bëjë karrierë, apo përfitojë financiarisht, kap fëmijët e tij.

Dhe sot është një ditë e shënuar për ta thënë këtë, pasi është përvjetori i 9-të i një tragjedie që mori jetën e 26 shqiptarëve, pasi dy biznesmenë kapën djalin e tij, dhe përmes tij, ndërtuan një fabrikë vdekjeprurëse në Gërdec.

Fotografi si ajo e Fatmir Xhafajt me Enver Hoxhën mund të ketë çdo shqiptar i talentuar i asaj kohe, pasi ishte një stimul moral i diktaturës, por fotografi si ato në varkë dhe oxhak të Sali Berishës me fëmijët e Enver Hoxhës, mund të kenë vetëm zvarranikët e diktaturës, ata që donin t’i hynin diktatorit në zemër, përmes korruptimit të fëmijëve.

Tani një parti që nuk i bën dot gjyq një bythëlëpirësi të Enver Hoxhës, nuk mund t’i bëjë dot dëm një politikani të majtë, që është në ish- partinë e Enver Hoxhës, pasi vetëm sa i shtojnë fuqinë politike tek nostalgjikët e ish- partisë së tij.

Fatmir Xhafaj nuk besoj se ka mundur ta takojë për herë të dytë Enver Hoxhën dhe ai nuk do t’ia ketë mësuar as emrin, pasi iku në botën tjetër, pak pas asaj fotografie.

Por Sali Berisha, siç dëshmon dhe e veja e diktatorit, nuk ka larë dorën një javë, vetëm se ia shtrëngoi Enver Hoxha.

Por e vërteta është se Fatmir Xhafaj nuk po sulmohet për fotografinë, as nga “antikomunistët” dhe as nga ata që Enver Hoxha u duhet për vota në Shqipëri, meqë e ka ”tradhtuar” PS. Fatmir Xhafaj po sulmohet pasi simbolika e emërimit të tij në atë detyrë lidhet me reformën në drejtësi. Ai ishte njeriu që e negocioi dhe udhëhoqi procesin për mbi një vit dhe mori për këtë, përgëzime dhe mbështetje nga faktori ndërkombëtar, dhe sidomos dy ambasadorët e rëndësishëm të Perëndimit në Shqipëri. Emërimi tij në atë detyrë, është inkurajuar ndërkohë dhe prej tyre, dhe kjo është arsyeja e xhindosjes me të. Ata që e sulmojnë janë ata që e kanë ëndërruar një foto me Enver Hoxhën, por nuk kanë qenë as studentë të talentuar, as sekretarë rinie. Kanë qenë maksimalisht, servilë të diktaturës dhe adhurues të saj, dhe kanë arritur zvarrë-zvarrë deri tek fëmijët. Dhe tani që u duhet të sulmojnë ministrin e Brendshëm, si autor të reformës në drejtësi, kanë gjetur barkë shpëtimi fotografinë e tij në tribunë me Enver Hoxhën. Në fakt e vetmja varkë që të shpie tek Enver Hoxha, është varka ku është fotografuar Sali Berisha me fëmijët e tij. Ajo është e pështirë, e neveritshme dhe tërësisht enveriste.

Por problemi nuk është tek foto. Problemi është se atyre u duket tani, se ai që ka shkruar reformën, tani ka në dorë çelësat e prangave dhe atyre u duket sikur i ka për ata. Se ata më mirë se ne, e dinë se çfarë kanë bërë. Fatmiri ndoshta s’di gjë akoma!

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU